Ndërlidhjet

Sejdiu nis bisedimet me partitë politike për sistemin zgjedhor


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Në Prishtinë kanë filluar konsultimet ndërmjet udhëheqësve të institucioneve dhe të gjitha partive politike parlamentare, lidhur me sistemin zgjedhor që do të përcaktohet me ligj.


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka filluar sot bisedimet me të gjitha partitë parlamentare në lidhje me sistemin zgjedhor që do të përcaktohet me ligj.

Sejdiu tha se Ligji për Zgjedhjet, si në nivelin lokal, ashtu edhe ai për zgjedhjet në nivelin qendror, bie mbi fushat e obligimeve që parasheh pakoja e Ahtisaarit për institucionet e Kosovës.

Andaj, ai tha se ky ligj do të shkojë për miratim në Kuvend, vetëm pasi që të ketë marrë një konsensus nga spektri i gjerë politik vendor.

“Mendoj se ishte një debat jashtëzakonisht përmbajtjesor sa i përket përmbushjes së obligimeve tona që kanë të bëjnë me pakon e Ahtisaarit. Në këtë kuadër, është edhe ligji mbi zgjedhjet në Kosovë. Dëshira jonë themelore është që të krijojmë një ligj bazik, që t’i sfidojë kohërat dhe të qëndrojë gjatë”, tha Sejdiu.

Presidenti Fatmir Sejdiu nuk ka dashur të komentojë asgjë lidhur me mundësinë që në Kosovë të organizohen zgjedhjet nëntë muaj pas hyrjes në fuqi të pakos së Ahtisaarit, që nënkupton pranverën e vitit të ardhshëm.

Ai tha se aktualisht po diskutohen vetëm çështjet që kanë të bëjnë me sistemin e zgjedhjeve.

“Qëllimi ynë themelor është që të shkojmë në përgatitjen e ligjit, i cili do të qëndrojë për kohë të gjatë dhe të jetë për mandate të shumta zgjedhore. Nuk ka të bëjë me një mandat zgjedhor, por të jetë një ligj me një përmbajtje të mirë”, u shpreh Sejdiu.

Në anën tjetër, opozita insiston që zgjedhjet të mbahen, ashtu si e parasheh dokumenti i Ahtisaarit.

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, tha sot se viti i ardhshëm do të duhej të ishte vit i zgjedhjeve, fillimisht atyre parlamentare e më pas edhe në nivelin lokal.

“AAK-ja vlerëson se zgjedhjet për Parlamentin e Kosovës duhet të ndodhin në bazë të kalendarit që është përcaktuar në propozimin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, që nënkupton se pas periudhës tranzitore, do të thotë pas 15 qershorit, në afat nëntëmujor, duhet të shpallen zgjedhjet, çka do të thotë se në pranverën e vitit të ardhshëm duhet të ndodhin zgjedhjet”.

“Po ashtu, sa i përket zgjedhjeve lokale, ato janë të mandatuara qartë dhe duhet të ndodhin në fund të vitit të ardhshëm”, theksoi Tahiri.

Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, përveç fuqizimit të institucioneve të Kosovës me përgjegjësi shtetërore, parashihet edhe krijimi i organeve dhe shërbimeve të reja shtetërore.

Ndërkaq, konsolidimi i institucioneve në të dyja nivelet, në shtetin e Kosovës, parashihet në një afat prej 9 muajve, përmes procesit të rregullt zgjedhor.

Në këtë pikë, pozita thotë se zgjedhjet janë mbajtur në fund të vitit 2007 dhe kanë mandat katërvjeçar për Kuvendin dhe pesë për presidentin, përderisa opozita kërkon që ato të mbahen nëntë muaj pas hyrjes në fuqi të pakos së Ahtisaarit, dokument ky që fillon të zbatohet nga 15 qershori, atëherë kur hyn në fuqi edhe Kushtetuta e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG