Ndërlidhjet

SHBA do vazhdojë mbështetjen për Kosovën


Tina Kaidanow
Tina Kaidanow

Ambasadorja e SHBA-së në Prishtinë, Tina Kaidanow, shprehet e bindur se përkrahja e Uashingtonit për Kosovën do vazhdojë, pa marrë parasysh se kush do të zgjidhet president i ri i SHBA-së.

Shtetet e Bahkuara të Amerikës do të vazhdojnë mbështetjen e tyre të fuqishme për Kosovën, pa marrë parasysh se kush do të zgjidhet fitues i garës presidenciale në shtetin amerikan.

Këtë garancë ua kumtoi udhëheqësve të Republikës së Kosovës si dhe përfaqësuesve të skenës politike të vendit, ambasadorja e SHBA-së në Prishtinë, Tina Kaidanow, gjatë një tubimi të organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Diplomatja amerikane u zotua për një angazhim më të madh të SHBA-së në shumë fusha në Kosovë, si shtetin më të ri me demokracinë më të re.

"Nuk mund të vihet në pyetje ndihma shumë e fuqishme, të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë t'ia ofrojnë Kosovës, duke e ndihmuar Kosovën dhe të gjithë popullin e saj në zhvillimin e institucioneve demokratike, ekonomike dhe atyre sociale", tha Kaidanow.

Ambasadorja Kaidanow e quajti moment të rëndësishëm për historinë amerikane zhvillimin e zgjedhjeve të sivjetme presidenciale. Ajo foli edhe për sfidat me të cilat pritet të ballafaqohet presidenti i ardhshëm i SHBA-së gjatë mandatit të tij 4-vjeçar.

"Kushdo që do të jetë fitues, qoftë Barack Obama, qoftë John McCain, ai dhe administrata e tij do të duhet të ballafaqohen me shumë e shumë çështje, sikurse brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Ata do të merren me një përmirësim të gjendjes ekonomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me krizën globale ekonomike, me terrorizëm, me konfliktet në Irak dhe Afghanistan, me Projektin për Paqe në Lindjen e Mesme dhe me shqetësime të tjera",
u shpreh ajo.

Në këtë organizim morrën pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve vendore, të cilët shprehen falënderimet për bashkëpunimin e deritanishëm Prishtinë-Washington, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës.
XS
SM
MD
LG