Statusi i Kosovës ka qenë sfida e fundit e madhe që ka mbetur nga zhbërja e Jugosllavisë. Paqartësia politike e këtij vendi ka nënkuptuar për njerëzit e tij të mos kenë para vetes prospekte për të siguruar investime të huaja, aq të nevojshme për rindërtimin e ekonomisë së tyre apo për një themel politik, mbi të cilin do të rindërtohej shoqëria e tyre.
Për dy vite me radhë, Kombet e Bashkuara kanë bërë përpjekje të ndërmjetësojnë një marrëveshje mbi pavarësinë e Kosovës. Fatkeqësisht, Serbia dhe patroni i saj rus e kanë refuzuar planin, nëpërmjet të të cilit Kosova do të fitonte "pavarësinë e mbikëqyrur" dhe pakica serbe do të fitonte mbrojtje të fuqishme.
Asnjëherë gjatë këtyre dy viteve negociatash mbi të ardhmen e Kosovës, Serbia nuk ka arritur të dëshmojë se si vazhdimi i sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën do ta përmirësonte jetën e shqiptarëve etnikë, të cilët përbëjnë më shumë se 90% të popullatës në Kosovë.
Në botën moderne, sovraniteti nuk është e drejtë e trashëguar; është një besim i shenjtë midis qeverisë dhe njerëzve që ajo përfaqëson.
Sllobodan Millosheviqi e ka shkelur këtë besim, gjatë përpjekjeve për ta spastruar etnikisht Kosovën dhe qeveritë që pasuan në Serbi nuk bënë asgjë për ta rivendosur atë besim. Beogradi synonte ta mbajë vetëm Kosovën dhe jo kosovarët që jetonin aty.
Jetojmë në një botë ku historia ka rëndësi, por edhe qeniet njerëzore gjithashtu. Kosova nuk mund të mbetej një suvenir territorial nga fitorja e kaluar imperialiste e Serbisë. Prandaj, edhe pse zgjidhja e statusit të Kosovës nëpërmjet deklaratës së njëanshme për pavarësinë nuk është ideale, megjithatë mendoj se ishte e nevojshme. Jam krenar që Shtetet e Bashkuara ishin në mesin e vendeve të para në botë që njohën shtetin e ri të pavarur të Kosovës.
Qeveria e re e Kosovës duhet të mbrojë trashëgiminë e madhërishme nga e kaluara e Serbisë, por ne duhet të ndihmojmë në ruajtjen e së ardhmes së Kosovës. Qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike në Kosovë është pajtuar me mbrojtjen e fuqishme për pakicat kombëtare në Kosovë dhe ka iniciuar një sërë kontaktesh pajtimi me serbët e Kosovës. Populli i Kosovës është duke demonstruar se çfarë shteti dëshiron të ndërtojë. Nëse kanë sukses, Kosova do të lulëzojë.
Nuk do të jetë e lehtë. Kosova është duke luftuar me nivele të larta të papunësisë, korrupsionin e gjerë dhe tensionet e vazhdueshme etnike. Por, ky vend posedon rezerva të mëdha energjetike, një popullatë të re dhe potenciale për të qenë me shumicën myslimane më pro-perëndimore në botë. Nëse njerëzit e saj vazhdojnë t’i mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të luftojnë korrupsionin, liderët e Kosovës meritojnë mbështetjen tonë të fuqishme në punën e tyre për t'iu bashkuar tërësisht komunitetit të shteteve dhe institucioneve ndërkombëtare.
Do të ishte ideale që të ofrojmë mbështetje entuziaste edhe për ambiciet euro-atlantike të Serbisë gjithashtu. Beogradi duhet ta përcaktojë dinamikën, në bazë të së cilës edhe vendet tjera në Ballkan masin përparimin e tyre në rrugën për t'iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Por, në vend të kësaj, serbët kanë qenë të viktimizuar nga liderët, të cilët nuk e lëshojnë asnjë rast për të lëshuar rastin. Në vend se të ecin me vendosmëri drejt Evropës, liderët në Beograd kanë vazhduar me të vjetrën, përkundër politikave shkatërrimtare të së kaluarës së afërt.
Jam veçanërisht i zhgënjyer me veprimet e disa zyrtarëve të Qeverisë serbe, të cilët kanë ardhur në pushtet pasi që kanë zmbrapsur një tiran, por tash i janë nënshtruar taktikave të njëjta, të cilat dikur i kanë kundërshtuar.
Refuzimi i vazhdueshëm i kryeministrit Koshtunica për të bërë thirrje për arrestimin e të përndjekurve për krime lufte dhe refuzimi i tij për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, e kanë dëmtuar rëndë pozicionin ndërkombëtar të Beogradit. Liderët tjerë serbë kanë qenë më pak flagrantë në veprimet e tyre, por, megjithatë, kanë dështuar të marrin qëndrime të palëkundshme, të cilat do të mundësonin që vendi i tyre të ecë përpara.
Dhuna që pasoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës ka qenë një rezultat i parashikueshëm dhe i parandalueshëm i individëve, që në një zemërim publik dhanë zjarr dhe pastaj hoqën dorë nga përgjegjësia për pasojat. Qeveria e Serbisë duhet të ndalojë së përdoruri pavarësinë e Kosovës si një arsyetim për të nxitur edhe më shumë dëme në vendin e tyre tashmë të lënduar.
Ajo duhet të fillojë të kthejë faqen në politikat e dështuara të 15 vjetëve të fundit dhe të ecë drejt së ardhmes si pjesë e Evropës. Ne nuk mund të lejojmë që mosfunksionimi në Beograd të shpërndahet në Kosovë dhe në Bosnjë. Amerikanët, evropianët dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë kanë investuar jashtëzakonisht shumë dhe nuk mund të shohin që ambiciet demokratike të këtyre vendeve të shtypen.
Çdo përpjekje nga Beogradi për të nxitur kaos në veriun e Kosovës apo në Republikën Serbe të Bosnjës, duhet të trajtohet me shpejtësi dhe vendosmëri nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja. Veprimet e Serbisë duhet të jenë faktorë edhe në vendimet e investitorëve të huaj, të cilët konsiderojnë të nisin projekte në këtë vend.
Për tetë vjet me radhë, njerëzit në Kosovë dhe në rajon kanë qenë në betejë për të ndërtuar ekonominë dhe shoqërinë e tyre në themelet e një pasigurie. Sot, kemi mundësinë që ta heqim këtë vello dyshimi. Evropianët dhe amerikanët duhet të jenë të kujdesshëm në thirrjet e pamenduara për largim nga ky rajon, tani që Kosova është në këmbë të veta. Tensionet do të vazhdojnë të jenë të larta gjatë muajve të ardhshëm. Madje, edhe nën rrethanat ideale, ruajtja e stabilitetit në Ballkan do të kërkojë infuzione thelbësore të ndihmës për zhvillim, paqe-ruajtje dhe diplomaci të shëndoshë