Ndërlidhjet

Kongresi diskuton planin ekonomik


Kongresi amerikan
Kongresi amerikan

Administrata amerikane ka propozuar një plan masiv për të parandaluar kolapsin e mëtejmë të bankave nën peshën e krizës, që ka përfshirë sektorin financiar amerikan dhe po shpërndahet në vendet tjera. Por, plani që duhet të miratohet në Kongres, është nën kritika të ashpra nga ligjvënësit opozitarë.

Nëse ekziston një fjalë që sot amerikanëve u ka mbetur në gojë është "të nxjerrësh nga balta".

Ky term vjen nga bota e anijeve dhe deti, ku "të nxjerrësh nga balta" një barkë nënkupton të përdorësh një kovë për të larguar ujin, i cili ka hyrë nga të çarat e trupit të anijes.

Por, në qarqet financiare amerikane, "të nxjerrësh nga balta" nënkupton diçka krejt tjetër. Është vërsulja e qeverisë me kova të mbushura me para për t'i derdhur në banka apo korporata, që janë në prag të bankrotimit.

Natyrisht, kjo nuk është diçka që u pëlqen qeverive ta bëjnë. Por, as tatimpaguesve - që në fund të fundit ofrojnë paratë për shpëtim. Por, është diçka që Uashingtoni e ka bërë më parë në kohëra të krizave dhe që shumë kompani po e kërkojnë tani zëshëm.

Por, në një krizë të madhe si kjo tani - sa baltë duhet nxjerrë? Dhe, saktësisht, kush duhet të marrë paratë dhe nën çfarë kushtesh?

Janë këto pyetje, të cilat ligjvënësit amerikanë po i debatojnë publikisht, me shpresë se do marrin një vendim gjatë kësaj jave.

Janë dy qasje të ndryshme, që po merren në konsideratë. Njëra është plani i Paulsonit - i emërtuar sipas sekretarit amerikan të Thesarit, Henry Paulson, i cili e sajoi planin.

Plani i Paulsonit, i mbështetur nga Shtëpia e Bardhë, është një memorandum trefaqesh që u kërkon ligjvënësve t'i japin Thesarit 700 miliardë dollarë, ndërsa ai të jetë autoriteti që menaxhon krizën.

Vetë Paulson, një ish-shef i Wall Street-it, e përshkruan planin si të "guximshëm".

"Jam i bindur se kjo qasje guximtare do t'u kushtojë familjeve amerikane shumë më pak, sesa alternativat tjera - një seri dështimesh e institucioneve financiare, treg i ngrirë i kredive, i paaftë të financojë zgjerimin e ekonomisë", ka thënë Paulson.

Me këtë plan, Thesari do të jetë i autorizuar që të blejë dhe shesë asetet e këqija nga bankat e falimentuara, të zgjedhë se cilën bankë do ta ndihmojë dhe në çfarë niveli dhe t'i raportojë Kongresit mbi progresin, vetëm disa herë në vit.

Dhe, të gjitha vendimet e Thesarit do të jenë imune ndaj çfarëdo sfidimi në gjyq në të ardhmen.

Çka nënkupton kjo në terma më të thjeshtë? Nënkupton kthimin e parave bankave që kanë humbur gjatë krizave, në shumën e mjaftueshme, që banka të mos falimentojë.

Bankat kanë humbur para në forma të ndryshme. Ato u kanë huazuar miliarda dollarë blerësve të shtëpive, të cilët më vonë nuk paguan kreditë. Ato vetë huazuan shuma të mëdha parash nga institucionet tjera financiare, e të cilat tani nuk mund t'i shlyejnë.

I ofruan publikut mundësi të panumërta për të investuar në fonde dhe produkte tjera, që direkt ose indirekt lidheshin me tregun në lulëzim të shtëpive - treg ky që tani kolapsoi.

Kritikët - demokratët, por edhe disa republikanë konservatorë - e shohin planin si shpërblim për bankat dhe përpjekjet e tyre të dështuara, që të përfitojnë nga tregu i shtëpive. Ata kundërshtojnë fuqishëm Thesarin se po synon pushtet jashtëzakonisht të madh, pa mbikëqyrjen e afërt të Kongresit.

Nicolas Dunbar është autor i librit "Të shpikësh para: Rrëfimi për menaxhimin afatgjatë të kapitalit dhe mitet pas tij". Ai rendit disa probleme thelbësore të planit.

"Nuk mendoj se plani i Paulsonit do të mbijetojë javën i pandryshuar. Ka njerëz në Kongres, të cilët që tani kërkojnë mbikëqyrje më të madhe. Mendoj se do të jetë e pamundur për administratën e Bushit, që ta kalojë këtë plan në Kongres pa ndryshimet e shtuara nga demokratët”.

“Po ashtu do të ngritët çështja se sa para mund të nxjerrin tatimpaguesit nga ky plan. Do të ngritët çështja e ndëshkimit për ndërmarrjen e rrezikut të tepërt - kompensimi i tepërt i Wall Street-it. Mendoj se njerëzit në Shtetet e Bashkuara do të ngritën në idenë Wall Street versus Main Street", tha Dunbar.

Në gjuhën popullore, Main Street është ajo ku njerëzit e rëndomtë dhe pronarët e bizneseve jetojnë. Wall Street - aty ku jetojnë financuesit e pasur.

Tashmë planit të Paulsonit i janë paraqitur disa alternativa. Sidoqoftë, votimi në Kongres pritet të ndodhë të enjten, ndërsa në Senat të premten.

Në të njëjtën kohë po nxitohet të kryhet debati në Kongres, për shkak të ngjarjes më të madhe në Amerikë - fushatës presidenciale. Anëtarët e Kongresit nxitojnë ta lënë Uashingtonin në fund të javës për të filluar fushatën për kandidatët e tyre respektivë.

Dhe natyrisht, kjo për të dyja palët është shumë e rëndësishme, sepse është presidenti i ardhshëm i SHBA-së, shumë më tepër sesa ky i tashmi, ai që do të mbikëqyrë rikuperimin ekonomik. Asnjëra palë nuk dëshiron që këtë t'ia lë rivalit të vet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG