Ndërlidhjet

Vendet e Ballkanit duhet të ftohen në NATO


NATO
NATO

Shqipëria ka bërë progres më të madh për anëtarësim në NATO dhe krahas Maqedonisë e Kroacisë, duhet t'i marrë ftesat për anëtarësim. Ky është vlerësimi i një grupi ekspertësh amerikanë, të cilët dëshmuan para Komitetit të Kongresit në Uashington.


Ekspertët amerikanë i thanë Komitetit të Kongresit se tri vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia, duhet të përfshihen në NATO.

Ata gjithashtu vlerësuan se Gjeorgjia dhe Ukraina duhet të lejohen që të ndërmarrin hapin vendimtar për t'iu bashkangjitur NATO-s.

Ekspertët shprehën mendimin konsensual para anëtarëve të Komitetit të Kongresit, se për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë duhet të merren parasysh përgatitjet e ftesave për anëtarësim.

Përgjigja unanime e tyre ishte një ‘Po’ për anëtarësimin e këtyre tri vendeve.

Janusz Bugajski, drejtor i Projektit për Demokracitë e reja Evropiane në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, tha se "përfshirja e të gjitha demokracive evropiane" në NATO është e rëndësishme për stabilitetin rajonal, për interesat e Shteteve të Bashkuara dhe për rindërtimin e "transatlantizmit" efektiv.

"Zgjerimi konzistent i NATO-s gjatë dekadës së fundit e ka sjellë pjesën më të madhe të Evropës në organizatë, përveç dy rajoneve të rëndësishme: Ballkanin Perëndimor dhe Detin e Zi. Përfshirja e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë, besoj që dukshëm do ta heqë këtë zonë gri në Ballkanin Perëndimor dhe do ta zgjerojë misionin e NATO-s si gjenerator i stabilitetit rajonal", tha Bugajski.

Ai gjithashtu vërejti se zgjerimi i NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe në Detin e Zi do t'i kufizonte "aspiratat ekspanzioniste" të Rusisë dhe do t'i ndihmonte aleancës që në të ardhmen të ketë edhe më shumë vende evropiane në gjirin e saj.

"E para, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë janë të vendosur që ta përforcojnë projektin e sigurisë në rajonet e afërta. E dyta, vlera e interesave të përbashkëta të sigurisë dhe interesave që burojnë nga vlerat e përbashkëta demokratike, janë më efektive sesa përpjekjet e Rusisë që të korruptojë lidershipin politik evropian dhe ta përçajë aleancën", tha Bugajski.

Michael Haltzel, nga Qendra për Marrëdhënie Transatlantike në Universitetin John Hopkins, i tha komitetit se statusi i ri i Kosovës është edhe një arsye më shumë për t’i çuar përpara planet e zgjerimit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

"Unë besoj se sfida e Kosovës e përforcon rastin për zgjerimin në Samitin e Bukureshtit. Nëse Qeveria në Beograd këmbëngul në politikën e vetizolimit nga komuniteti euroatlantik dhe madje nëse ndoshta përkohësisht bëhet gjysmë-satelit i Rusisë, atëherë do të ishte një politikë e mirë e sigurisë që t’i kemi vendet anëtare të NATO-s në pjesën më të madhe të kufijve të Serbisë", tha Haltzel.

Ai tha se Shqipëria ka bërë progres më të madh nga tri vendet kandidate.

"Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm politik dhe ekonomik në më pak se dy dekada, që kur populli i këtij vendi e përmbysi diktaturën më të prapambetur dhe më paranoike të Evropës", tha Haltzel.

Ai gjithashtu e vlerësoi lart rolin e Tiranës gjatë krizës së refugjatëve në kohën e luftës në Kosovë, si dhe maturinë që e tregoi gjatë kryengritjes së armatosur në Maqedoni, në vitin 2001.

Sa për Maqedoninë, Haltzel tha se edhe Qeveria e Shkupit i ka zbatuar reformat në polici, gjyqësi dhe ekonomi.

Të gjithë ekspertët gjithashtu ishin të mendimit se NATO-ja duhet të zgjerohet edhe me vendet e Detit të Zi.

Sipas tyre, Gjeorgjia dhe Ukraina kanë bërë progres të mjaftueshëm në fushën ekonomike, ushtarake dhe politike, gjë që i bën këto vende të kualifikohen për Planin Aksional të Anëtarësimit në Samitin e Bukureshtit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG