Në rend dite të Kuvendit urgjentisht duhet të vendoset rezoluta e propozuar për njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës nga ana e Shkupit, e propozuar nga Partia Demokratike Shqiptare.
Kështu deklaroi sekretari i përgjithshëm i PDSH-së, Imer Aliu, duke shtuar se çdo vonesë në këtë drejtim, do të dëmtojë stabilitetin e Maqedonisë dhe rajonit.
"Të gjithë jemi dëshmitarë se Maqedonia vonohet dhe veç është vonuar tej mase në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë do të ndikonte në masë të madhe në stabilitetin e rajonit, si dhe do të respektonte kërkesat e një pjesë të madhe të popullatës së Maqedonisë, që janë të interesuar që sa më shpejt të bëhet njohja e pavarësisë së Kosovës. Çdo arsyetim dhe vonesë e mëtutjeshme do të shkonte në dëm të stabilitetit të Maqedonisë dhe të stabilitetit të rajonit”, tha Aliu.
Ndërkaq, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, duke komentuar edhe zërat për njohjen e shpejtë të Kosovës nga autoritetet e Shkupit, nuk dha ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.
"Maqedonia është në vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian dhe mendoj që kjo ngjarje edhe mund të ndodhë, sepse është në favor të të dyja shteteve, si Kosovës, ashtu edhe Maqedonisë, është vullnet i shumicës, pjesës dërrmuese të shqiptarëve që ky akt edhe të ndodhë. Tani unë nuk dua të përkufizohem në ditë, as në orë, e as në javë, por është një proces i natyrshëm që duhet të ndodhë", deklaroi Ahmeti.
Qeveria e Maqedonisë ka bërë të ditur se vendimi për njohjen e Kosovës do të merret duke marrë për bazë interesat shtetërore dhe kombëtare të vendit.