Ndërlidhjet

Ivanoviq: Strukturat paralele s'kanë alternativë


Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq

"Këto struktura janë të vetmet që konsiderohen si të ligjshme nga komuniteti serb në Kosovë. Përderisa s'ka alternativë, ato do qëndrojnë", thotë politikani serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.


RADIO EVROPA E LIRË
Kombet e Bashkuara pritet që sot të fillojnë rikonfigurimin e misionit të vet në Kosovë, duke ia transferuar kompetencat misionit të Bashkimit Europian. Si mendoni se do të funksionojë ky proces me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit?

OLIVER IVANOVIQ
Fillimisht, kjo nënkupton transferin e kompetencave; këtu thjesht bëhet fjalë për asete dhe ndoshta pajisje të tjera.

E dyta është se kjo marrëveshje është një memorandum mirëkuptimi ndërmjet UNMIK-ut dhe Ekipit planifikues të Bashkimit Europian, që nuk është EULEX-i.

E treta është se veriu është një çështje shumë e veçantë; veriu është i banuar kryesisht me serbë kosovarë, të cilët nuk e njohin misionin e Bashkimit Europian, por e konsiderojnë atë si mision jolegal, përderisa Këshilli i Sigurimit nuk merr ndonjë vendim të qartë, i cili e përcakton misionin e BE-së si pjesë të misionit të OKB-së, të përgjegjshëm për drejtësi dhe polici.

Kjo mund të jetë procedura, e cila do të mund t'i shtynte serbët e Kosovës të pranojnë misionin e BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
UNMIK-u më herët ka deklaruar se do të reduktojë misionin e vet për 70 për qind, duke përfshirë Zyrën rajonale të këtij misioni në Mitrovicë. A mendoni se veriu nuk mund të përfshihet në këtë proces?

OLIVER IVANOVIQ
Nuk mendoj se UNMIK-u mund të reduktohet vetvetiu. Ky do të duhej të ishte një vendim i sinkronizuar me Këshillin e Sigurimit.

Për momentin nuk e kam ndjenjën se Këshilli i Sigurimit është këshilluar mirë për këtë. Ky mund të jetë një vendim i njëanshëm i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, por kjo nuk është mënyra e duhur.

Nëse UNMIK-u vendos të reduktohet edhe në veri, athëherë do të krijohet një hapësirë bosh, e cila nuk do të mbushet me misionin e Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Së shpejti pritet të vazhdojnë bisedimet Pishtinë-Beograd mbi çështjet e emëruara nga sekretari gjeneral, Ban Ki-moon, e të cilat do të zhvillohen me ndërmjetësimin e UNMIK-ut. A mendoni se do të mund të ketë çfarëdo lloj kompromisi ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në çështjet si doganat, policia dhe gjykata?

OLIVER IVANOVIQ
Është shumë vështirë të imagjinohet arritja e një kompromisi ndërmjet të ashtuquajturës Kosovës së pavarur dhe Qeverisë së Serbisë, por ka çështje teknike të cilat mund të ndihmohen nga Kombet e Bashkuara.

Nëse Kombet e Bashkuara e prezantojnë veten si bashkëbisedues karshi shtetit serb, atëherë kjo mund të funskionojë. Kombet e Bashkuara kanë përgjegjësi ekzekutive dhe si të tilla do të vazhdojnë të funksionojnë. Sipas mendimit tim, kjo është mënyra e vetme për të dalë nga kjo situatë.

Pra, UNMIK-u duhet të shërbejë si palë biseduese sikurse për Qeverinë e Kosovës, ashtu edhe për atë të Serbisë. UNMIK-u mund të shërbejë gjithashtu si palë ndërmjetësuese për misionin e BE-së në Kosovë. Kjo nënkupton se UNMIK-u duhet të qëndrojë, sepse na nevojitet të gjithëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëra ndër çështjet, e cila nga autoritetet nëdrkmbëtare dhe ato vendore është cilësuar si shqetësuese, është çështja e strukturave paralele serbe në veri. A mendoni se këto struktura duhet të shuhen?

OLIVER IVANOVIQ
Strukturat, të cilat ju i quani paralele, janë të vetmet që konsiderohen si të ligjshme nga komuniteti serb në Kosovë. Përderisa nuk ka ndonjë alternativë për këto struktura, dhe them se nuk ka, ato do të qëndrojnë. Kjo është një gjë, të cilën duhet ta pranojnë të gjithë.

Këto struktura janë legjitime dhe janë formuar pas zgjedhjeve lokale të 11 majit, në të cilat serbët morën pjesë në një numër më të madh se kurrë më parë. Në këtë mënyrë, përfaqësuesit e këtyre zgjedhjeve kanë fituar legjitimitetin nga votuesit e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni aktivitetin e lobimit të Prishtinës për njohjen e shtetësisë së Kosovës dhe si e vlerësoni atë të Beogradit për të ndalur këtë proces?

OLIVER IVANOVIQ
Sipas mendmit tim, Qeveria aktuale në Prishtinë po shpenzon shumë kohë dhe energji në lobimin për njohje të mëtejme. Mendoj se duke bërë këtë, ata vetëm se i lënë anash problemet e përditshme të komunitetit shqiptar në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën.

I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës t'i kushtojë rëndësi çështjeve sociale si punësimi, projektet për infrastrukturë ose gjetjen e mënyrave për t'i shpenzuar të hollat e fituara nga Konferenca e Donatorëve.

Këto janë çështje jetike, por nëse ata vazhdojnë të merren vetëm me njohjen e pavarësisë së Kosovës, mund të ndodhë t'i harrojnë çështjet kryesore.

Serbia e ka qasjen e saj dhe po bën më të mirën e mundshme për t'u integruar në BE dhe ata vazhdojnë të përsërisin një gjë tanimë të ditur - se Sebia nuk do ta njohë shtetin e Kosovës dhe se nuk do t'u japë fund përpjekjeve për ta rikthyer Kosovën në një kohë dhe në një mënyrë të caktuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG