Ndërlidhjet

Komisioni Evropian përsërit vërejtjet ndaj Maqedonisë


Përfaqësuesi i lartë i Komisionit Evropian, Jan Trushinski, edhe një herë ka përsëritur vërejtjet e Komisionit Evropian se në Maqedoni nuk zbatohen si duhet reformat në gjyqësi dhe polici, ndërsa dialogu politik nuk zhvillohet në nivelin e duhur. Sipas tij, që të jetë raporti negativ për Maqedoninë, kanë kontribuuar edhe incidentet zgjedhore. Qeveria dhe partia shqiptare në pushtet, BDI, u zotuan se do t’i marrin parasysh vërejtjet, ndërsa partitë e opozitës kërkuan që pushteti t’i përmbushë kriteret, pasi Brukseli ka vërejtur se ato nuk zbatohen sa duhet.


Komisioni Evropian edhe një herë ka përsëritur vërejtjet e theksuara në raportin e tij se Maqedonia ngec në zbatimin e kritereve të domosdoshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë për Zgjerim pranë Komisionit Evropian, Jan Trushinski, ndër vërejtjet kryesore përmendi incidentet gjatë zgjedhjeve, mungesën e dialogut politik, moszbatimin e reformave në gjyqësi dhe polici, politizimin e administratës shtetërore. Por, Trushinski përmendi se ekzistojnë edhe fusha në të cilat është shënuar progres.

"Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit - ne mendojmë se ky është një segment i rëndësishëm për konsolidimin e demokracisë dhe sundimin e së drejtës. Në këtë drejtim është formuar një qeveri ndëretnike në qershor të këtij viti. Gjithashtu është miratuar Ligji për gjuhët, që është hap shumë i rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike në shtet", tha Trushinski.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Ivica Boçevski tha se vërejtjet e raportit duhet të shërbejnë si bazë për korrigjimin e gabimeve.

"Kryeministri, menjëherë pasi pranoi raportin, theksoi se qeveria me seriozitet dhe detajisht do t’i shqyrtojë rekomandimet e raportit dhe të njëjtat do t’i shndërrojë në skicë, reth të cilave do të rrjedhin punët e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, posaçërisht të Sekretariatit për çështje evropiane", tha Boçevski.

Ndërkohë, partitë politike Lidhja Socialdemokrate e opozitës dhe Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet, shprehën qëndrime të njëjta rreth vërejtjeve, të cilat i ka Komisioni Evropian.

“Ndjenja në Bruksel është se Maqedonia ndonjëherë bën dy hapa para, por pastaj një, dy apo tre hapa pas. Dhe, vlerësoj se kjo është kritika kyçe ku duhet të fokusohemi”, tha Radmilla Sheqerinska, kryetare e Këshillit për euro-integrime.

Me vërejtjet e Komisionit Evropian pajtohet edhe nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi.

"Unë pajtohem plotësisht me pjesët e raportit, të cilat kanë të bëjnë me dialogun politik, kriticizmin, lidhur me funksionimin e institucioneve politike dhe raporteve të tyre për çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet", tha Arifi.

Ndërsa, Natasha Savova, shefe e kabinetit të kryetarit të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, në mbledhjen e Këshillit për euro-integrime, tha se Maqedonia i ka shkelur të gjitha rekordet për mosmarrjen e datës për negociata për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe vlerësimet nga viti në vit po bëhen gjithnjë e më negative.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG