Ndërlidhjet

Ferati: Po rritet numri i serbëve që mbështesin decentralizimin


Sadri Ferati
Sadri Ferati

"Nga disa sondazhe që i kemi, 70 për qind e serbëve janë deklaruar se e pëlqejnë decentralizimin dhe dëshirojnë që të ndodhë", thotë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Sadri Ferati.

RADIO EVROPA E LIRË
Decentralizimi i komunave të Kosovës është paraparë me pakon e Ahtisaarit. Kur do të fillojë ky proces në Kosovë?

SADRI FERATI
Faktikisht, decentralizimi ka filluar në Kosovë me aprovimin e të gjitha dokumenteve, fillimisht nga Parlamenti i Kosovës, pastaj aprovimi i vetë ligjeve që definojnë fushën e kompetencave dhe decentralizimin territorial.

Mandej, edhe vetë themelimi i grupit ndërministror për decentralzimin që udhëhiqet nga ana ime dhe zoti Pieter Feith, përfaqësuesi i misionit civil ndërkombëtar këtu.

E gjithë puna zhvillohet po ashtu nëpërmes pesë nëngrupeve që po punojnë fuqishëm. Jemi në fazën e zhvillimit të një informimi dhe afirmimi të vetë decentralizimit përmes një fushate që jemi duke e organizuar.

Së shpejti presim rezultatet e para konkrete në terren, përveç kontakteve direkte që do t'i kemi dhe do të vizitojmë disa prej lokaliteteve.

Tani, në shtator, aty ku do të kemi bashkëpunim, do të fillojmë me emërimin e ekipeve përgatitore, pra ekipeve që do të përgatisin të njëjtin lokalitet në formimin komunës së re deri në zgjedhjet e ardhshme, ku do të mund të implementojë strukturat e plota demokratike.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mendoni ta zhvilloni këtë proces në komunat e banuara me shumicë serbe, duke pasur parasysh se serbët kanë kundërshtuar decentralizimin, e po ashtu edhe Beogradi?

SADRI FERATI
Dihet se decentralizimi, përveç fuqizimit të pushtetit lokal në tërësi në gjithë Kosovën, një motiv të fuqishëm përbrenda ka pasur edhe adresimin e disa shqetësimeve të komunitetit serb.

Pikërisht rritja e numrit të komunave, por edhe dhënia e disa kompetencave të veçanta në kuadër të decentralizimit, ka qenë që serbëve t'u bëhet më e lehtë edhe marrja e të drejtave që u garantohet me Kushtetutë dhe e implemnetuar me ligjet e Republikës së Kosovës; po ashtu, edhe eliminimi i çfarëdo dileme apo shqetësimi se mund të majorizohen apo cenzurohen nga niveli qendror.

Ky projekt që është shumë i fuqishëm dhe shumë i mirë, pikërisht është ofertë që u dedikohet atyre. Meqenëse është i dedikuar për ata, pra për pjesëtarë të komunitetit serb në veçanti, edhe pse për të gjithë qytetarët e Kosovës, mendoj se automatikisht paraqet një interes dhe nuk duhet dyshuar se ata nuk do ta pranojnë.

Ne kemi kontakte, numri i serbëve që e pranojnë dhe dëshirojnë që të bashkëpunojnë për këtë çështje është çdo ditë e më i madh. Nuk është ai numër që ne do ta dëshironim, por shihet se ai nuk kritikohet.

Pra, decentralizimi shihet edhe nga ana e serbëve si një mundësi e mirë. Nga disa sondazhe që i kemi, 70 për qind e serbëve janë deklaruar se e pëlqejnë decentralizimin dhe dëshirojnë që të ndodhë. Por, akoma një numër i madh i serbëve udhëhiqet me opsionet e vjetra dhe joreale, dhe Republika e Kosovës është ajo që u pengon.

Por, Republika e Kosovës është fakt dhe çdo ditë e më tepër edhe serbët, edhe Beogradi, do ta shohin se nuk mund ta pengojnë Republikën e Kosovës me obstruksionet që i bëjnë në përgjithësi, me gjithë tensionimet që krijojnë për të mos lejuar që shoqëria kosovare të jetë funksionale në gjithë territorin e saj.

