Ndërlidhjet

Moore: Lufta në Irak na ka kushtuar shumë jetë


Patrick Moore
Patrick Moore

"Është e qartë për çdokend se administrata e presidentit Bush nuk ishte mirë e përgatitur për luftën në Irak dhe tash ne dhe irakianët po e paguajmë çmimin. Kjo është shumë e qartë", thotë, pos tjerash, analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore, duke komentuar zhvillimet lidhur me luftën në Irak.


RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë u shënua pesëvjetori i rënies së ish-presidentit irakian, Saddam Hussein. Si i vlerësoni ju zhvillimet në Irak, pas pesë vjetësh?

PATRICK MOORE
Më duhet të them me sinqeritet se jam i kënaqur që Saddam Husseini ishte përmbysur, por mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre u involvuan më tepër se sa që mendohej. Kështu që është vështirë që në mënyrë të suksesshme të merren me zhvillimet atje.

Për mendimin tim, Iraku paraqet leksion se jo çdokush mund t'i zgjidhë të gjitha problemet çdokund në botë. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm para se të intervenojmë ushtarakisht. Nuk them se unë i kundërshtoj të gjitha intervenimet e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara. Jo, këtë nuk do ta them kurrë. Por, amerikanët duhet t'i kenë kapacitetet për t'u marrë me kërcënimet qoftë në Evropë ose në Lindjen e Mesme. Por, ideja për ribërjen e një vendi në Lindjen e Mesme, është çështje tjetër.

Nëse ka kampe terroriste në Afganistan, për shembull, sulmet me raketa janë, me gjasë, rruga më e mirë për anulimin e kërcënimit, e jo invadim i gjerë tokësor, siç ka ndodhur viteve të fundit.

Është e qartë për çdokend se administrata e presidentit Bush nuk ishte mirë e përgatitur për luftën në Irak dhe tash ne dhe irakianët po e paguajmë çmimin. Kjo është shumë e qartë.

Ne, po ashtu, po paguajmë miliona dollarë për çdo ditë për luftën në anën tjetër të planetit, në kohën kur infrastruktura bazike në qytetet siç janë Nju Orleansi ose Detroiti, është dëmtuar rëndë ose bile as që ekziston.

RADIO EVROPA E LIRË
Lufta në Irak ishte në fokus edhe në Uashington, ku komandanti i forcave amerikane në Irak, gjenerali Petraeus dhe ambasadori amerikan, Crocker, kanë dëshmuar para komiteteve të Senatit. Si e shihni ju këtë dëshmi?

PATRICK MOORE

Të dy ata ishin caktuar që ta realizojnë politikën dhe ata po e bëjnë këtë. Ata e mbrojtën mirë vetveten në Uashington, në një ambient tejet të lartë politik. Është e qartë se shtimi i trupave ka arritur ta reduktojë në masë të madhe dhunën. Por, duket se kjo e ka zëvendësuar anarkinë me një numër të liderëve të luftës dhe hapësira të vogla mbi baza religjioze.

Nuk jam i sigurt se kjo do të jetë zgjidhje që do të zgjasë ose do të kontribuojë në ndërtimin e vendit të bashkuar. Ne duhet të presim pak më gjatë, por jo në pakufi, për të parë se si do të zhvillohen gjërat.

RADIO EVROPA E LIRË

Në mesin e senatorëve, në këtë seancë dëgjimi gjendeshin edhe tre kandidatët për president amerikan: republikani John McCain dhe demokratët Hillary Clinton dhe Barack Obama. Çfarë është pikëpamja juaj për vizionin e tyre për luftën në Irak?

PATRICK MORE
Tash, ky ishte problem për gjeneralin Petraeus dhe zotin Crocker në dëshminë e tyre, për shkak se të tre kandidatët presidencialë dëshironin që këtë dëshmi ta shfrytëzonin për fushatën e tyre.
Fundamentalisht, senatorja Clinton dhe senatori Obama kërkojnë tërheqje në faza. Avantazhi i kësaj është se politika e tyre e pranon se është bërë gabim me këtë luftë dhe synojnë që këtë ta përfundojnë para humbjeve të mëtejeme të jetëve të njerëzve dhe humbjeve materiale.

Por, disavantazh është se kjo do t'i inkurajojë Iranin dhe liderët e luftës brenda Irakut që ta shtojnë nivelin e dhunës, pasi e dinë se amerikanët do të largohen. Kjo do të ishte zhgënjim për ata irakianë, që i mbështesin përpjekjet e Shteteve të Bashkuara.

Zoti McCain do të na ofrojë pak a shumë atë që e ka bërë presidenti Bush. Ai ndoshta mund t'i menaxhojë gjërat ndryshe, për shkak se e konsideron vetveten se ka përvojë të fuqishme ushtarake, që zotit Bush i mungon. Por, nëse bëhet president McCain, mund të pritet që për një kohë të gjatë t'i mbajë trupat amerikane në Irak. Ai njëherë ka thënë se këtë do ta bënte "për 100 vjet". Ai më vonë tha se kjo ishte shaka. Pra, nën presidentin McCain, lufta në Irak do të vazhdonte ta dëmtonte ekonominë amerikane dhe do të merrte shumë jetë të njerëzve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG