“E dënojmë në mënyrën më të ashpër të mundshme shpërthimin te ndërtesa e ICO-së. E themi pa hezitim se kryrësit e këtij akti të shëmtuar janë armiqtë e Kosovës. E themi po ashtu se asgjë e lere më një përpjekje e tillë e shëmtuar, nuk do ta zbeh respektin e fuqishëm që populli i Kosovës ka për Bashkimin Evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi për të qenë partnerë të besueshëm të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Sejdiu.
Akti i sulmit ndaj ndërtesës së ICO-së në Prishtinë është dënuar edhe nga kryeministri Hashim Thaçi. Ai tha se ka kërkuar masa të shpejta e urgjente për ta zbardhur rastin dhe përgjegjësin apo përgjegjësit ti vë para drejtësisë.
“Edhe qeveria e Kosovës, sikurse të gjitha institucionet e vendit, i bashkëngjitet dënimit të ashpër të mundshëm për shpërthimin pranë ndërtesës së ICO-së. E themi pa hezitim se kryrësit e këtij akti të shëmtuar janë armiqtë e Kosovës".
"Unë kam kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme ndërmarrjen e masave të shpejta, konkrete për kapjen e akterëve dhe zbardhjen e këtij rasti”, tha kryeministri Thaçi.
Ndërkohë, zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare Andy Mc Guffie ka konfirmuar se një mjet i vogël ka shpërthyer brenda rrethojave të ndërtesës së ICO-së, çka ka shkaktuar dëme materiale, por jo edhe pasoja në njerëz.
“Ne dënojmë pa rezerva këtë incident. I falënderohemi Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e tyre, dhe presim nga ta që të garantojnë sigurinë e stafit të të gjitha misioneve ndërkombëtare që veprojnë këtu”, thuhet në deklaratën e Mekgafit. Ai konfirmon se ICO-ja do të vazhdojë të punojë në dobinë dhe të mirën e popullit të Kosovës dhe stabilitetit në rajon.
Sulmi ndaj ndërtesës së ICO-së ka ndodhur në kohën kur Kosova dhe Bashkimi Evropian po bisedojnë, por pa arritur rezultate lidhur me planin gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban ki Moon i pranuar edhe nga Beogradi për shtrirjen e EULEX-it.
Presidenti Sejdiu tha se nuk mund ta thoshte nëse ka ndërlidhje ky sulm me bisedimet, por si tha ai, një ndërlidhje e tillë mund të bëhet vetëm nga ata që nuk ia duan të mirën Kosovës.
“Ne s’do të donim ti ndërlidhnim, por armiqtë e popullit dhe Kosovës mund të provojnë gjithçka. Për ne është me rëndësi që e kemi shprehur qëndrimin tonë se e dënojmë vërtetë këtë akt, kurse procesi i bisedimeve është një rjedhë normale që ne e kemi përfillur edhe deri tani. Kemi shprehur vërtetë qëndrime të qarta për atë materie të gjashtëpikëshit është një dokument që me substancën, elementet substanciale dhe si i tillë, pra si tërësi është i papranueshëm për Kosovën”, tha Sejdiu.
Shpërthimi brenda rrethojave të ndërtesës së Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur rreth orës 17.30, kur ishte hedhur një mjet i paidentifikuar shpërthimi. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka njoftuar se nga shpërthimi nuk ka pasur viktima në njerëz, por vetëm dëme materiale.
Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Kosovë udhëhiqet nga diplomati Pieter Faith dhe funksionon në kuadër të misionit të Bashkimit Evropian. Kurse mandati i këtij misioni është që të mbikëqyr zbatimin e Pakos së Ahtisaarit nga ana e institucioneve të Kosovës.