Vetë decentralizimi është një rast i mirë për serbët dhe do ta implementojmë me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë.

Nuk do të zgjedhim se nga vijnë ata, nga cila parti, nuk do të zgjedhim se të cilës moshë janë, se cilit besim partiak janë. Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët besojnë në idenë tonë dhe në projektin tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të bisedoni edhe me përfaqësuesit serbë të dalë nga zgjedhjet e 11 majit?

SADRI FERATI
Ne nuk njohim zgjedhje të 11 majit, nuk njohim zgjedhje që nuk janë kompetente në bashkëpunim me institucionet e Republikës së Kosovës dhe konform ligjeve të Republikës së Kosovës.

Por, secili qytetar i Republikës së Kosovës në cilësinë e qytetarit dhe të liderit politik do të ketë të drejtë të jetë pjesë e këtij procesi.

RADIO EVROPA E LIRË
Mitrovica ka një plan special për decentralizim. A rrezikon ky plan ndarjen e Mitrovicës në dy pjesë?

SADRI FERATI
Është e paraparë që në kuadër të qytetit të Mitrovicës të formohen dy komuna.

Decentralizimi ka pasur për qëllim që të krijojë një interes për dy pjesët e qytetit, për dy komunitetet më të fuqishme të qytetit, shqiptarët dhe serbët, që duke qenë të fuqishëm, duke udhëhequr me kompetencat e veta në dy komunat, ata do të futen në sistem, do të eliminojnë opsionet përjashtuese, opsionet që kanë futur tensione dhe rezerva në bashkëpunumin në fqinjësinë e mirë dhe pikërisht ky është një rast i mirë që të mos arsyetohet askush më, asnjëra pjesë.

Pas formimit të administratës, detyra e ardhshme shumë e rëndësishme do të jetë zhvillimi ekonomik. Zhvillim ekonomik dhe perspektivë të mirëfilltë në një qytet të ndarë nuk ka. Të shikojmë në qytetet e ndara në të gjithë rruzullin tokësor se sa i vështirë është zhvillimi ekonomik.

Pra, perspektiva e të gjithë qytetarëve të Mitrovicës është në një qytet të integruar me dy administrata, ku të dyja komunitetet do të jenë të fuqishme dhe dalëngadalë do të integrohen edhe vlerat, por dalëngadalë do të integrohet edhe vetë qyteti dhe do të krijohet një perspektivë për të gjithë qytetarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa komuna do të ketë Kosova në përfundim të këtij procesi dhe sa prej tyre do të jenë të banuara me shumicë serbe?

SADRI FERATI
Tani për tani Kosova ka 30 komuna. Me ligjin e ri për kufijtë administrativë parashihet që të ketë 38 komuna.

Prej tyre, përveç asaj që tani për tani kemi 5 komuna me shumicë serbe, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Shtërpcë dhe Novobërdë, do të bëhet zgjerimi i Novobërdës dhe do të formohen edhe 5 komuna të reja. Pra, gjithsejtë do të jenë 10 komuna me shumicë serbe nga gjithsejtë 38 sa do të jenë, dhe një komunë me shumicë turke.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të përfundojë procesi i decentralizimit para apo pas mbajtjes së zgjedhjeve të ardhdhme lokale?

SADRI FERATI
Decentralizimi është një proces dhe shumëçka duhet të definohet para zgjedhjeve.

Por, instalimi i strukturave të plota komunale konform ligjit të ri pra për kufujtë administrativë dhe reformës së pushtetit lokal, ku decentralizimi është një pjesë e kësaj reforme, pra ndryshime të formës që i bëhet pushtetit lokal, duhet të ndodhë me zgjedhjet dhe pastaj vazhdon me ngritjen e kapaciteteve, marrjen e kompetencave dhe zhvillimin e mëtejmë.

Pastaj, do të ketë një proces të një rishikimi për të parë se si ka shkuar vetë decentralizimi dhe si po shkon vetë pushteti lokal.

Përveç kësaj, procesi i decentralizimit nuk konsiderohet i mbyllur përherë. Ne mund të fillojmë dhe të shikojmë se a mund të formohet edhe ndonjë komunë tjetër, po qe se i plotëson kriteret që janë të vendosura, edhe atë demografik, edhe atë gjeografik e etnik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG