Ndërlidhjet

Bardosh: Qeveria e Serbisë duhet të japë shpjegime


Gordon Bardosh
Gordon Bardosh

Shpresoj të jetë një lëshim dhe jo qëllim i policisë për t'u lejuar protestuesve kalimin për të sulmuar ambasadat në Beograd", thotë Gordon Bardosh, ekspert nga Universiteti Kolumbia /SHBA/



RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni zhvillimet e fundit në Beograd, përkatësisht djegien e Ambasadës amerikane dhe sulmet ndaj disa ambasadave tjera?

GORDON BARDOSH
Policia e Serbisë ka bërë lëshime, sepse incidentet në tubime të këtilla mund të parashikohen.

Është dashur që para Ambasadës amerikane dhe ambasadave tjera, që ishin cak i sulmeve, të viheshin forca të mëdha të sigurimit.

Shpresoj të jetë një lëshim dhe jo qëllim i policisë për t'u lejuar protestuesve kalimin për të sulmuar ambasadat. Nëse nuk është kështu, atëherë kemi të bëjmë me një problem shumë serioz.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë jemi dëshmitarë të një anti-amerikanizimi të theksuar në Serbi. Kryeministri Koshtunica ka hedhur akuza të rënda ndaj Shteteve të Bashkuara...

GORDON BARDOSH
Është evdient frustrimi shumë i fuqishëm në opinionin e Serbisë dhe në elitën politike ndaj veprimeve të fundit të Shteteve të Bashkuara.

Por, nëse bëhet analizë më e hollësishme, fitohet përshtypja se palët janë të angazhuara që situatën ta mbajnë nën kontrroll.

Kur bëhet fjalë për Serbinë, pos retorikës së ashpër, hapat konkretë janë më të matur. Ajo vetëm ka tërhequr ambasadorët nga vendet që kanë njohur Kosovën, por nuk ka ndërprerë marrëdhëniet me ato dhe as që ka dëbuar ambasadorët e këtyre vendeve nga Beogradi.

Nga ana tjetër, vendet që kanë njohur Kosovën nuk janë përgjigjur me tërheqjen e ambasadorëve të tyre nga Beogradi.

Por, zhvillimet e fundit në Beograd sinjalizojnë për një situatë shumë të rrezikshme që mund të dalë jashtë kontrrollit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni reagimet e para të Uashingtonit ndaj zhvillimeve të fundit në Beograd?

GORDON BARDOSH
Shpresoj që Qeveria e Serbisë të ofrojë shpjegime të duhura, se nuk kemi të bëjmë me synim të policisë dhe të japë garanca se situata nuk do të dalë jashtë kontrrollit.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, çfarë do të bëhet nëse Serbia nuk jep këto shpjegime?

GORDON BARDOSH
Është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ta mbajnë situatën nën kontrroll.

Do të jetë shumë e rëndësishme që në muajt dhe vitet e ardhshme, Uashingtoni dhe Brukseli të ndajnë çështjen e Kosovës nga raportet e tyre me Serbinë.

Edhe Serbia duhet ta ndajë çështjen e raporteve me BE-në nga çështja e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Tensione ka edhe në veri të Kosovës. A ka rrezik nga ndonjë zhvillim i pakontrrolluar?

GORDON BARDOSH
Situata në pjesën veriore të Kosovës është shumë delikate. Brengos deklarata e një ministri në Qeverinë e Serbisë, se djegia e pikave doganore në kufi me Kosovën nga ana e serbëve lokalë, është në harmoni me politikën e Qeverisë në Beograd.

Duket se do të ketë tensione të mëdha rreth kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse Beogradi do të tentojë të mbajë lidhje sa më të ngushta me serbët në veri.

Do të shohim se çfarë do të jetë reagimi i KFOR-it dhe autoriteteve në Prishtinë ndaj përpjekjeve për të vënë kontrroll në këtë pjesë.

Pjesa veriore e Kosovës do të jetë arenë e tensioneve për një kohë të gjatë, me rreziqe të formave të ndryshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG