Ndërlidhjet

Marnhac: Në veri ekziston një rrjet paralel i sigurisë


Xavier Bout de Marnhac
Xavier Bout de Marnhac

“Ekziston një rrjet, i cili ka qenë në veri prej muajsh dhe vitesh, por për momentin ne kemi arritur të merremi me të”, thotë komandanti i KFOR-it, gjenerali Xavier Bout de Marnhac, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.



RADIO EVROPA E LIRË
Si do ta vlerësonit situatën e sigurisë në Kosovë, që prej shpalljes së pavarësisë së saj?

XAVIER BOUT DE MARNHAC
Në raport me sigurinë, mbase janë disa qasje për adresimin e kësaj çështjeje. Së pari, bashkëpunimi midis akterëve kryesorë në Kosovë, pra midis policisë vendore, asaj ndërkombëtare dhe KFOR-it, është shumë i mirë. Dhe, jam i mendimit se në këtë mënyrë mund të shpjegohet edhe suksesi që kemi pasur në këtë periudhë.

Në anën tjetër, një prej arsyeve tjera që ka mundësuar këtë sukses është se, sipas përshtypjeve që kam, shumica e njerëzve këtu, kanë dëshirë vetëm të kenë një jetë normale, sa më normale që të jetë e mundshme, që nënkupton mirëqenien për fëmijët e tyre, kujdesin për shtëpitë e tyre dhe përpjekjet për përmirësimin e kushteve në të cilat jetojnë.

Prandaj, kombinimi i aftësisë sonë, i elementeve të sigurisë për të bashkëpunuar dhe i gatishmërisë së njerëzve për rrugën paqësore, qartazi e shpjegon se si kemi arritur ta ruajmë qetësinë e situatës në këtë periudhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sfidë, padyshim, mbetet veriu, për autoritetet civile dhe ato ushtarake. Cilat janë vështirësitë kryesore me të cilat ushtarët tuaj përballen në këtë drejtim?

XAVIER BOUT DE MARNHAC
Për të qenë i sinqertë, nga pikëpamja ushtarake, ne nuk përballemi me shumë vështirësi në veri. Vlerësimi im është që situata atje është mjaft e qetë dhe stabile tash për tash. Në këtë situatë, rolin e vet e kanë shumë faktorë dhe në mesin e tyre padyshim pra është prania ndërkombëtare.

Në anën tjetër, njëkohësisht duhet të kemi parasysh edhe pozitën e komunitetit serb. Megjithatë, aktualisht, sipas vlerësimit tim, çdo gjë është e qetë dhe KFOR-i mbetet i gatshëm të përballet me cilëndo situatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej çështjeve që ngritët kur përmendet veriu, është sforcimi i strukturave paralele të Serbisë. A keni hasur ju në sforcim te strukturat paralele të sigurisë në veri, për të cilat është folur tashmë?

XAVIER BOUT DE MARNHAC
Nuk dua të ndërhyj aq shumë në këtë proces, sepse është më shumë një çështje politike sesa që është çështje ushtarake. E di që ka struktura paralele administrative në veri dhe në komunat tjera në Kosovë, por nuk ka dëshmi se ka ndonjë sforcim në rrafshin e strukturave të sigurisë.

Ekziston një rrjet, i cili ka qenë në veri prej muajsh dhe vitesh, por për momentin ne kemi arritur të merremi me të. Dhe, sërish, siç e thashë edhe më herët, kam bindjen se KFOR-i është në gjendje të përballet me atë situatë. Por, ne nuk jemi faktorë kryesorë në këtë fushë, është më tepër një çështje politike dhe do t’ua lë atyre që janë të ngarkuar me të.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, a mendoni se ky rrjet të cilin e përmendët mund të rrezikojë stabilitetin?

XAVIER BOUT DE MARNHAC
Është e vështirë të jepet një vlerësim i këtillë. Në baza ditore dhe duke marrë parasysh operacionet e KFOR-it në veri, nuk shoh ndonjë kërcënim, të paktën jo tash për tash. Por, ajo që mund të ndodhë në të ardhmen, i takon së ardhmes.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa e vështirë është për KFOR-in të koordinojë operacionet e veta me Kombet e Bashkuara në njërën anë dhe Bashkimin Evropian në anën tjetër, duke pasur parasysh se që të dyja ende nuk i kanë definuar përgjegjësitë?

XAVIER BOUT DE MARNHAC
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, fillimisht më duhet të them që koordinimi me faktorët e sigurisë është shumë i mirë, qoftë me policinë lokale apo atë ndërkombëtare. EULEX-i, apo thënë më mirë Bashkimi Evropian, ende nuk ka zbarkuar siç duhet. Ky mision ende nuk ka përgjegjësi reale operacionale.

Nisur nga kjo, për ne, kjo çështje ende nuk është sfidë. Mbase do të jetë e tillë në të ardhmen, por në muajt e ardhshëm, ne e dimë situatën dhe e dimë cilët janë partnerët tanë. Prandaj, tash për tash, nuk është ndonjë telash i madh.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova po përgatitet tani për themelimin e Forcës së Sigurisë, e cila do të stërvitet nga NATO-ja. Çfarë do të jetë kjo Forcë – ushtri, forcë xhandarmërie, ndonjë agjenci për emergjenca civile…?

XAVIER BOUT DE MARNHAC
Mendoj se asnjëra nga këto që ju i përmendët. Përkufizimi më i mirë do të ishte nëse thuhet se do të jetë një organizatë, e cila do të përballet me situata civile të krizës – për shembull me tërmete, rrëzime aeroplanësh, shpërthime zjarri, vërshime dhe katastrofa të ndryshme natyrore.

Sipas pikëpamjes sime, kjo është mënyra më e mirë e qasjes. Megjithatë, nuk do të jetë, siç e quajtët ju, agjenci për emergjenca civile, sepse diçka e këtillë është më shumë një strukturë administrative. Forca e re, ndërkaq, do të jetë një organizatë e bazuar më shumë mbi operacionet në terren.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju do të largoheni nga Kosova në fund të muajit. Çfarë përshtypjesh po merrni me vete?

XAVIER BOUT DE MARNHAC
Është shumë e ndërlikuar për ta thënë. Përshtypja ime e parë mbase do të jetë fakti se kemi përjetuar një vit të ngarkuar dhe të tensionuar për shkak të agjendës dhe mënyrës se si janë zhvilluar ngjarjet gjatë këtij viti. Por, përshtypjet e mia më të mira kanë të bëjnë me mirënjohjen që ndjej për mbështetjen e madhe që kemi nga populli i Kosovës në synimet për përmbushjen e misionit tonë.

E kam thënë tashmë në shumë raste se është e vërtetë që KFOR-i ka bërë punë të mirë, edhe pse mua nuk më takon ta them, por kemi qenë aq të suksesshëm, sepse kemi pasur mbështetjen e popullit, të udhëheqësve lokalë dhe atyre qendrorë. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG