RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Nimani, si e vlerësoni ju sot këtë njohje të Kosovës që u bë nga Mali i Zi?
FUAD NIMANI
Unë mendoj se ky akt është pritur nga ana e Qeverisë së Malit të Zi, duke ditur që para ca ditëve, në nivel të Kuvendit të Malit të Zi u miratua rezoluta për çështjen e Kosovës. Andaj, Qeveria e Malit të Zi e shtroi draftin për pranimin e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.
Unë mendoj se kjo është një punë e mirë, i kontribuon të mirës së përgjithshme, i kontribuon edhe Malit të Zi, sepse gjendemi në procese integrative evropiane dhe të ndjekësh politikën e Evropës, pikërisht ka qenë e rëndomtë dhe e zakontë që çështja e Kosovës të përfundojë njëherë e mirë edhe në nivel të Qeverisë së Malit të Zi.
Në kuadër të Malit të Zi ekziston një përqindje e madhe, ajo është 32 për qind, e cila ndjek politikën pro serbe. Andaj, këtu ekziston pesha dhe rëndësia e pranimit të Kosovës në nivel të Qeverisë së Malit të Zi.
RADIO EVROPA E LIRË
Ju përmendët pak më parë një grup, siç thatë, pro serb. Pra, kjo është opozita pro serbe në Mal të Zi, e cila është shprehur kundër njohjes së Kosovës. Çka mund të bëjë ajo në këtë aspekt?
FUAD NIMANI
Unë mendoj që edhe opozita e ka kuptuar që pranimi i Kosovës është i pashmangshëm. Bile – bile, në Parlamentin e Malit të Zi, opozita i ka sugjeruar Qeverisë së Malit të Zi, që Mali i Zi ta pranojë Kosovën një ditë pas pranimit nga ana e Serbisë, çka do të thotë se në vetëdijen e opozitës veç ekziston bindja se edhe Serbia do ta pranojë Kosovën, se është një realitet në këtë hapësirë gjeo-politike.
RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka qenë ndikimi i partive politike shqiptare në Mal të Zi në këtë vendim për njohjen e Kosovës?
FUAD NIMANI
Që kur jemi dhe participojmë në nivelin e strukturave më të larta të shtetit të Malit të Zi, ne patjetër ndikojmë. Por, për çështjen e Kosovës, të gjitha deklaratat e zotit Gjukanoviq kanë qenë që ky realitet duhet të pranohet, sepse pikërisht me pranimin e Kosovës, zgjidhet problemi i Ballkanit dhe besoj se në këtë drejtim edhe strukturat politike shqiptare i kanë ndihmuar të mirës së përgjithshme.
Por, janë ata të cilët vërtet e kanë vendosur dhe e kanë vlerësuar që të merresh me procese integrative, të aplikosh, të hysh në BE, e të mos merresh me çështjen e zgjidhjes së problemit të Kosovës, është jo reale, dhe këtu Mali i Zi tregon se vërtet ndjek një politikë reale, një politikë që nuk është gënjeshtare dhe është e standardeve dhe e normave të Evropës.