Ndërlidhjet

Qytetarët pro anëtarësimit të Maqedonisë në BE


Shkupi
Shkupi

Shumica e qytetarëve në Maqedoni mbështesin integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Në bazë të një sondazhi të kryer nga Sekretariati për çështje evropiane pranë Qeverisë, qytetarët janë shprehur se janë të gatshëm që edhe në një referendum të deklarohen pozitivisht për këtë çështje, të cilët e vlerësojnë si tejet të rëndësishme.

Qytetarët e Maqedonisë mbështesin Qeverinë në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian. Shumica e tyre janë deklaruar se do të shpreheshin pozitivisht në ndonjë referendum eventual, në të cilin do të duhej të përgjigjeshin në pyetjen se a janë për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Disponimin e këtillë të qytetarëve e bëjnë të ditur rezultatet e hulumtimit në opinionin publik, të cilin e realizoi Sekretariati për çështje evropiane pranë Qeverisë.

Lidhur me pyetjen se si do të kishin votuar në ndonjë referendum eventual qytetarët e Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimi Evropian, 87.5 për qind e tyre janë shprehur pozitivisht.

Njëkohësisht, këto shifra vërtetohen edhe në pyetjen se sa është i rëndësishëm anëtarësimi në BE për Maqedoninë. 64 për qind vlerësojnë se ai është më i rëndësishmi, ndërsa 28.1 vlerësojnë se ai është me rëndësi, por jo çështje parësore, tha Ivica Bocevski, zëvendëskryeministër për euro-integrime.

Analisti politik, Qashif Bakiu, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se ë gëzon fakti që edhe popullata maqedonase nuk shpreh dilema për anëtarësimin e vendit në BE.

Rreth 30 për qind e popullatës janë shqiptarë. Kemi një pjesë të konsiderueshme të etniteteve tjera. Pjesa dërrmuese janë maqedonas, ku ekziston 13 % që nuk është deklaruar pro anëtarësimit në BE”, tha Bakiu.

Ndërkaq, sipas Bocevskit, programi qeveritar, prioritet ka pikërisht integrimin e vendit në BE dhe në NATO.

“Maqedonia, në krahasim me rajonin, është në epërsi të madhe sa i përket përmbushjes së të gjitha standardeve. Njëkohësisht, falë politikës së Qeverisë, masave dhe peshës politike që i japim këtij procesi, ne do të jemi të përgatitur që shumë shpejt t'i plotësojmë të gjitha kriteret për liberalizimin e plotë të vizave”, tha Ivica Bocevski.

Analisti Bakiu theksoi se Qeveria duhet të përmirësojë gjendjen sa i përket dialogut politik dhe politizimit të administratës publike.

“Shohim se si Kuvendi apo shumica parlamentare, e cila qeveris me shtetin, nga mënyra se si miraton ligjet, se si sillen vendimet, mund të vijmë në përfundimin se kjo vërejtje që ka qenë ndër më seriozet nga ana e BE-së, është edhe më e shprehur, sepse opozita ka mbetur jashtë procesit. Politizimi i administratës shihet nga ndërrimet që bëhen në eshalonet e poshtme të pushtetit”, tha Bakiu.

Analisti Bakiu konkludon se Qeveria duhet të bëjë përpjekje për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, pasi ky kontest pengon anëtarësimin e vendit në BE.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG