Ndërlidhjet

Ariu polar shpallet specie e rrezikuar


Ariu polar - Pamje në Arktik.
Ariu polar - Pamje në Arktik.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka shpallur ariun polar specie të rrezikuar. Shkencëtarët thonë se kjo është pasojë e ngrohjes globale dhe shkrirjes së akullnajave.




Qeveria amerikane i ka futur arinjtë polarë në listën e specieve që rrezikojnë të zhduken.

Kohëve të fundit është vërejtur se diçka nuk shkon si duhet me këto banorë të viseve më të ftohta të planetit. Ka pasur raste kur nga nevoja për ushqim, arinjtë kanë sulmuar njëri-tjetrin për ta ngrënë.

Nga ana tjetër, shumë gjallesa kanë braktisur zonat ku jetonin dhe janë zhvendosur në kërkim të ushqimit. Problemi kryesor qëndron te fakti se habitati i tyre po degradohet nga ngrohja globale dhe shkrirja e akullnajave.

"Sot e radhis ariun polar në listën e specieve të rrezikuara në bazë të Aktit për Speciet e Rrezikuara. Jam i bindur se ky vendim përkon me standardet legale për veprim në rastin e specieve të rrezikuara", tha Sekretari i Çështjeve të Brendshme, Dirk Kempthorn, duke folur në konferencën për shtyp në Uashington.

Kempthorne tha se ka vepruar sipas këshillave të shkencëtarëve, të cilët janë shqetësuar së tepërmi në vitet e fundit, nga raportet se arinjtë polarë në rajonin e Arktikut po përballen me zhdukje të plotë.

Ngrohja globale dhe shkrirja e akullnajave ka bërë që ushqimi i arinjve, si kërmat apo luanët e detit, të jenë gjithnjë e më të rrallë.

"Meqë arinjtë polarë janë shumë të ndjeshëm ndaj kësaj humbjeje të habitatit, ato mund të rrezikohen keq në një të ardhme të afërt. Në rastin konkret, për 45 vjet", tha Kempthorne.

Shkencëtarët e qeverisë amerikane parashikojnë se dy të tretat e arinjve polarë mund të zhduken deri në vitin 2050.

Futja e tyre në listën e specieve të rrezikuara e bën edhe më të dukshëm rrezikun nga ngrohja globale e planetit, sidomos në pjesët më veriore. Shkencëtarët thonë se këto zona po ngrohen dyfish më shpejt se pjesët tjera të Tokës.

Por, disa grupe të ambientalistëve thonë se duhen ndërmarrë edhe hapa tjerë për të mbrojtur ariun polar. Njëra nga masat mund të jetë ndërprerja e projekteve eksploruese të energjisë në habitatin ku jetojnë gjallesat në fjalë.

Kritikët e projekteve energjetike thonë se ato e rrisin dukshëm emisionin e gazrave dhe efektin serë, i cili kontribuon në ngrohjen globale.

Kert Davies është ekspert i klimës nga organizata Greenpeace.

"Ne e dimë shumë mirë se Akti për Speciet e Rrezikuara mund të aplikohet për të mbrojtur habitatin e tyre dhe për t'i ndryshuar sjelljet tona atje, por edhe në disa pjesë të qeverisë. Ndërsa, ata na thonë se ky akt nuk ndikon në asnjë vendim mbi projektet e energjisë. Ata thjesht po ia heqin dhëmbët ligjit", thotë Davies.

Në muajin shkurt, administrata amerikane ua shiti kompanive të naftës dhe të gazit të drejtat për të eksploruar në 20 milionë akra në Detin Chukchi, në bregun verilindor të Alaskës.

Aty jetojnë gjysma e numrit të përgjithshëm të arinjve polarë, ndërsa popullsia e tërë e arinjve në territorin e Shteteve të Bashkuara, vlerësohet prej 20 deri 25 mijë.

Rreth 15 mijë arinj polarë gjithashtu jetojnë në Kanada, ku ende nuk janë futur në listën e specieve të rrezikuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG