Ndërlidhjet

NË KOSOVË SHËNOHET NIVELI I ULËT I INFEKTIMIT ME VIRUSIN HIV


Nadije Ahmeti, Prishtinë

Në Kosovë ende nuk dihet shtrirja e saktë e epidemisë të virusit HIV që njihet me akronimin SIDA. Edona Deva nga Ministria e Shëndetësisë, e cila udhëheq edhe komitetin kosovar të SIDA-s, tha se ky virus për herë të parë në Kosovë është paraqitur në vitin 1986 dhe prej atëhere janë evidentuar 58 raste të infektimit prej tyre 28 persona kanë gjetur vdekjen. Edhe përkundër kësaj zonja Deva tha se Kosova ende vazhdon të mbetet vendi me nivelin më të ulët të të infektuarve me virusin HIV.
"Në radhë të parë duhet të kuptohet seriozisht problemi në instancat më të larta qeveritare. Sepse AIDS-i nuk është prioritet në Kosovë dhe falë zotit që nuk është prioritet sepse është sëmundje që aq shumë e kushton një vend, saqë dështojnë të gjitha sistemet me radhë, duke filluar që nga sistemi shëndetësor, ai ekonomik, politik dhe juridik."
Zonja Deva ndërkaq tha se mosha e personave të infektuar me këtë virus sillet prej 30-39 vjeç të të dyja gjinive, por tani kategoritë më të rrezikuara janë nga më të ndryshmet.
"Kur thuhet se epidemia është e shkallët të ulët, atëhere mendohet se ajo është e përqëndruar në disa komunitete apo popullatë me rrezik të lartë, e ato janë punëtoret e seksit komercial, apo prostitutat si njihen në popull, klientët e tyre, abuzuesit e drogave injektuese pra ata që e marrin me gjilpërë drogën, homoseksualët meshkuj, janë të burgosurit, është popullata migruese".
Ndryshe Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë edhe Ministrinë e Kulturës, vitin e kaluar kanë nënshkruar një deklaratë mbi përkushtimin, e cila është pjesë përbërëse e strategjisë për parandalimin e virusit HIV në Kosovë, gjatë viteve 2004-2008. Në këtë deklaratë me të tjerash thuhet se njerëzit që jetojnë ose janë të infektuar me virusin HIV, duhet t'i kenë të drejtat e njëjta pa ndonjë frikë dhe diskriminim. Një gjë të tillë e pohon edhe Isuf Zeneli, sekretar në Ministrinë e Arsimit.
"Qëllimi ynë ka qenë që të nisemi prej një mendimi pozitiv që nuk kemi të sëmurë dhe dëshirojmë që paraprakisht ta ndalojmë këtë. Por nëse vjen deri tek ajo që dikush aksidentalisht është i infektuar me sëmundjen e AIDS-it, atëhere normal që ne, sikurse çdo pjesëtar tjetër, si çdo nxënës,do t'i gëzojë të drejtat e veta."
Por çfarë njohurish ka në përgjithësi tek të rinjtë kosovarë për SIDA-n si kategori e rrezikuar nga ky virus?
Ardita Bytyçi thotë se burimi i vetëm i informimit janë mediat. "Për SIDA-n, që është një sëmundje e pashërueshme, mendoj se është një faktor shumë negativ që paraqitet në Kosovë, sidomos tek rinia e Kosovës. Pa marrë parasysh prej të gjitha këtyre, prapë se prapë ka filluar të rritet numri i të infektuarve me këtë sëmundje."
Arben Kastrati, nxënës, megjithatë pohon se edhe mësimdhënësit janë ata të cilët ligjërojnë për rrezikun që sjell virusi HIV.
"Na japin informata për SIDA-n na tregojnë se është e rrezikshme". Megjithatë Ilir Tolaj, shefi i repartit për HIV- AIDS në Klinikën infektive, thotë se që prej përfundimit të luftës, rastet e të infektuarve me këtë virus kanë shënuar rritje. Mbi të gjitha ai tha se pret me shqetësim periudhën pas pesë vjetësh, atëhere kur do të mbushen dhjetë vjet nga përfundimi i luftës. "Atëhere do ta shohim produktin edhe të punës sonë në parandalimin e kësaj sëmundjeje, në informimin e popullatës, po ashtu edhe influencën, ndikimin që ka patur kjo ngjarje e pasluftës me prezencën e shumë njerëzve nga shumë vende të botës në Kosovë".



XS
SM
MD
LG