Ndërlidhjet

Ahmeti: Njohja e Kosovës stabilizon rajonin


Ali Ahmeti
Ali Ahmeti

"Njohja e Kosovës stabilizon rajonin", thotë për Radion Evropa e Lirë, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim. Zoti Ahmeti thotë se tash rajoni duhet t'i kthehet të ardhmes dhe të lë pas periudhën e luftërave dhe konflikteve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, çfarë ndikimi do të ketë në rajon njohja e pavarësisë së Kosovës?

ALI AHMETI
Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Maqedonisë, dhe pse të mos vlerësohen edhe veprimet e Malit të Zi si shumë të guximshme, do të ketë një rëndësi të veçantë, sepse forcon stabilitetin politik brenda rajonit, do të kemi një siguri më të qëndrueshme.

Njëherësh, Maqedonia në veçanti e rrit besimin tek komuniteti shqiptar për qasjen që ka bërë Parlamenti i Maqedonisë, Qeveria e Maqedonisë, në drejtim të respektimit të ndjenjave të shqiptarëve të Maqedonisë, që nuk janë numër i vogël, por janë gati 30 për qind, që të plotësohet një vullnet, një dëshirë e tyre, që Maqedonia ta njohë shtetin e pavarur të Kosovës.

Është edhe një punë mjaft e madhe në drejtim të vendosjes së fqinjësisë së mirë apo më mirë të them një kontribut i madh në drejtim të fqinjësisë së mirë dhe Maqedonia ka qenë në linjë të partnerëve strategjikë, SHBA-ve, NATO-s, BE-së.

Kështu që e gjithë kjo që po ndodh dhe ka ndodhur në rajon, të mos kuptohet si kundërveprim ndaj Republikës së Serbisë, sepse këto ngjarje që po zhvillohen janë edhe në favor të Serbisë, sepse në hasmëri të përhershme rajoni nuk mund të jetojë.

Duhet të ecim në drejtim të integrimit të vendit, të rajonit në NATO, në BE, si alternativë e vetme për perspektivë të këtyre popujve që jetojnë këtu, por që kanë pasur në të kaluarën një rajon jashtëzakonisht të trazuar, me luftëra, konflikte.

Tani, të gjithë duhet të angazhohemi që të jemi në rrugë të mbarë, që njerëzve t’u garantojmë perspektivë jo vetëm politike, por edhe në drejtime të tjera, si në ekonomi, apo më mirë të them mirëqenie të njerëzve. Kemi vepruar dhe do të veprojmë me seriozitetin më të madh që të jemi në shërbim të kësaj kauze kaq fisnike.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të ndikojë njohja e Kosovës në raportet midis maqedonasve dhe shqiptarëve në vetë Maqedoninë?

ALI AHMETI
Mendoj se këto gjëra janë pjekur mjaft dhe realitetin e ri e kanë kuptuar të gjithë dhe nuk do të ketë kurrfarë efekti negativ; përkundrazi, do të ketë mjaft ndikim të mirë në Maqedoni, sepse përfiton Maqedonia. Ne jemi vende fqinje dhe të gjitha lëvizjet që bëhen në drejtim të Kosovës dhe Maqedonisë, sigurisht që janë në favor të të dy vendeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Rezoluta për njohjen e Kosovës ishte fryt i punës së përbashkët të partive shqiptare. A mendoni se kjo mënyrë e veprimit do të mund të shihet më shpesh në të ardhmen, kur janë në pyetje interesat e shqiptarëve të Maqedonisë?

ALI AHMETI
Për interesa madhore, sigurisht nuk ka divergjenca, nuk ka ndarje tek partitë politike shqiptare, nuk do të ketë as në të ardhmen – përjashtuar këtu interesat politike, interesat ditore, që është e natyrshme që të ketë mendime të kundërta tek partitë politike, qoftë në Maqedoni, qoftë në Kosovë.

Për mendimin tim, për këtë rast për të cilin po flasim, me korrektësi janë sjellë si partitë politike shqiptare, ashtu edhe partitë politike maqedonase, pavarësisht që opozita maqedonase u përpoq në një mënyrë që të krijojë ndonjë poen për leverdi të tyre tek elektorati maqedonas, por edhe ata nuk kanë qenë aq ekstremë në drejtim të pengimit të rezolutës për mosaprovim në Parlamentin e Maqedonisë.

Kërkonin ca sqarime, p.sh. pse mungon prezenca e kryeministrit të Maqedonisë që ai ta arsyetojë rezolutën e kështu me radhë, që nuk ishin edhe aq të arsyeshme ato kërkesa të tyre, por, megjithatë, rezoluta në Parlamentin e Maqedonisë kaloi me 85 vota pro, 1 kundër dhe 15 abstenime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG