Përfaqësues të partive në pushtet dhe atyre opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë mendime të ndryshme lidhur me planin 4-pikësh, të cilin udhëheqësit e Republikës së Kosovës e publikuan, ditë më parë, si kundërpërgjigje ndaj dokumentit 6-pikësh të Kombeve të Bashkuara për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, e quan logjik dhe përmbajtjesor dokumentin 4-pikësh të Prishtinës zyrtare dhe thotë se plani në fjalë mbështetet në të gjitha dokumentet relevante që janë bazë për funksioninim e shtetit të Kosovës.
"Ky plan 4-pikësh është i mbështetur tërësisht në të gjitha dokumentet aktuale dhe funksionale në Republikën e pavarur të Kosovës, sepse mbështetet në Kushtetutën e saj dhe në marrëveshjet tjera paraprake për të realizuar këtë që është kryeligji i Kosovës", konsideron Buja.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndonëse e quan korrekt qëndrimin e institucioneve shtetërore kosovare të shprehur në dokumentin 4-pikësh, mendon se çështjet e cekura në dokumentin në fjalë do të duhej të precizoheshin për t’u publikuar në natyrën e një plani të veprimit.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, thekson se katër çështjet e përmendura në plan duhet të konkretizohen.
"Ne mendojmë se edhe Kosova duhet të ketë plan veprimi, duhet të shpjegojë se çka do të thonë këto katër pika, të cilat janë paraqitur", thekson ai.
Pala kosovare, me dokumentin e paraqitur të martën, ka refuzuar edhe një herë marrëveshjen Beograd-OKB, duke ripërsëritur nevojën për shtrirjen sa më të shpejtë të misionit për drejtësi të Bashkimit Evropian, EULEX, në tërë territorin e Kosovës.
Deputeti Buja thekson se EULEX-i nuk mund të jetë neutral karshi statusit të Kosovës, ashtu siç parashikohej me planin e OKB-së, por, sipas tij, ky mision duhet të veprojë në përputhje me ligjet që dalin nga Kushtetuta e Kosovës.
"EULEX-i në asnjë rrethanë, në asnjë mënyrë, në asnjë kohë, nuk mund të jetë neutral, për faktin se ai është pjesë e Kushtetutës së Kosovës, i cili duhet të shtrihet në tërë territorin e Kosovës, për të ndihmuar administratën e Kosovës, për t’u konsoliduar dhe natyrisht për të vepruar më racionalisht dhe në mënyrë më profitabile në tërë territorin", shton Ramë Buja.
Përmbajtja e planit 6-pikësh të OKB-së dhe e atij 4-pikësh të Republikës së Kosovës ndeshen pothuaj në tërësi, andaj ka mbetur e padefinuar forma për gjetjen e një konsensusi ndërmjet palëve.
Opozita kosovare mendon se nuk duhet të bisedohet me Qeverinë serbe për çështjet e brendshme të Kosovës. Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri, sqaron qëndrimin e subjektit të saj politik:
"Nuk ka asnjë bisedë për çështjen e pavarësisë apo të territorit të Kosovës. Duhet të bisedohet për gjithçka, por jo për integritetin e Kosovës apo pavarësinë e saj, e cila është çështje e mbyllur", vlerëson Gaxherri.
Plani i Sekretarit Gjeneral të OKB-së, Ban Ki Moon, për rikonfigurimin e prezencës ndërkombëtare përqendrohet në aranzhimet për policinë, doganat, drejtësinë, kufirin, transportin dhe monumentet fetare e kulturore serbe.
Në planin 4-pikësh të Prishtinës zyrtare, ndërkohë, ripërsëritet qëndrimi refuzues për dokumentin e OKB-së, gatishmëria për bashkëpunimin me misionin EULEX, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Në dokument po ashtu precizohet korniza ligjore për veprimet e ardhshme të EULEX-it në vend, të cilat, sipas dokumentit, duhet të jenë në përputhje me deklaratën e pavarësisë, dokumentin e presidentit Ahtisaari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, aksionin e përbashkët të 4 shkurtit të vitit 2008 dhe ftesën e bërë EULEX-it nga institucionet e Kosovës.