Ndërlidhjet

“Synimi i Serbisë është që të mbajë të tensionuar situatën”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
BOTA SOT
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga shtetet me ndikim në politikën ndërkombëtare, ka ardhur koha kur duhet t’u hiqet perdja edhe muraleve të mbuluara të Kuvendit të Kosovës. Ato janë fotografi që flasin për përpjekjet dhe sakrificën e popullit për liri, pavarësi e shtet të pavarur. Kjo sakrificë tashmë është shpërblyer, prandaj portretet e personaliteteve të shquara të historisë sonë kombëtare duhet të zbulohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës... Me 25 mars të vitit 2004 muralet (pikturat) e Kuvendit të Kosovës janë mbuluar me “perde” të bardha, duke e fshehur kështu bukurinë dhe përmbajtjen e tyre artistike e historike. Atëbotë qe proklamuar se arsyeja kryesore e mbulimit të këtyre muraleve me fotografi të ngjarjeve historike të popullit shqiptar, ishte kërkesa e deputetëve serbë...

ZËRI
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha dje se institucionet e vendit kanë konfirmimin e mbi 80 shteteve, që do ta njohin pavarësinë e Kosovës. I pari i vendit është shprehur i kënaqur, por edhe i befasuar me ritmin e shpejtë të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet e tjera, derisa ka shprehur bindjen se Serbia nuk do të mund ta bllokojë procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Ne jemi të kënaqur me ritmin e njohjeve dhe mendoj se është një ritëm normal që është befasues për të mirë në krahasim me historinë e vendeve të tjera dhe kapërcimin që kanë bërë...”, ka deklaruar Sejdiu...

EPOKA E RE
Në rrethana të reja pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së shtetit nga vendet më të fuqishme në botë në krye me SHBA-të dhe vendet kyçe të BE-së, spektri politik në Kosovë do të duhej t’i zhvillojë aktivitetet e veta normale. Kështu ka thënë në një intervistë për “Epokën e re”, anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Naser Rugova. Ai ka thënë se edhe serbët duhet ta pranojnë realitetin e ri dhe dalëngadalë të fillojnë të fillojnë të bëhen pjesë e jetës së Kosovës. Rugova ka thënë se LDD-ja i ka dyert e hapura për të gjithë të pakënaqurit me politikën e LDK-së...

KOSOVA SOT
Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka sulmuar ashpër kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, i cili ka rikthyer retorikën e Luftës së Ftohtë në Ballkanin e shekullit XXI. Në një intervistë për revistën kroate “Globus”, Kadare analizon situatën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës e njohjes së shtetit të ri nga thuajse e gjithë bota perëndimore. “Situata ka qenë absurde para njohjes së Kosovës. Shqiptarët kanë qenë popull i huaj në Serbi. Ata nuk kanë asgjë kulturore të përbashkët me serbët. Shqiptarët kanë kulturë e gjuhë tjetër, ndërsa ndër vite u është dashur të jetojnë nën administrimin serb. Kjo më nuk ishte absurde, por tragjike...”, është shprehur Kadare...

LAJM
Ambasadori amerikan në Beograd, Cameron Munter, deklaroi të hënën se statusi final i Kosovës nuk i shkel parimet e së drejtës ndërkombëtare. Ai tha se Serbia mund të vazhdojë të merret me këtë temë, por Kosova tani është shtet i pavarur. “Rezoluta 1244 e lejon zgjedhjen e arritur, sepse gjendja ekzistuese ka qenë e paqëndrueshme. Me planin e Ahtisaarit sigurohen të gjitha të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovës, duke përfshirë edhe serbët. Ky plan u refuzua nga Qeveria serbe, sepse, siç dihej, ajo gjithnjë ka menduar për kufij, por dikush ashtu sikur unë, mendojmë për njerëz”, tha Munter për një televizion lokal të Zrenjaninit...

EXPRESS
Beogradi aktualisht nuk do të shtyjë çështjen e ndarjes së Kosovës, edhe pse ky opsion do të mbetet si një “gomë rezervë” për zyrtarët serbë. Protestat dhe verimet e ndryshme në pjesën veriore të vendit, me të cilat shfaqet refuzimi kategorik i serbëve ndaj pavarësisë, kanë për qëllim që të krijojnë një ambient të pasigurt dhe ta prezantojnë si të pakuptimtë krijimin e shtetit të ri. Një qëllim tjetër i Beogradit është që të tregojë se mund të bëjë çka të dojë në Kosovë me synimin që shteti më i ri të paraqitet si jofunksional, thonë analistët...

NACIONAL
Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare ende është lidhur me atë të Serbisë. Kështu të paktën e interpretojnë analistët këtë proces. Çështja e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshill të Evropës, OSBE, duket se mund të hapë debat të nxehtë ndërmjet Kosovës deh Serbisë. E tëra çka thonë analistët politikë është se pa një bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk do të mund të ketë as anëtarësim të asnjërit vend...

KOHA DITORE
Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, ka deklaruar, të hënën, se e ka vënë në dijeni Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, se Serbia do të kërkojë në ditët në vijim mbajtjen e takimit të ri të Këshillit të Sigurimit, ku do të kërkojë vazhdimin e negociatave për statusin e Kosovës. “Ne besojmë se vetëm nëpërmjet vazhdimit të procesit negociator do të mund të arrihet zgjidhja, e cila do ta sjellë paqen...”, ka thënë Jeremiq. Ai ka pohuar se ka marrë konfirmimin se Ban Ki-Moon e ka urdhëruar shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker, se nuk mund të ndodhë bartja e kompetencave tek ndonjë mision tjetër civil dhe se UNMIK-u do të vazhdojë të punojë në përputhje me Rezolutën 1244...

INFOPRESS
Me moton “Bac u kry” shënohet dhjetëvjetori i “Epopesë së UÇK-së”, respektivisht rënia historike e komandantit legjendar Adem Jashari dhe sakrifikimit të 50 anëtarëve të familjes Jashari. Ky manifestim tradicional organizohet nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa bartës i aktiviteteve do të jetë Shtabi i Përgjithshëm i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës. Epopeja e sivjetme do të ketë karakter të veçantë, pasi që për herë të parë shënohet në shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës...


XS
SM
MD
LG