RADIO EVROPA E LIRË
Kanë kaluar gjashtë muaj prejse Kosova ka shpallur pavarësinë, ndërkohë që shtetin e pavarur të Kosovës deri më tani e kanë njohur 46 vende. Si e cilësoni procesin e njohjes në tërësi?
FLORA BROVINA
Gjashtë muaj në politikë nuk janë shumë dhe njohjen nga 46 vende nuk mund ta nënçmojmë, sepse është një numër relativisht i mirë.
Por, duhet pranuar se kemi mundur të bëjmë më shumë në asistimin në botë, domëthënë të kontaktojmë me shtetet që na kanë pranuar, që të promovojmë Kosovën dhe të flasim për të drejtën e qytetarëve të saj dhe pavarësinë.
Këtë nuk e kemi bërë sa duhet, ndoshta në mungesë të Ministrisë së Jashtme ose të një projekti të mirëfilltë, që ta kuptojmë edhe rolin tonë në pranimin e shtetit të pavarur të Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Kosova, e në veçanti institucionet e saj, është dashur të bëjnë më shumë në aspektin e lobimit, flas për vizita më të shpeshta në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe të tjera?
FLORA BROVINA
Kujtoj që secili e ka pasur rolin e vet, mirëpo është dashur që dikush të promovojë këtë rol, të shfrytëzojnë kapacitetet, të shfrytëzojnë emrat tani të pranuar në botë dhe kontaktet që ata njerëz kanë, që të promovojnë pavarësinë e Kosovës.
Sidomos, në botën arabe, në Amerikën e Jugut, në vendet aziatike, kemi mundur të bëjmë diçka më shumë.
RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni diplomacinë serbe, sidomos iniciativën serbe, për të vënë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë çështjen e pavarësisë së Kosovës?
FLORA BROVINA
Diplomacia serbe ka traditë të gjatë dhe është treguar e efektshme në momente të caktuara, por në këtë moment ajo nuk është në anën e së drejtës, andaj përpjekjet e saj nuk do të kenë sukses.
RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mund të ndikojë në ndalimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës?
FLORA BROVINA
Unë bësoj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë se ajo do t'i analizojë dokumentet, do të merret me të drejtën ndërkombëtare, se pak është folur se e drejta ndërkombëtare është në anën e Kosovës; vërtet gjithnjë kemi dëgjuar të drejtën ndërkombëtare në anën e Serbisë.
Por, ne kemi shumë argumente historike dhe dokumente të kërkesës për pavarësi në çdo periudhë, edhe të bërjes së shtetit, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, dhe kjo mjafton.
Ndoshta ne do të fitojmë në këtë gjyq edhe me ndarjen ekonomike nga shteti i Serbisë. Unë besoj në këtë.
RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur zëra se konflikti i fundit në Gjeorgji, që ka të bëjë me Osetinë Jugore dhe Abkhazinë, ka ndërlidhshmëri me çështjen e Kosovës. Çka mendoni ju për këtë?
FLORA BROVINA
Konflikti i fundit është një skenar rus, me qëllim që ta krahasojë situatën e Kosovës me situatën në Gjeorgji, por nuk është i njëjtë, për shkak se ka shumë argumente që janë thënë edhe publikisht; Kosova ka qenë një krahinë autonome dhe e pavarur, kjo nuk ka ndodhur me Osetinë.
Ndërsa, rasti i Osetisë, mua më ngjan më shumë në Mitrovicën dhe ndarjen e saj me urën e Ibrit.
RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ky do të mund të ishte një krahasim real?
FLORA BROVINA
Mitrovica dhe enklavat janë plan serb, i cili vështirëson funksionimin e shtetit të Kosovës.
Mendoj se në këtë plan, bashkësia ndërkombëtare i ka gabimet e saj, sikur që i ka edhe politika jonë, që nuk insiston që sa më parë të bëhet ky integrim, qoftë edhe në mënyra që duhet të jenë më reale, më të shpejta, sepse koha nuk shkon në favor tonin.
RADIO EVROPA E LIRË
T'i kthehemi një çështjeje tjetër - kohë më parë, janë emëruar 10 ambasadorët e parë të Republikës së Kosovës në botë. Në 10 emrat e parë të personaliteteve që do ta përfaqësojnë Kosovën në botë, nuk figuron asnjë emër femre. Si e vlerësoni ju këtë?
FLORA BROVINA
Edhe po mos ta vlerësoja ashtu si duhet ta vlerësoj, këto ditë unë kam marrë shumë reagime, letra, mesazhe nga gratë që revoltohen për këtë pasqyrë që Kosova ia jep botës përmes emërimit të 10 ambasadorëve dhe zëvendësve, që të gjithë janë burra.
Po përsëritet situata kur në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës u zgjodhën të gjithë burra. Po përsëritet situata kur u zgjodhën vetëm dy ministre nga të gjithë ata ministra; vetëm njëra është aktiviste politike nga ato.
Kjo do të thotë se promovohet një politikë që nuk e inspiron gruan të jetë aktiviste dhe të jetë në rrjedhat politike. Kjo nuk shkon në të mirë të pasqyrës së Kosovës.
Nuk është e vërtetë që Kosova nuk ka mundur të gjejë emra, po aq të nderuar, po aq patriotikë, po aq të aftë që ta prezantojnë Kosovën. Përkundrazi, unë mendoj se ka gra të afta që mund ta përfaqësojnë në mënyrë shumë të denjë, se disa emra që ndoshta opinioni më pak i njeh dhe unë nuk hy në vlerësimet e tyre.
Më e brengosur jam se kjo dukuri e shkeljes së të drejtave të gruas po promovohet tani edhe jashtë.