Ndërlidhjet

Reformat në siguri – fillimisht në polici


SHPK
SHPK

Ekspertët për siguri në Kosovë vlerësojnë se reformimi i sektorit të sigurisë duhet të fillojë në polici, për të vazhduar me krijimin e institucioneve relevante të sigurisë. Sipas tyre, mekanizmat e reformuar të sigurisë duhet të shtrihen edhe në veri të vendit.

Ekspertët e sigurisë në Kosovë vlerësojnë se reformimi i sektorit të sigurisë së vendit duhet të ketë si pikë fillestare çështjet policore, për të vazhduar më pastaj me krijimin e mekanizmave të tjerë të sigurisë të parashikuara edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Eksperti Ramadan Qehaja thotë se reformimi i Policisë së Kosovës duhet të bëhet duke u bazuar në ligjin për policinë.

"Reformimi i sektorit të sigurisë në Kosovë përfshin disa aspekte; së pari reformimin e policisë së Kosovës, ku duhet të përmendet edhe formimi i policisë lokale dhe këshillave nëpër komuna", thotë Qehaja.

Qehaja e vlerëson si tejet të nevojshme themelimin sa më të shpejtë të Forcës së Sigurisë, Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Agjencisë së Inteligjencës, si dhe Autoritetit të kontrollit të hapësirës ajrore, me të cilat, sipas tij, do të kompletohej struktura institucionale në fushën e sigurisë.

"Këtu mendoj në formimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, mandej formimi i Forcës së Kosovës, Agjencisë së Inteligjencës, si dhe formimi i Autoritetit të kontrollit të hapësirës ajrore", shton ai.

Mirëpo, ish-ministri i Brendshëm i Kosovës, Blerim Kuçi, shpjegon se për të funksionalizuar FSK-në dhe autoritetet e tjera të sigurisë, nevojitet një periudhë e caktuar kohore, gjatë së cilës, siç thotë ai, Kosova duhet të përqendrohet në reformimin e policisë.

"Edhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, edhe Shërbimit Inteligjent, i duhet një kohë kalimtare më se e nevojshme për ngritjen e kapaciteteve të veta dhe strukturimin si institucion. Deri në atë fazë duhet t'i kushtohet rëndësi policisë për të mbuluar disa vakuume që ekzistojnë në Kosovë", vlerëson Kuçi.

Lidhur me hapësirën territoriale, e cila duhet të përfshihet në reformat në fushën e sigurisë, ekziston një pajtim në mesin e ekspertëve, sipas të cilit edhe veriu i Kosovës, i cili aktualisht nuk është nën autoritetin e mekanizimeve vendorë e ndërkombëtarë, duhet të jetë pjesë e reformave.

Analisti Driton Lajçi sqaron:

"Nëse fillohet që gjatë reformimit të përfshihen edhe kërkesat e serbëve, të cilat sfidojnë institucionet e Kosovës dhe veprimin e tyre, atëherë vetëm sa thellohet kriza dhe nuk zgjidhet kriza e veriut të Kosovës, duke favorizuar serbët dhe duke dëgjuar Beogradin zyrtar".

Reformat në sektorin e sigurisë, me theks të veçantë te themelimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë paralajmëruar të jenë ndër prioritetet e autoriteteve vendore e ndërkombëtare në Kosovë në javët dhe muajt që vijnë.
XS
SM
MD
LG