Ndërlidhjet

UNMIK-u të pajtohet me realitetin e ri


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Analistët në Prishtinë pohojnë se administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk ka më fuqi e as instrumente juridike për të imponuar mandatin e vet bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Sipas tyre, pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, UNMIK-ut i është zbehur dukshëm roli veprues dhe ndikues në vend.

Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë i ka përfunduar mandati bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit në momentin kur Kosova ka shpallur shtetësinë e saj.

Kështu thonë analistët në Kosovë, të cilët vlerësojnë se UNMIK-u nuk e ka më fuqinë juridike të cilën e gëzonte para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, më 15 qershor të këtij viti. Duke folur për mandatin aktual të UNMIK-ut, analisti Muhamet Kelmendi shprehet:

"Unë mendoj se UNMIK-ut i ka përfunduar mandati në tërësi. Rezoluta 1244 ka pushuar së ekzistuarai juridikisht dhe politikisht dhe të gjitha përpjekjet e Serbisë për të bërë ndonjë të drejtë në veri, janë të pabazuara tërësisht dhe në asnjë dokument ndërkombëtar".

Ndërkohë, sipas analistit Ismail Hasani, udhëheqësit e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë duhet të pajtohen me realitetin e ri të krijuar në vend pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushetutës.

"Mendoj se do të ishte shumë më e ndershme që Zannier dhe të tjerët të pajtohen me ndyshimet dhe realitetin e ri që është krijuar në Kosovën e pavarur dhe natyrisht edhe gjatë barjes së kompetencave që janë në suaza të proceseve që janë rrjedhë logjike në jetën institucionale në Kosovë", thotë Hasani.

Ai nënvizon se bartja e kompetencave nga UNMIK-u te institucinet vendore dhe atyre të Bashkimit Evropian, është rrjedhë normale e procesit të rikonfigurimit dhe zvogëlimit të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Sipas Hasanit, institucionet e Kosovës kanë bërë përpjekje të sillen në mënyrë shtetërore konform të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe duke mos lënë hapësira për ndërhyrjet e mëtutjeshme të zgjidhjeve politike të UNMIK-ut.

"Institucionet e Kosovës po përpiqen të sillen në mënyrë shtetërore, sepse Kosova është shpallur shtet i pavarur, misioni i OKB-së në Kosovë ende funksionon në bazë të Rezolutës 1244, por, në të njejtën kohë, jeta institucionale në Ksoovë ka ndryshuar edhe me faktin e parapërgatitjeve dhe instalimit të EULEX-it, që është një realitet i ri, me të cilin edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara duhet të pajtohet", tha Hasani.

Analisti Kelmendi hedh poshtë mundësinë që pas rikonfigurimit të misionit të OKB-së në vend, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropain të marrë rol më të fuqishëm politik në Kosovë, ngase, sipas tij, ky mekanizëm do të ketë vetëm një rol vëzhgues.

"Ne jemi shtet sovran, shtet i pavarur me një sovranitet të kufizuar. OSBE-ja këtu do të ketë një karakter këshillues dhe vëzhgues, ndërsa Qeveria e Kosovës duhet t'i marrë kompetencat dhe natyrisht t'i ushtrojë ato", theksoi Kelmendi.

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, edhe vetë ka pranuar se UNMIK-u nuk ka më instrumente të mjaftueshme poltike për të imponuar mandatin e vet në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG