Prishtina zyrtare duhet të vazhdojë të mbajë qëndrimin e saj refuzues karshi planit të 6 pikësh të Kombeve të Bashkuara për rikonfigurimin e prezencës ndërkombëtare civile në Kosovë. Kështu thonë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët theksojnë se pavarësisht presionit diplomatik ndërkombëtar udhëheqësit shtetëror të Republikës së Kosovës duhet të këmbëngulin në qëndrimin e tyre duke mos e pranuar këtë dokument.
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bujar Bukoshi, e quan të pakuptimtë presionin që New Yorku dhe Brukseli po i bëjnë Prishtinës për të pranuar planin 6 pikësh. Ai vlerëson se pala shqiptare ka bërë mjaft kompromise të cilat sipas tij, jo shumë rrallë, ka qenë të dhimbshme.
"Absolutisht i pakuptimtë, sepse pala shqiptare ka treguar në kontinuitet se ka qenë shumë koorperative, ka qenë shumë e gatshme, ka bërë kompromise të tmerrshme, ka gëlltitur pillulla shumë të hidhura, por ajo është e kaluara. Tani kemi një situatë absurde kur një shtet i cili është formuar dhe i cili ndërkombëtarisht është njohur pjesërisht. Tani bëhen operacione, zhvillime ose përpjekje për të zhbërë këtë punë", thotë Bukoshi.
Përfaqësues të OKB-së dhe ata të Bashkimit Europian i kanë bërë thirrje Kosovës të pranojë planin 6 pikësh të skeretarit gjeneral të OKB-së, Ban ki Moon, për t'ia mudësuar misionit për drejtësi të BE-së shtrirjen në të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas këtij plani EULEX-i do të vepronte si mision neutral karshi statusit të Kosovës, gjë që nuk parashihet edhe me planin për pavarësi të mbikqyrur për Kosovën të Presidentit Marti Ahtisaari. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, sqaron...
"Kosova po komunikon me miqtë e saj dhe Kosova po bazohet në dokumentin e Zotit Ahtisaari. Cdo ndërhyrje në dokumentin Ahtisaari, qoftë përmes planit 6 pikësh ose përmes një plani tjetër e cenon këtë plan për implementim dhe poashtu cenon Kushtetutën e Kosovës e cila është përkrahur nga Bashkësia Ndërkombëtare", shprehet Isufi.
Përfaqësues të partive opozitare mendojnë se Kosova duhet medoemos të krijojë një strategji për të dalur nga situata aktuale. Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike e Dardanisë, Lulzim Zeneli thekson se Prishtina zyrtare duhet të argumentojë fuqishëm pozitën e saj si shtet i pavarur.
"Ne nuk duhet të besojmë dhe nuk besojmë që Kosova është në një pozitë tillë ku po i humb miqtë, mirëpo është në një pozitë që të argumentojë fuqishëm përcaktimin tonë dhe shtigjet se kah jemi duke shkuar dhe si pretendojmë të arrijmë atje ku është synim i përbashkët", mendon Zeneli.
Mirëpo, sipas nënkryetarit të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, institucionet shtetërore të Kosovës do të bënin gabim po që se do të ndërprisnin konsulltat me faktorët ndërkombëtar në vend.
"Ajo që do të duhej të bënin institucionet e Kosovës kujtoj se , në radhë të parë, është të krijojnë strategji dhe mekanizma të cilët do të ishin të efektshëm në ndërtimin e jetës në Kosovë dhe së dyti duke bashkëbiseduar drejtpërdrejt me faktorët ndërkombëtar, në veçanti me shtetet e Quint-it dhe me Bashkimin Europian", konsideron deputeti Makolli.
Ishte konkludim i përbashkët i përfaqësuesve të partive në pushtet si dhe atyre opozitare se plani i Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Kosovës janë të vetmet baza legale për veprimet e ardhshme të mekanizmave ndërkombëtar në Kosovë. Sipas tyre plani 6 pikësh nuk duhet pranuar mu për arsyen se rrezikon këto dokumente bazë për shtetin e Kosovës.