Qeveria e Republikës së Kosovës akoma nuk ka hartuar strategjinë e veprimit kundër dhunës në familje. Ndonëse për të shënuar 25 nëntorin -Ditën Ndërkombëtare kundër dhunës ndaj gruas, ekzekutivi kosovar, në bashkëpunim me organizata të ndryshme, ka organizuar një mori aktivitetesh, institucionet qeverisëse të vendit akoma nuk kanë një plan të caktuar për të vepruar në luftimin e dhunës në familje.
Agjencia për Barazi Gjinore, që funksionon në kuadër të Qeverisë së Kosovës, njofton se ka përfunduar hulumtimin për dhunën në familje dhe se në këtë mënyrë i ka hapur rrugën hartimit të strategjisë për luftimin e kësaj dukurie. Përfaqësuesja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Shqipe Krasniqi, sqaron:
"Përderisa ne nuk kemi pasur një hulumtim të mirëfilltë, përderisa institucionet e Kosovës nuk kanë pasur program për barazi gjinore, i cili ka mundur të hapë rrugën për të ndërmarrë aktivitete të tjera, qeveria ka ndërmarrë hulumtime për dhunën në familje dhe tash do të fillojë hartimin e strategjisë kundër dhunës në familje", thotë Krasniqi.
Numri i rasteve të lajmëruara në Policinë e Kosovës për dhunën ndaj gruas, brenda këtij viti ka shënuar një ngritje krahasuar me vitin 2007. Kështu thonë zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët theksojnë se arsyet kryesore që çojnë në përdorimin e dhunës në familje, vijnë si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike dhe papunësisë në Kosovë.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Sabrie Kamberi, thekson se arsye shtesë e konflikteve brenda familjeve në Kosovë - konflikte këto që rezultojnë me dhunën ndaj gruas, janë edhe xhelozia, mosmarrëveshjet verbale dhe të tjera.
"Njëra ndër arsyet e dhunës në familje është xhelozia, pastaj konfliktet brenda familjes, mosmarrëveshjet e ndryshme... Këto pra janë disa nga arsyet, nga të cilat vijnë edhe deri te rastet e dhunës në familje e që raportohen në polici", thotë Kamberi.
Statistikat tregojnë se brenda vitit 2007 ka pasur 1077 raste të lajmëruara për dhunën në familje, prej të cilave 80 % kanë të bëjnë me dhunën ndaj gruas.
Organizatat joqeveritare e quajnë shqetësues faktin që pjesa dërrmuese e viktimave të dhunës në familje janë gratë kosovare. Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Vuniqi, thotë se duhet të ndërmerren masa urgjente, që kryesit e dhunës ndaj gruas të mund të arrestohen.
"Në qoftë se i marrim rastet e dhunës dhe i krahasojmë me arrestimet (sipas informatave të policisë), që thonë se gjithsejtë në Kosovë janë bërë 140 arrestime prej 1000 e më shumë rasteve të raportuara, atëherë ky numër është shumë i vogël, i rasteve të dhunës që ushtrohet", thekson Vuniqi.
Format më të shprehura të dhunës ndaj grave janë sulmi fizik dhe seksual, si dhe dhuna verbale, e që në të shumtën e rasteve ka të bëjë me poshtërimin dhe nënçmimin.
Sipas Vuniqit, nuk mjaftojnë vetëm aktivitetet e ndryshme të shoqërisë civile për të ndihmuar viktimat femra të dhunës, por, sipas saj, duhet të ekzistojë një angazhim institucional në këtë drejtim, jo vetëm në mënyrë deklarative. Ajo thekson se institucionet qeverisëse, përgjegjëse në këtë drejtim, duhet të krijojnë qendra rehabilitimi për gratë, të cilat bien pre e dhunës në familje.
"Unë mendoj se institucionet tona duhet të bëjnë shumë më shumë sesa nënshkrimi i protokolleve, apo nënshkrimi i deklaratave të ndryshme apo fushatave që po ndodhin", shton ajo.
Në bazë të statistikave globale rezulton se shumica e viktimave të dhunës familjare janë femra, me 95 për qind, që nënkupton se shumica e kryesve të dhunës në familje janë meshkujt. Në Kosovë, kjo shifër, sipas policisë, është më e lartë.