Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS MIRATOI PROGRAMIN E QEVERISË HARADINAJ


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përmbushja e standardeve, forcimi i sundimit të ligjit dhe institucionet janë prioritetet themelore të qeverisë së Kosovës, ndërkohë që synimet janë për një kushtetutë, paralelisht me përcaktimin e statusit përfundimtar, ka thënë sot kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, duke i paraqitur Kuvendit të Kosovës programin e qeverisë.
Seanca e sotme e Kuvendit ka filluar me betimin e deputetëve, pasuar nga zgjedhja dhe betimi i zëvendësministrave të qeverisë Haradinaj. Më pas, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se programi shkrin agjendën e standardeve për Kosovën, që siguron bërjen e Kosovës shtet në proces:
"Si prioritet të parë standardet dhe statusi, me radhë forcimi i institucioneve, përmirësimi i qeverisjes dhe plotësimi i kuadrit ligjor, ndërtimi i një administrate të përgjegjshme dhe shteti ligjor, rritja ekonomike dhe punësimi", tha Haradinaj, duke vlerësuar se qytetarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e standardeve për të ardhmen e tyre, prandaj Kosova ka nevojë të shohë rezultate të ngutshme në fushë të përmbushjes së standardeve, sundimit të ligjit dhe rritjes së shkallës së tolerancës.
Ai tha se Kosova nuk ka perspektivë me imazhin e dhunës:
"Duhet të nxirren të gjitha përvojat dhe mësimet nga ngjarjet e marsit, si nga ne ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Qeveria do ta bëjë të qartë se përdorimi i dhunës dhe rrezikimi i rendit nuk janë të lejueshme".
Kryeministri Hardinaj tha se institucionet e Kosovës do të duhet ta shtrijnë pushtetin në gjithë territorin e saj, përfshirë integrimin e veriut si dhe ka konfirmuar gadishmërinë e plotë për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës.
Duke folur për përcaktimet strategjike të qeverisë, Haradinaj tha:
"Bazë për përcaktimin e statusit të Kosovës do të jetë vullneti politik i popullit për pavarësi dhe njohja e pavarësisë. Kosova dhe qeveria e saj do të punojnë që të kenë marrëdhënie të mira me fqinjët dhe me BE-në, SHBA-në, Grupin e Koantaktit, NATO-n dhe OKB-në".
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka shpjeguar detajisht secilin nga prioritetet e qeverisë së tij.
Më pas, Hashim Thaçi, kryetar i partisë më të madhe opozitare, PDK tha se përveç vërejtjeve kishte edhe disa rekomandime për qeverinë:
"Qeveria do të duhej zotuar më vendosmërisht se Kosova do të jetë shtet ku gjuha shqipe dhe ajo serbe do të jenë gjuhë zyrtare, pjesëtarët e komuniteteve të tjera do të kenë të drejtë të praktikojnë dhe komunikojnë në gjuhët e tyre në të gjitha nivelet e institucioneve të Kosovës".
Zoti Thaçi kërkoi afatizimin e nxjerrjes së kushtetutës dhe zotimin për hedhjen poshtë të të gjitha ligjeve serbe, ndërsa porositi qeverinë që të përqendrohet edhe në bashkëpunimin me shtetet fqinje, duke respektuar integritetin territorial të njëri-tjetrit dhe hapjen e ndërsjellë të zyrave të ndërlidhjes.
Ndërkaq, udhëheqësi i Listës qytetare "Ora", Veton Surroi, pasi e quajti programin e qeverisë më të avancuar sesa ai i qeverisë së kaluar në disa aspekte, por tha se programi ka disa të meta, më e madhja e të cilave është se koncepti juridik mbështetet në tre apo katër sisteme të ndryshme juridike.
Zoti Surroi tha se programi qeverisës nuk reflekton konkretësinë e Kosovës, por jep modele të përgjithësuara për të gjitha vendet e botës së tretë, sa i përket zhvillimit ekonomik dhe sistemit bankar. Surroi shprehu dyshimin se disa ministra mund të përmbushin programin e paraqitur sot:
"Ekziston një mospërputhje ndërmjet obligimeve që ka marrë qeveria dhe kapacitetit intelektual apo menaxherial të disa prej anëtarëve të qeverisë që nuk mund t’u përgjigjen këtyre sfidave", tha Surroi, ndërkohë që deputeti Ylber Hysa, po nga "Ora", ndër të tjera kërkoi shpjegim nëse deklarata e kryeministrit Haradinaj se Graçanica do të jetë komunë, është qëndrim i tij personal apo pjesë e programit qeverisës.
Alush Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së kërkoi argumente për realizueshmërinë e programit të paraqitur, ndërsa deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti kërkoi që qeveria të shpjegojë punën e decentralizimit
"Unë shtroj pyetjen se ky nuk paraqitet si standard kurrë nominalisht në dokumente, por ne po shohim që është bërë standardi numër një i veprimeve praktike politike të qeverisë, që i bie pak si tinëzisht në kuptimin institucional. Unë mendoj se duhet të shtrohet problemi nëse është decentralizim apo reformim i administratës lokale".
Deputeti Hamiti tha se decentralizimi mbi kritere etnike është i papranueshëm si legalizim i enklavave.





Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG