Ndërlidhjet

Scheffer: Maqedonia të zgjidhë çështjen e emrit


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer i bëri thirrje Maqedonisë që ta zgjidhë kontestin disavjeçar të emrit me Greqinë, në mënyrë që t'i rritë gjasat për anëtarësim në aleancën muajin e ardhshëm.

"Greqia është anëtare historike e NATO-s, vendet aspirante nuk janë anëtarë dhe këtu qëndron dallimi themelor", tha Scheffer në Athinë pas takimit me udhëheqësit e Greqisë.

Ai tha se "dyert e NATO-s janë të hapura", por vendet kandidate duhet të bëjnë përpjekje për t'u bërë anëtarë.

"Siç e dini, ftesat do të lëshohen vetëm në bazë të performancës", tha Scheffer pas takimit me shefen e diplomacisë greke, Dora Bakoyannis.

Kryeministri i Greqisë Costas Karamanlis tha sot se vendi i tij nuk do të dakordohet me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO nëqoftëse nuk arrihet kompromis për emrin.

"Përderisa ky vend fqinj këmbëngul në pozicionin e papajtueshmërisë, përgjigja është se "pa zgjidhje nënkuptohet se nuk ka ftesë", tha Karamanlis.

Maqedonia është një ndër tre vendet, që krahas Shqipërisë dhe Kroacisë presin të marrin ftesë për anëtarësim në samitin e Bukureshtit në muajin prill.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të takohen në 6 mars në Bukuresht për të zhvilluar diskutimet finale mbi aspiratat e tri vendeve.

Scheffer gjithashtu tha se samiti i Bukureshtit ndërmjet NATO-s dhe Rusisë do të jetë "shumë i rëndësishëm".

"NATO nuk mund të bëjë pa Rusinë, dhe Rusia nuk mund të bëjë pa NATO-n", tha Scheffer.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG