Ndërlidhjet

“Sfidat e shtetit të ri”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
NACIONAL
Marshi paqësor për lirimin e Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, është anuluar me kërkesë të vetë atij. Kjo është bërë e ditur dy ditë më herët nga anëtarët e Këshillit Organizativ. Anëtari i këtij këshilli, ish-kryeministri Agim Çeku, tha se Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Këshilli Organizativ i marshit paqësor, i cili ishte paralajmëruar për ditën e enjte, që ky marsh të mos mbahet, pavarësisht nga motivet dhe qëllimet e tij shumë fisnike. “Ai dhe shokët e tij nuk dëshirojnë që ky marsh paqësor me qëllime shumë fisnike të keqkuptohet, ose të keqinterpretohet nga kushdo qoftë. Ai me këtë gjest edhe njëherë dëshmon se më shumë brengoset dhe më shumë e do Kosovën, sesa vetveten”, tha Çeku... Anulimi i marshit është paralajmërim se Haradinaj veç hijen e ka në Hagë...

EXPRESS
E pamë dhe e dëgjuam të gjithë Karl Bildtin gjatë vizitës së tij në urën e Mitrovicës, me pyetjen e tij retorike se ku ishte kufiri midis Shqipërisë dhe Serbisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pyetje interesante, apo jo? Dhe, po të ishte Karl Bildt një politolog skandinavez në udhëtim studimor në Ballkan, kurioziteti për kufijtë e dikurshëm do të ishte krejt legjitim. Por, nuk është. Andaj, pyetja e Bildtit paraqet një shenjë se opsioni i copëtimit territorial të Kosovës vazhdon të jetë prezent në mendjet e diplomatëve të ndryshëm, jo vetëm të atyre rusë. Mund të thuhet, por Suedia e ka njohur shtetin e Kosovës, kështu që interesimi i tillë ka të bëjë me të kaluarën, e jo me të ardhmen. Mirë shumë! Po, prapë, besoj se ka shumë arsye, më shumë se sa një pyetje sugjestive e Bildtit, që të bëjnë të besosh se sfida e madhe e copëtimit ende nuk ka kaluar. Sfida kryesore është trajtimi i Kosovës si territor me status të dyfishtë...

EPOKA E RE
Kosova brenda tre vjetësh do të jetë në fazat e fundit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kështu ka thënë zëvendëskryeministri i Qeverisë, Hajredin Kuçi, të martën, gjatë prezantimit të zbatimit të ndihmës së “Instrumentit të paraanëtarësimit 2007” për Kosovën. Drejtues të Zyrës së Komisionit Evropian dhe të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se pas zgjidhjes së statusit, Kosova mund të lëvizë në procese të tjera të integrimit evropian, ndërkaq shuma e ndarë për ndihmë vendit për këtë vit do të jetë rreth 125 milionë euro. Shuma, e cila sivjet u ndahet për ndihmë institucioneve të Kosovës është 130 milionë euro. Ndërkaq, kjo shumë është caktuar për shkak të nevojave specifike që ka Kosova pas zgjidhjes së statusit, në krahasim me shumën e mjeteve të ndara prej 68.3 milionë për vitin 2007 dhe shumën e mjeteve që janë paraparë të ndahen për vitet e ardhshme prej 66 milionë për 2009 dhe 67.3 milionë për 2010...

LAJM
Ministria për Komunitete dhe Kthim është jashtë kontrollit që nga 17 shkurti. Ministri Boban Stankoviq, së bashku me stafin e tij politik, që nga shpallja e pavarësisë vazhdon ta bojkotojë punën. Mosemërimi i zëvendësministrave ka bërë që në këtë ministri të humbet kontrolli dhe të mos ketë kush të menaxhojë dhe t’i raportojë Qeverisë për punën që kryhet këtu. Stankoviq dhe këshilltarët e tij, që nga dita kur e kanë filluar bojkotin, i kanë marrë veturat zyrtare dhe po i përdorin ato për punët e tyre private, duke mos i kthyer fare në parkingun e ministrisë... Përkundër kësaj, Qeveria ka mirëkuptim, ndërkaq opozita kërkon që sjellja e butë të ketë një kufi...

INFOPRESS
Edhe pas kaq huqesh e humbjesh që i ka sjellë popullit serb, por edhe vetë Serbisë e ashtuquajtura politika “elitare” në Serbi, që ka prodhuar shkatërrime marramendëse në hapësirat e ish-Jugosllavisë, autoritetet atje vazhdojnë me gjëmat dhe të nëmurat e tyre për botën që po pranon pavarësinë e Kosovës. Efektet e këtij, kinse zhgënjimi, me padrejtësinë, vazhdojnë paturpësisht, në mënyrë flagrante, të manifestohen në abuzim me të drejtat e bashkëkombësve të tyre serbë që vazhdojnë të jetojnë në Kosovë. Me të ashtuquajturën politikë të ruajtjes së Kosovës brenda Serbisë, vazhdojnë t’ua minojnë të ardhmen. Vështirë të kuptohen ndryshe shantazhet dhe kërcënimet e përditshme që u bëhen serbëve këtu, të cilët nuk kanë të ardhme tjetër nëse shmangen nga realiteti i ri, i krijuar në Kosovë...

KOSOVA SOT
Një konflikt mes ministrit të Shëndetësisë dhe sekretarit të përhershëm të këtij dikasteri ka përfunduar, ashtu siç rëndom përfunduan historitë e ngjashme në Qeverinë tonë. Ilir Tolaj është ndalur nga policia, është pezulluar me një vendim të ministrit, megjithëse legjislacioni ia adreson të drejtën e pezullimit apo shkarkimit nga detyra KELP-it, Këshillit për Emërimet e Larta Publike. Por, ç’rëndësi ka kjo, fundja, ministri është zoti i shtëpisë në secilën ministri dhe ka të drejtë të marrë në punë njerëz të aftë, të largojë ata që bëjnë probleme, të pezullojë, të ndëshkojë, etj. E, ndërsa tensionet personalizoheshin në Ministrinë e Shëndetësisë, kriza vetëm sa vinte duke u thelluar. Çështja e sekretarit në këtë ministri ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, aq sa nganjëherë të krijohet përshtypja se nuk është fjala për një sekretar, por për ndonjë personalitet me fuqi shumë herë më të madhe...

BOTA SOT
Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, e cila drejtohej nga Sabri Hamiti, kryetar i Komisionit, i ishte kushtuar hapave të deritashëm që ka marrë Qeveria e Kosovës dhe veprimeve institucionale që duhet ndërmarrë për avancimin e diplomacisë së Kosovës. Në këtë mbledhje ishte ftuar edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili para anëtarëve të komisionit raportoi për politikat e jashtme të Qeverisë së Kosovës. Ndër objektivat e Qeverisë, në planin e politikave të jashtme të saj, Kuçi ka theksuar krijimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, për çka ka pohuar se po bëhen përgatitjet e duhura, përfshirë edhe përgatitjen e stafit për këtë ministri. Ai është shprehur se Qeveria pret që gjatë këtij viti, Kosovën ta njohin mbi 100 shtete...

ZËRI
Megjithëse javët e para të ekzistencës së tij, shteti i Kosovës, sipas të gjitha vlerësimeve objektive vendore dhe ndërkombëtare, i ka kaluar më mirë sesa që është pritur, punët shtetërore, siç do ta kuptojmë të gjithë ne, përditë e më shumë, janë të vazhdueshme. Shteti duhet të funksionojë 24 orë në ditë ose, në të kundërtën, nuk është shtet. Apo, vetëm për pak kohë nëse ndodh paraliza e ndonjërit prej segmenteve të rëndësishme të tij, mund të bjerë i gjithë sistemi. Në rastin e shtetit të Kosovës, punët janë edhe më të komplikuara se në shembujt e tjerë të bërjes së shtetit, për shkaqe shumë mirë të ditura. Beogradi, megjithëse andejpari kemi një krizë të madhe politike, nuk do të ndalet në synimet e tij për ta bërë lëmsh shtetin e Kosovës. Faktori ndërkombëtar tek duhet të definojë se kur dhe si do të përfundojë periudha kalimtare...

KOHA DITORE
Republika e Kosovës pritet të përfaqësohet me një delegacion shtetëror në konferencën e ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Konferencës Islamike, që do të mbahet në kryeqytetin e Senegalit – Dakar, më 13 dhe 14 mars. Burime të gazetës brenda Qeverisë kanë bërë të ditur se autoritetet kosovare kanë marrë ftesën zyrtare për të marrë pjesë në këtë konferencë, ndërsa Kosovën pritet ta përfaqësojnë dy të deleguarit e Qeverisë – ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, dhe këshilltari i lartë i kryeministrit, Bekim Çollaku. “Qeveria e Kosovës ka pranuar ftesën nga sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Konferencës...”

XS
SM
MD
LG