Ndërlidhjet

Serbia e irrituar nga Mali i Zi


Qeveria e Serbisë
Qeveria e Serbisë

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi dhe Maqedonia ka shkaktuar reagime të ashpra në Serbi. Ambasadorët do të tërhiqen sërish. Por, veçanërisht, njohja nga Mali i Zi ka qenë e papritur.


Serbia nuk ka pritur që Mali i Zi ta njohë Kosovën. Reagimet për njohjen nga Podgorica kanë qenë më të ashprat nëpër media nga të gjitha shtetet që kanë njohur Kosovën. Gazetat serbe kanë publikuar me tituj të mëdhenj lajmin e publikuar mbrëmjen e së enjtes nga shteti që u nda edhe vetë nga Serbia, përkatësisht Unioni Serbi-Mali i Zi.

Liderët e vendit kanë reaguar në mënyrë emocionale, duke kërkuar bllokada ekonomike të Malit të Zi, dhe kanë apeluar të mos shkohet në bregdetin malazez. Megjithatë, gjithçka është bërë në një formë inatesh, pasi këto dy shtete që nga funksionimi i tyre si të pavarura, nuk kanë pasur marrëdhënie të mira diplomatike.

Qeveria e kaluar nuk ka dërguar ambasador në Mal të Zi për shumë kohë, kurse konfliktet dhe gafet janë përsëritur herë pas here. Gjithsesi, Mali i Zi nuk ka hequr dorë nga funksionimi i ligjit dhe nevoja për të dëshmuar dëshirën e integrimit në Bashkimin Evropian, pa lidhje të mëdha me Serbinë.

Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, ka reaguar duke i thënë ambasadores së Podgoricës, Anka Vojvodiq, se ajo nuk është më e mirëpritur në Serbi dhe se duhet të kthehet brenda 48 orëve. Një takim në mes të ambasadores dhe ministrit ka përfunduar me shumë pakënaqësi. Megjithatë, ambasadorja ka theksuar se ky është një gabim i madh diplomatik.

Serbia kishte premtuar marrëdhënie të mira me vendet e ish-Jugosllavisë. Por, Jeremiq e ka arsyetuar këtë vendim me faktin se Mali i Zi nuk është dashur të ndërmarrë hapa të tillë, pikërisht një ditë pas mbledhjes në Kombet e Bashkuara, ku kaloi projektrezoluta për mendimin ndërkombëtar nga Gjykata për Drejtësi, lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Partitë politike kanë reaguar në mënyra të ashpra, përveç liberal-demokratët që janë shprehur kundër politikës së hakmarrjes.

Nada Kolunxhija, nga Partia Demokratike e presidentit Boris Tadiq, ka thënë se nuk është mirë nga fqinjët e Serbisë të njohin Kosovën, për shkak të presioneve të mëdha.

“Edhe pse ekzistojnë dyshime të dukshme se kjo është kundër të drejtës ndërkombëtare, marrin përsipër përgjegjësi për stabilitetin në rajon”, ka thënë Kollunxhia.

Ndërkaq, Dragan Todoroviq, i Partisë Radikale të Serbisë, ka kërkuar të paditen këto shtete që njohin pavarësinë e Kosovës.

“Ne besojmë se kemi të drejtë, e kemi të drejtë. Perse duhet amnistuar dike që pajtohet me ndarjen e territorit tonë dhe pranon pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Todoroviq.

Dragan Markoviq Pallma, i Serbisë së Bashkuar, ka thënë se Malit të Zi duhet t’i bëhet një presion ekonomik për shkak të këtij veprimi.

“Përse serbët duhet të dërgojnë paratë e tyre në Mal të Zi? Ja, unë u dërgoj porosi të gjithë qytetarëve të Serbisë, të shkojnë në ndonjë vend tjetër për pushime, e jo në Mal të Zi”, tha ai.

Kurse, Çedomir Jovanoviq, kryetar i Partisë Liberal-demokratike, ka theksuar se Serbia me vendet e rajonit duhet t’i përmirësojë marrëdhëniet e saj dhe të bashkëpunojë, e jo të përkeqësojë gjendjen.

“Ne nuk mendojmë se revanshizmi është rrugë e mirë. Vendet që kanë njohur Kosovën, e që janë fqinjët tanë, mendoj në Bullgarinë dhe Hungarinë, janë vende që kemi përmirësuar marrëdhëniet në nivelin para shpalljes së pavarësisë. Ne e gjykojmë tërheqjen e ambasadorëve”, ka theksuar Jovanoviq.

Analisti Milan Protiq mendon se këto hapa ndaj Malit të Zi janë marrë për të treguar qëndrimin e fortë në marrëdhëniet me këtë shtet, por ai beson se kjo do të kalojë.

“Mendoj se ky nuk është një vendim i lehtë. Por, do të ishte mirë që pas pak muajsh të qetësohen gjërat dhe të kthehen ambasadorët. Përgjithësisht, politika jonë është e bazuar në emocione dhe kjo kurrsesi nuk është mirë”, është shprehur Protiq.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, i cili ndodhet ende në Nju Jork, u ka dërguar porosi qytetarëve të Serbisë që të mos zemërohen me njohjet e reja të Kosovës pas fitores së Serbisë në Kombet e Bashkuara.

“Do të përdor shprehjen e Çerçillit, kurë, kurrë, kurrë nuk do të heqim dorë nga Kosova”, ka thënë Tadiq.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG