Ndërlidhjet

ASNJË ZGJIDHJE PËR PIKËN KUFITARE NË DEBËLLDEH


Rrahman Paçarizi nga fshati Debëlldeh

Zgjidhja për vendosjen e postobllokut kufitar Kosovë-Maqedoni në Debëlldeh nuk është gjetur as gjatë ditës së sotme, me gjithë bisedimet e shumta ndërmjet fshatarëve protestues që refuzojnë vendosjen e postobllokut katër kilometra në brendësi të tokës së tyre dhe zyrtarëve të policisë ndërkombëtare. Shefi operacional i policisë së UNMIK-ut, Robert Pedlou, që nga ora shtatë e mëngjesit ka qëndruar në Debëlldeh, në përpjekje të gjetjes së një kompromisi me fshatarët.
"Problemi është se ne po përpiqemi ta vendosim një postbllok në Debëllde, mirëpo një numër pronash dhe tokash që u përkasin fshatarëve, mbeten prapa vendit ku është propozuar vendosja e postobllokut", tha zoti Pedlou, duke shtuar se ky postbllok është planifikuar për t’iu ofruar fshatarëve të Debëlldehit mundësinë që të punojnë pronat e tyre:
“Problemi është se ata e shohin këtë si demarkim të vijës kufitare, por e vërteta është se ne po përpiqemi t’u ofrojmë atyre liri lëvizjeje dhe qasje në tokat e tyre që nuk e kanë pasur tash e sa vjet”, tha polici Pedlou. Ai tha se mund të kuptonte qëndrimin e banorëve vendës, por kjo është një çështje politike dhe politika është një gjë, ndërsa puna policore është diçka tjetër. Zoti Pedlou tha se do të përpiqen për të shfrytëzuar të gjitha mjetet për të gjetur një zgjidhje paqësore për situatën: “Ne do t’u ofrojmë banorëve të këtij fshati të gjitha mundësitë për të gjetur një zgjidhje të pjekur, profesionale dhe paqësore”, tha shefi operativ i policisë së UNMIK-ut Pedlou, mirëpo menjëherë pas largimit të tij nga Debëlldeh, nga Vitia në drejtim të këtij fshati, u nis një kolonë me rreth njëzet automjete të policisë speciale të pajisura me mjete për shpërndarjen e protestuesve, të cilët u kthyen pa iu afruar fare hyrjes së fshatit dhe u nisën në drejtim të Prishtinës.
Kryetari i fshatit Debëllde, Hamdi Hasanaj tha se zyrtarët e UNMIK-ut kishin përcjellë një kërkesë të shefit të shtyllës së parë të UNMIK-ut, Jean Caddy, për të biseduar më fshatarët, me kusht që ndërkohë të lejohej fillimi i punimeve për ndërtimin e vendkalimit kufitar, kërkesë që fshatarët nuk e kanë pranuar, tha Hasanaj.
“Mund të bisedojmë me UNMIK-un vetëm kur të pezullohet puna përkohësisht, përndryshe nuk ka bisedime dhe qëndrojmë prapa kërkesave tona. Hapi ynë i mëtejshëm dihet, ne nuk heqim dorë nga pronat tona”, tha zoti Hasanaj duke bërë të ditur se Robert Pedlou u kishte thënë fshatarëve se nëse nuk do të hiqnin barrikadat, atëherë barrakat për vendikalimin kufitar do të barteshin me helikopter.
Një tjetër pjesëmarrës i bisedimeve tha: “Ne si kryesi dhe këshilltarë të fshatit i thamë zyrtarit të lartë të UNMIK-ut se ne nuk marrim asnjë përgjegjësi për ndonjë incident, pasi UNMIK-u është gjenerator i krejt kësaj krize, që vendos postobolloqe nëpër tokat tona pa u konsultuar me banorët”.
Trazirat sot janë zgjeruar edhe në qytezën e Vitisë, pasi fshatarë të Debëlldehit që përkohësisht jetojnë në Viti nuk janë lejuar të ngjiten në fshat. Ata kanë krijuar barrikada në qytezë duke penguar edhe depërtimin e policisë atje. Me këtë rast Kuvendi i komunës ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme duke u vënë në mbështetje të fshatarëve protestues, tha kryetari i komunës Musa Misini, që vizitoi protestuesit e barrikaduar në Debëlldeh: Kuvendi komunal, nxori qëndrimin t’u drejtohet të gjitha institucioneve relevante ndërkombëtare, presidencës, kuvendit dhe qeverisë së Kosovës, që seriozisht të merren me këtë çështje kaq të mprehtë me qëllimin më të mirë, që të realizohen kërkesat legale dhe legjitime të qytetarëve”, tha z. Misini
Ndërkohë, situata në Debëlldeh mbetet e tensionuar, ndërsa fshatarët janë në pritje të ndërhyrjes së dhunshme të policisë. Zyrtarët e policisë ndërkohë thonë se janë në kërkim të zgjidhjes paqësore të situatës së krijuar, duke u përpjekur të bindin fshatarët se vendosja e vendkalimit kufitar nuk është edhe përcaktim definitiv i vijës së re kufitare të vendosur sipas marrëveshjes ndërmjet Serbisë e Maqedonisë, nga shkurti i vitit 2001, me të cilën Kosova ka humbur 2500 hektarë toke

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG