Ndërlidhjet

Lufta në Gjeorgji dhe gazsjellësit


Harta e gazsjellesit Baku - Tbilisi - Ceyhan
Harta e gazsjellesit Baku - Tbilisi - Ceyhan

Luftimet në Gjeorgji kërcënojnë transportuesit kryesorë të gazit nga Kaukazi drejt Evropës. Për njohës të çështjeve të energjisë operacionet ushtarake ruse lidhen drejtpërdrejt me synimet e Moskës për kontroll absolut të furnizimit me energji të Evropës nga burimet e Azisë Qendrore.


Konfliktit mes Gjeorgjisë dhe Rusisë duket se po i afrohet fundit, por armiqësitë rreth rrugëve të transportit të energjisë në Kaukaz, vetëm sa kanë filluar të dalin në sipërfaqe.

"Duket që konflikti mes Gjeorgjisë dhe Rusisë ka prekur gjithë strukturën gjeopolitike në Kaukaz dhe shumë analistë dhe investitorë pyesin se çfarë do të ndodhë me gazsjellësisn Baku-Tbilisi-Ceyhan, me atë Baku-Tbilisi-Erzurum, si dhe me planet amerikane dhe evropiane që të rrisin rolin e Kaukazit të jugut në transportin e hidrokarburanteve drejt Perëndimit", sqaron për Radion Evropa e Lirë, analisti Federico Bordonaro.

Gazsjellësi Baku-Tbilisi-Ceyhan (BTC) aktualisht është në funksion dhe në vitin 2009 llogaritet të transportojë 1 milionë fuçi hidrokarburantesh në ditë drejt portit turk të Cejanit.

Ky transportues aktualisht nuk është prekur nga kriza në Gjeorgji, por autoritetet në Tbilisi thanë se forcat ruse janë përpjekur të sulmojnë gazsjellësin.

Charles Esser ekspert për çështjet e energjisë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave mendon se luftimet në Gjeorgji i kanë mbyllur rrugën mundësive alternative të eksportit të naftës dhe gazit nga Azia Qendrore.

"Rrugët alternative të eksportit, që transportojnë gazin nga Azerbaixhani përmes porteve të Gjeorgjisë janë bllokuar si pasojë e shkatërimit apo mbylljes së porteve gjeorgjiane nga Rusia", thotë Esser.

Nga pikëpamja ekonomike Azerbaixhani dhe Turqia do të preken ekonomikisht nga luftimet në Gjeorgji. Azerbaixhani dhe Turqia shpresojnë të shndërrohen në faktorë kyçë në tregun e energjisë për transportin e gazit dhe naftës nga Kaspiku drejt Perëndimit.

Por një numër projektesh për gazësjellës nga Kaspiku në Evropë përmes Turqisë do të vihen në pikëpyetje për shkak të konfliktit Rusi-Gjeorgji.

Sabit Bagirov, ish drejtues i kompanisë shtetërore të naftës në Azerbaixhan thotë se konflikti i fundit ka rritur nevojën për rishikimin e kushteve të sigurisë për gazsjellësit.

Megjithatë situata nuk do të jetë kaq e zymtë nëse politikisht situata shkon në drejtimin e duhur.

"Nëse gjerat ecin në drejtimin e duhur nga pikëpamja politike, nëse situata është më e qëndrueshme dhe rikthehet në funksion normal transportuesi Baku-Tbilisi-Ceyhan, atëherë do të ishte spekulative të flitej për pasoja negative të konfliktit Rui-Gjeorgji", thotë Esser nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Duket se nuk është në një mendje eksperti tjetër Bordonaro.

"Na duhet të kujtojmë se Rusia fuqishëm ka kundërshtuar realizimin e transportuesit Baku-Tbilisi-Ceyhan pasi ul varësinë e Perëndimit nga Rusia për energjinë e burimeve të Kaspikut drejt Perëndimit", thotë Bordonaro.

Ka një numër analistësh të cilët operacionet ushtarake të Rusisë në Gjeorgji i lidhin me rrugët e eksportit të gazit, pasi Moska po kërkon të vendosë kontroll absolut mbi këto rrugë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG