Ndërlidhjet

UNDP: Kosovarët kthejnë vëmendjen kah ekonomia


Logo e UNDP-së
Logo e UNDP-së

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim ka publikuar raportin e 22-të me radhë për tremujorin e fundit. Sipas këtij raporti, brenga më e madhe e qytetarëve të Kosovës, pas zgjidhjes së statusit, është zhvillimi ekonomik.



Shqiptarët dhe serbët e Kosovës kanë këndvështrime të ndryshme mbi gjendjen aktuale dhe problemet në Kosovë në fushën politike, të sigurisë dhe atë ekonomike. Në përgjithësi vërehet një transformim i dukshëm i nevojave imediate.

Kështu thuhet në Raportin e 22-të me radhë të Paralajmërimit të Hershëm të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë për periudhën tremujore. Sipas këtij raporti, rreth 62, 9% e shqiptarëve e shohin papunësinë dhe varfërinë si kërcënimin më të madh për stabilitetin e vendit, ndërsa 47,7% e serbëve të anketuar mendojnë se ekziston një mundësi e përkeqësimit të mëtejmë ndëretnik.

Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Frode Mauring, shpjegon:

"Përderisa shqiptarët i vlerësojnë sfidat socio-ekonomike si rrezikun më të madh, serbët vazhdojnë të shohin përkeqësimin e mundshëm të marrëdhënieve ndëretnike si rrezikun më të madh që i kanoset Kosovës së passtatusit".

Të pyetur për autoritetet përgjegjëse për gjendjen aktuale ekonomike në vend, pjesa më e madhe nga gjithsejtë 1260 të anketuar, thonë se Qeveria e Kosovës është institucioni përgjegjës në këtë drejtim.

Menaxheri i Projektit të UNDP-së, Faton Bislimi, thotë se për dallim nga viti 2006, ku administrata e Kombeve të Bashkuara llogaritej si përgjegjëse për gjendjen ekonomike të vendit, tani, pas shpalljes së pavarësisë, qytetarët janë të bindur se ekzekutivi kosovar është autoriteti përgjegjës lidhur me zhvillimin ekonomik të vendit.

"Ka pasur një ndryshim të rëndësishëm të këtij trendi që nga qershori i vitit 2003. Që nga shtatori i vitit 2006, ajo që kemi parë është një ndryshim në perceptimin e qytetarëve për përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës dhe UNMIK-ut mbi gjendjen aktuale ekonomike. Tanimë shumë njerëz thonë se Qeveria e Kosovës është më përgjegjëse sesa UNMIK-u për gjendjen ekonomike të Kosovës", vlerëson Bislimi.

Raportet aktuale ndërmjet serbëve dhe kosovarëve, të cilat janë tensionuar dukshëm që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, janë po ashtu pjesë e raportit. Mirëpo, për dallim nga shqiptarët, të cilët mendojnë se në acarimin e marrëdhënieve të tyre me serbët lokalë ka ndikuar Beogradi, serbët duket se nuk janë të kënaqur me qëndrimet e udhëheqësve të Republikës së Kosovës.

Bislimi sqaron:

"Shqiptarët e vënë në rend të parë ndikimin e Beogradit mbi serbët, si arsye kryesore për shkak të së cilës marrëdhëniet ndëretnike nuk janë akoma të mira. Serbët mendojnë se qëndrimi i udhëheqësve shqiptarë është arsye kryesore për gjendjen aktuale në këtë drejtim, ndërsa minoritetet e tjera mendojnë se mungesa e gatishmërisë së serbëve për t'u integruar në shoqërinë e Kosovës është shkaku kryesor për marrëdhëniet aktuale ndëretnike".

Sistemi i gjyqësisë kosovare, i cili, kohëve të fundit, ka hasur në kritika të ashpra të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët e cilësonin atë si sistem të ndikuar politikisht, sipas raportit, akoma nuk gëzon besimin e nevojshëm të qytetarëve të vendit.

Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Mauring, thekson nevojën e ndërtimit të një sistemi efikas gjyqësor në Kosovë.

"Është shqetësuese të shihet se besimi i njerëzve në Gjykatat e Kosovës mbetet i vogël. Është e nevojshme të ndërtohet një besim ndaj sistemit dhe të krijohet një gjyqësi efikase dhe me qasje të lehtë", thotë Mauring.

Raporti i Paralajmërimit të Hershëm jep detaje edhe në sferën e kënaqshmërisë së qytetarëve me institucionet qeverisëse, ato të sigurisë, me ndërmarrjet publike, si dhe me praninë e misioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG