Ekspertët maqedonas vlerësojnë pozitivisht qëndrimin e presidentit të shtetit, Branko Cërvenkovski, dhe kryeministrit Nikolla Gruevski, të cilët hodhën poshtë propozimin e fundit të ndërmjetësit Metju Nimic, sipas të cilit, vendi do të quhej Republika e Maqedonisë veriore, ndërsa për identitetin do të përdorej formulimi qytetarë, përkatësisht kombi i Republikës së Maqedonisë veriore.
“Nëse nuk saktësohet qartë gjuha maqedonase dhe kombi maqedonas, i tërë propozimi natyrisht se nuk është i pranueshëm për Maqedoninë dhe për këtë çështje nuk diskutohet. Ne nuk mund ta pranojmë identitetin e maqedonasve të veriut, andaj ky duhet të jetë parimi, sipas të cilit, duhet të analizojmë pranimin ose jo të propozimeve nga ndërmjetësi ndërkombëtar, Metju Nimic”, tha Lubomir Fërçkovski, ish-ministër i Jashtëm, duke shtuar se emri Republika e Maqedonisë veriore nuk është edhe aq kontestues nëse sigurohet mbrojtja e identitetit maqedonas.
Përkundër Fërçkovskit, ish-ambasadori Risto Nikovski e hedh poshtë si absolutisht të papranueshëm emrin Maqedonia veriore si bazë për zgjidhjen e çështjes së emrit.
“Disa analistë tanë theksuan se emri Maqedonia e veriut është i pranueshëm dhe ne do të quhemi maqedonas. Por, u pa se ne do të jemi maqedonas të veriut dhe ne nuk jemi të tillë”, tha Nikovski.
Ndërsa, nënkryetari i Shoqatës së historianëve shqiptarë, Skënder Hasani, deklaroi se elita politike maqedonase, meqë nuk pranon këtë propozim të Nimicit, duhet të tregojë se cila është alternativa për zgjidhjen e çështjes së emrit.
“Kryetari i shtetit, Cërvenkovski, dhe kryeministri Gruevski duhet të lënë anash folklorizmat politikë, ndërsa lidershipi maqedonas nuk duhet të lë anash faktorin politik maqedonas, meqë këtë çështje e trajton si çështje ekskluzive maqedonase, sepse dihet mirë se shqiptarët në 90 për qind janë përcaktuar për integrimin e Maqedonisë në institucionet euroatlantike, ndërsa çështja e emrit është kusht për integrimin në këto institucione”, tha zoti Hasani, për të konstatuar se shqiptarët kanë pasur qasje konstruktive ndaj zgjidhjes së çështjes së emrit.