Ndërlidhjet

OKB: Dhunimi, taktikë lufte


OKB
OKB

Dhuna seksuale nuk është diçka e re në kohë lufte, madje kjo lloj dhune dokumentohet prej shekujsh. Por, rezoluta e miratuar së fundi nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara thekson se dhunimet nuk janë thjesht produkt i luftës, por taktikë ushtarake.

Kreu i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, para Këshillit të Sigurimit tha se "dhuna kundër grave ka arritur përmasa të patreguara" në disa vende të dala nga konfliktet.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, në seancën e KS-së, 19 qershor 2008.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Condolezza Rice, e cila drejtoi seancën e KS-së ku u miratua kjo rezolutë, tha se vendet e
kanë kuptuar se dhuna ndaj femrave është çështje e sigurisë kombëtare.

"Ky organizëm botëror tani e ka pranuar se dhuna seksuale në zonat e konfliktit është problem sigurie. Ne theksojmë se dhuna seksuale nuk prek vetëm shëndetin dhe sigurinë e grave, por stabilitetin ekonomik dhe social të këtyre vendeve", tha Rice.

Rezoluta kërkon nga të gjitha vendet apo dhe grupimet e përfshira në konflikte, t'i japin fund dhunës seksuale, pasi kjo përbën krim lufte, e madje është edhe element i gjenocidit.

Pjesë e rezolutës është dhe kërkesa ndaj të gjitha palëve të përfshira në konflikt që t’i mbrojnë civilët.

Rezoluta u miratua njëzëri, me gjithë kundërshtimet e disa vendeve anëtare si Rusia, e cila nuk donte mbajtjen e një takimi të tillë.

Rezoluta u mirëprit nga Human Rights Watch, e cila theksoi se Këshilli i Sigurimit shumë shpesh e ka injoruar problemin.

Gjatë dekadave të fundit kanë qenë luftërat në Ballkan, gjatë viteve të '90-ta, të cilat alarmuan botën se dhunimet po përdoreshin si armë lufte.

Zëvendëskryeministrja kroate, Jadranka Kosor, ishte në mesin e folësve gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit.

"Edhe në territorin kroat, në zemër të Evropës, dhunimi u përdor si metodë frikësimi e terrori gjatë agresionit me të cilin u përball Kroacia në vitet e '90-ta. Bosnjë-Hercegovina, e cila u përball me të njëjtin agresor, vuajti përdorimin e dhunimeve dhe dhunës seksuale si instrumente të pastrimit etnik", tha Kosor.

Gjatë ditëve tona, problemi paraqitet më alarmant në Republikën Demokratike të Kongos. Ushtaraku Patrick Cammaert dëshmoi para Këshillit të Sigurimit për pasojat e dhunimeve në lindje të Kongos. Ai ka shërbyer atje në kuadër të misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara.

"Ndoshta është bërë më e rrezikshme të jesh grua, sesa ushtar në zonat e konfliktit", tha Cammaert.

Por, nuk kanë qenë vetëm grupet e përfshira në konflikt ato që kanë dhunuar dhe kryer krime seksuale. Edhe paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara janë akuzuar për keqpërdorime seksuale në disa vende.

Rezoluta kërkon rritjen e shkallës së vigjilencës për të mos lejuar keqtrajtime të tilla.

Ndonëse është një nismë shumë e mirë, ende nuk dihet fuqia e rezolutës në praktikë. Kreu i Kombeve të Bashkuara do t'i raportojë Këshillit të Sigurimit pas një viti për zbatimin e saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG