Vetëm nëse Këshilli i Sigurimit ndryshon apo e zëvendëson këtë Rezolutë, atëherë edhe Komanda Supreme e NATO-s do të vendosë të ndryshojë formën apo përshtatjen e pranisë së saj ushtarake në Kosovë, tha gjenerali kanadez.
KFOR-i, tha ai, në mënyrë të vazhdueshme do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh a janë ata shumicë apo pakicë.
Kjo vizitë e Komitetit Ushtarak të NATO-s, mes tjerash, ka konfirmuar aftësitë e misionit për të vazhduar punën e vet në Kosovë, tha gjenerali Henault.
“Aleanca, përmes ambasadorëve të saj, rikonfirmon se KFOR-i do të mbetet në Kosovë mbi bazën e Rezolutës 1244 dhe përderisa Këshilli i Sigurimit të mos vendosë ndryshe”, tha Rey Henault.
Ndërkaq, rritja e numrit të trupave në Kosovë, sipas tij, po bëhet me vendim të Këshillit Veri-atlantik, bazuar në një rekomandim të Komandës Supreme për Evropën.
Për momentin, tha gjenerali kanadez, NATO-ja është shumë e kënaqur, pasi që ka numrin e trupave në Kosovë aq sa edhe i nevojiten, si në planin e forcave rezervë, ashtu edhe forca strategjike.
Kryesuesi i Komitetit të NATO-s tha se zhvillimet në veriun e Kosovës, me theks të veçantë ato të 17 marsit, në Mitrovicë, nuk ndryshojnë planet dhe misionin e KFOR-it.
“Ngjarjet e 17 marsit nuk kanë ndryshuar asgjë në përkushtimin tonë. Unë isha i impresionuar me atë që pashë në kuptimin e koordinimit të SHPK-së me KFOR-in dhe Policinë e UNMIK-ut dhe me aftësinë e SHPK-së që të jetë në vijën e parë në veri të Mitrovicës atë ditë, sepse ata janë të trajnuar shumë mirë dhe e bëjnë mirë punën e tyre”, tha gjenerali Ray Henault.
Ai tha se për momentin, KFOR-i bashkëpunon në situata të ndjeshme me policinë e Kosovës, ndërkaq lidhur me formimin e Forcës së Sigurisë, ai tha se këto janë detyra të reja që pasojnë shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe janë në proces e sipër.
“Kur t’i marrim detyrat e reja, KFOR-i është i ngarkuar me atë çështje dhe natyrisht ne do ta përshtatim misionin për të ndihmuar në atë drejtim”, u shpreh ai.
Ndërkohë, komandanti i KFOR-it, gjenerali Xavier de Marnahc, vetëm e ka falënderuar Komitetin e NATO-s për mbështetje misionit në Kosovë dhe i siguroi ata se KFOR-i është i gatshëm që të garantojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë në Kosovë.