Ndërlidhjet

Përfundon fushata në Serbi


Posterë të fushatës parazgjedhore në Beograd
Posterë të fushatës parazgjedhore në Beograd

Fushata parazgjedhore në Serbi ka arritur në ditën e fundit të saj. Zgjedhjet e parakohshme të nënshkruara më 11 maj, pritet të jenë një sfidë tjetër për Serbinë, pasi që konsiderohet se radikalët i kanë gjasat më të mëdha për të ardhur në pushtet.


Lubisha Mihajlloviq, një serb nga Vojvodina, mban në dorë një shkop peshkimi dhe e valëvit atë me tërë fuqinë. Ai ka flamurin më të lartë të Partisë Radikale në Sheshin e Republikës në qendër të Beogradit, në mitingun e fundit të kësaj partie. E tërë familja e tij ka vendosur t’u besojë radikalëve dhe të votojë për ta kësaj radhe.

“Mund të shkojmë në Evropë, por ndershëm. Ne jemi një shtet i pasur, këtë e di edhe Evropa dhe ne mund të ndihmojmë. Bën edhe Evropa, edhe Rusia së bashku, vetëm duhet të largojmë pak amerikanët nga Evropa”, shprehet Lubisha.

Sondazhet e fundit tregojnë se radikalët mund të vijnë në pushtet së bashku me partinë e kryeministrit Vojisllav Koshtunica. Frika në Serbi është rikthyer te një pjesë e qytetarëve, ndërkohë që presidenti Boris Tadiq ka premtuar se Koshtunica nuk do të jetë më kryeministër. Por, kjo varet nga pjesëmarrja dhe rezultati përfundimtar.

Partia Radikale e Serbisë u ka premtuar serbëve se atdheu do të jetë mbi të gjitha. Ata kanë premtuar mbylljen e mediave që tregojnë lajme të këqija dhe organizatat joqeveritare që promovojnë vlerat evropiane.

“Nga e hëna, më 12 maj, do të jeni njerëz të lirë dhe askush nuk do të mund t’ju frikësojë, t’ju përulë dhe askush nuk do të ketë guxim t’ju dërgojë në varfëri. Nuk japim asgjë, as e kemi blerë Kosovën, e as që do ta shesim. Ne e kemi trashëguar dhe do t’ua lëmë pasardhësve tanë. Kosova është Serbi, derisa të ketë serbë dhe të ekzistojë Serbia”, ka thënë Nikoliq gjatë fushatës.

Blloku demokratik i presidentit Boris Tadiq ka bërë një fushatë të ngjashme me atë presidenciale, duke u kujtuar qytetarëve radhët e gjata për bukë dhe dinarin e devalvuar me dhjetëra zero, sikurse në vitet ’90. Rreth 500 mijë të rinj kanë ikur gjatë viteve ‘90 nga Serbia, por ata thonë se nuk do të jetojnë në një vend diktatorial.

Masha Millutinoviq, një nxënëse maturante në Beograd, thotë përse është e rëndësishme në fushatën e organizatës nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut - “Unë jam me rëndësi”.

“Do të shikoj se çfarë do të bëj, por do të ik nga këtu nëse fitojnë radikalët. Mund të jetohet, por të mos ndikojnë këto dhe të mos nervozohesh kur i sheh politikanët në televizor”, thotë Masha, e cila pret të votojë për herë të parë.

Shkrimtarja e njohur serbe, Bilana Srblanoviq, është kthyer nga Parisi për të kandiduar për kryebashkiake të Beogradit. Ajo thotë se nuk mund të ndihmojë shumë, por thjesht ka dashur të tregojë një fytyrë tjetër të Serbisë.

“Kam dashur të tregoj me shembull se ne të gjithë nuk jemi aq të këqij, sa të keqe e kemi elitën politike dhe se këtu qytetarët dinë më mirë se vetë politikanët. Andaj, kam dashur të aktivizohem vetë”, thekson Srblanoviq.

Presidenti Boris Tadiq dhe koalicioni për Serbinë Evropiane kanë thënë se në këto zgjedhje janë vetëm dy parti, radikalët dhe demokratët.

“Njerëz, desha t’ju them në qetësi, se unë kam vendosur që ne të fitojmë në këto zgjedhje. Ne nuk e kemi për qëllim që të fitojmë ndonjë person, por të fitojmë kundër asaj që është duke tentuar të na ndalojë për shumë vite. Urrejtja dhe frika kanë përfaqësuesit e tyre edhe në Serbi dhe ka të tillë që në frikë ndërtojnë politikën e tyre”, ka thënë presidenti Tadiq, duke u premtuar qytetarëve se do ta mbrojë Kosovën, por, sipas tij, qëllimi kryesor është Serbia në Bashkimin Evropian.

Por, fushata ka pasur shumë akuza, kërcënime për ekzekutim për presidentin Boris Tadiq, akuza për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilzim Asociimit dhe shumë gjëra të tjera që kanë nxitur situatën.

“Mendoj se kjo është fushata më e ndyrë deri tani. Kur shikoni televizorin, nga 12 klipet, 7 prej tyre janë kundër ndonjë kandidati ose dikujt”, mendon Andrej Nosov, nga Nisma e të Rinjve.

Fushata parazgjedhore ka arritur fundin e saj, por dilemat për të ardhmen e Serbisë ende nuk janë sqaruar dhe zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 11 majit do të jenë një sfidë e re për Serbinë - fitorja e radikalëve apo një bllok demokratik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG