Ndërlidhjet

Presioni i brendshëm kundër korrupsionit


Transparency International, organizata kryesore që merret me mbikëqyrjen e korrupsionit dhe luftës kundër tij në nivel global, ka publikuar raportin vjetor. Treguesi i korrupsionit i nxjerrë nga kjo organizatë është gjithmonë interesant dhe ngjall jo pak diskutime.

Transparency International, në raportin e fundit vjetor, trajton dhe motivet që i shtyjnë disa qeveri për ta luftuar korrupsionin dhe disa të tjera për ta toleruar një problem të tillë. Një nga motivet kryesore që i ka bërë qeveritë e vendeve të Evropës Lindore ta luftojnë korrupsionin, ka qenë anëtarësimi në BE.

Por, rasti i Bullgarisë dhe Rumanisë këtë vit tregon se kjo nuk është e mjaftueshme. Ndërkaq, sipas Transparency International, edhe vendet si Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, që synojnë anëtarësimin në BE, "nuk kanë shënuar ndonjë përparim të ndjeshëm në përpjekjet anti-korrupsion".

"Anëtarësimi në BE ka qenë një faktor shumë i rëndësishëm dhe shumë i fuqishëm për ndryshime në vendet që duan t'i bashkohen BE-së, këtij blloku kaq domethënës nga pikëpamja politike dhe ekonomike. Por, kemi parë se vendet që marrin hapa në luftën kundër korrupsionit në fazën e anëtarësimit, duhet të mbështeten që të vazhdojnë në atë rrugë dhe pas anëtarësimit. Ajo çfarë kemi vënë re, është se në të gjitha vendet e BE-së ka nevojë të madhe për standarde më të larta dhe për zbatim të standardeve kundër korrupsionit. Kjo vlen edhe për vendet e vjetra anëtare të BE-së", thotë për REL, Robin Hodees, drejtore e politikave në Transparency International.

Për ta luftuar me efikasitet korrupsionin, Hodees shton se ka nevojë për presion të brendshëm.

"Dy gjëra luajnë rol; një është "zëri i qytetarëve", populli që kërkon ndryshime, por kjo duhet shoqëruar me vullnet politik, që do të thotë se qytetarët përmes votës dhe debatit të shoqërisë civile, e bëjnë të qartë se korrupsioni dëmton njerëzit dhe jetët e tyre. Nga ana tjetër, qeveria, me apo pa presion nga jashtë, duhet të angazhohet për ndryshime të tilla, të punojë për një sistem që lufton korrupsionin", sqaron Hodees nga Transparency International.

Sipas saj, një sistem i fuqishëm drejtësie është një element kyç në luftën kundër korrupsionit. Ky sistem drejtësie duhet ta dëshmojë veten se funksionon në vazhdimësi dhe në të gjitha rastet.

"Ndodh që një vend të bëjë hapa shumë të rëndësishëm përpara, pas një procesi të fuqishëm gjyqësor, siç mund të jetë një rast korrupsioni në shkallë të gjerë që del suksesshëm. Kjo bën që të rritet besimi tek sistemi dhe gjërat të ecin në drejtimin e duhur. Por, duhet pasur parasysh që kjo funksionon vetëm në afat të shkurtër. Duhet që sistemi të punojë si duhet në tërësi, në mënyrë që shqetësimet e qytetarëve të mund të zgjidhen ashtu siç mund të zgjidhen rastet e bujshme", pohon Hodees, nga Transparency International.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG