Ndërlidhjet

GRUPI PUNUES DISKUTOI ÇËSHTJEN E DECENTRALIZIMIT NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kriteret për zgjedhjen e komunave ku do të zbatohen pilot-projektet për reformën e pushtetit lokal, kanë qenë në qendër të diskutimeve dhe mospajtimeve në takimin e sotëm për decentralizimin. Zyrtarë të qeverisë së Kosovës që morën pjesë në takim thanë se propozimi i fundit i Këshillit të Evropës për decentralizimin është shmangie nga dokumenti bazë që e ka miratuar qeveria Rexhepi. Hysni Bajrami, drejtor i departamentit për administratë lokale në Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe anëtar i grupit punues për decentralizimin, tha se vërejtjet kanë të bëjnë me njësitë që do të përfshihen në pilot-projekte:
"Kishim disa vëretje në propozimin e dhënë nga Këshilli i Evropës, vërejtje që janë në koncept rreth disa njësive që do të përfshihen në pilot-projekt. Kishim disa mospajtime dhe kemi bindjen se kishte disa shmangie nga dokumenti bazë, se kush do të përfshihet në pilot-projekt, çfarë do të merret si kriter për përcaktimin e pilot-projekteve dhe disa çështje të tjera që e kanë peshën e vet."
Sipas kornizës për reformimin e pushtetit bërë nga qeveria e Kosovës dhe UNMIK-ut, pilot projektet do të zbatohen si mostra provuese në disa njësi nënkomunale, për të parë se si funksionon modeli i ri i pushtetit lokal.
Zëdhënësja e UNMIK-ut Izabela Karlovicz, tha se takimi i sotëm, që është mbajtur në nivel ekspertësh kishte për qëllim diskutimin e propozimit për pilot-projektet:
"Takimi është përqendruar në diskutimet për kriteret mbi bazën e të cilave duhet të seleksionohen vendet ku do të aplikohen pilot-projektet," tha zëdhënësja Karlovicz.
Ndërkohë, serbët e Kosovës, të cilët në fazën e shkuar të procesit morën pjesë vetëm si vëzhgues, këtë herë nuk kanë marrë pjesë në takim. Dragisha Kërstoviç, përfaqësues i "Listës Serbe për Kosovën e Metohinë" tha se parakusht për pjesëmarrjen e serbëve është pranimi i planit të qeverisë së Serbisë për decentralizimin:
"Nuk është kusht që nga ky plan të pranohet çfarëdoqoftë, por elemente që janë thelbësore dhe natyrisht të rëndësishme", tha Dragisha Kërstoviç, sipas të cilit, vetëm në atë rast mund të flitet për pjesëmarrjen e serbëve në grupet punuese për decentralizimin.
Pavarësisht nga kjo, zoti Hysni Bajrami tha se propozimi më i ri i Këshillit të Evropës paragjykonte kritere etnike për decentralizimin:
"Kishte disa propozime që shkonin nga ajo që projekti të jetë me ngjyrosje pak etnike dhe kjo është shmangie nga dokumenti bazë dhe për këtë arsye e kemi krijuar nëngrupin, që do ta modifikojë dhe do ta kthejë edhe një herë procesin brenda kornizës, që jemi marrë vesh dhe që e ka aprovuar qeveria e Kosovës".
Kriteret etnike për decentralizimin janë hedhur poshtë nga qeveria e shkuar dhe qeveria aktuale e Kosovës, mirëpo zëdhënësja Karlovicz tha se propozimi i sotëm nuk ishte vendim, por vetëm propozim:
"Ky takim kishte të bënte kryesisht me debate dhe diskutime për këtë propozim dhe ky propozim nuk do ta thotë në asnjë mënyrë që është përfundimtar," tha Karlovicz, për të precizuar se puna e grupeve punuese do të vazhdojë në fillim të vitit të ardhshëm, ndërkohë që zoti Bajrami tha se nesër do të ketë edhe një takim për të formuar një nëngrup, i cili do ta harmonizonte propozimin e ri me dokumentin bazë për reformimin e pushtetit lokal, që është njëri nga standardet prioritare.


XS
SM
MD
LG