Ndërlidhjet

NË PRISHTINË PROTESTOHET NË MBËSHTETJE TË FATMIR LIMAJT, HARADIN BALAJT DHE ISAK MUSLIUT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Dhjetra mijëra qytetarë kanë protestuar sot në Prishtinë kundër procesit të gjykimit të Fatmir Limajt, Haredin Balajt dhe Isak Musliut, në Tribunalin e Hagës. Protesta u organizua nga shoqatat e dala nga ish-Ushtria Çlirimitare e Kosovës dhe Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës. Protestuesit mbanin pankarta solidariteti me Fatmir Limajn dhe dy të akuzuarit e tjerë, duke shprehur bindjet se ata nuk kanë bërë krime, por janë heronj të luftës. Në emër të shoqatave të dala nga lufta foli Sherif Krasniqi, cili u është kundërvënë balanseve, si tha ai, në mes të viktimës dhe kriminelit, që po bëhet në gjykatën e Hagës. Ai tha se në Hagë po gjykohen çlirimtarët e Kosovës dhe njëkohësisht shprehu pakënaqësinë e tij dhe të protestuesve me trajtimin që Haga po u bën të burgosurve shqiptarë nga Kosova atje:
“Kjo aktakuzë, bazohet tërësisht në gënjeshtra, konstruktime, fallsifikime e tendenca politike pa asfarë dyshimi të gjithë jemi të bindur nga procedura e deritanishme që po zhvillohet në Tribunalin e Hagës. Na brengos veçanërisht sjellja jo vetëm nënçmuese, por edhe diskriminuese e organeve kinse të sigurisë të Tribunalit të Hagës ndaj Fatmirit me shokë, qoftë në vendet e paraburgimit apo të dërgimit të tyre në Gjykatë”, tha Krasniqi.
Ndërkohë, në emër të Unionit të Pavarur të Studentëve, foli kryetari i Unionit, Sejdi Hoxha. Ai tha se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe nuk kishte për qëllim të bëjë krime, por kishte si qëllim të vetin çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Lufta e drejtë, tha ai, bëri që në krah të çlirimit të Kosovës të vihen dhe Shtetet e Bashkuara dhe NATO:
“Ju atje mbroni luftën tonë të drejtë, mbroni shtetin e Kosovës, mbroni dinjitetin tonë. Kosova duhet t’ua shpërblejë luftën që e keni bërë, pavarësisht se Haga po bën politikë të balansimit. Politikë, ku edhe krimi edhe krimineli Millosheviç dhe kriminelët tjerë të tij po futen në një thes me luftën tonë çlirimtare. Nuk do t’i lejojmë askujt që të luajë me vlerat tona. Ne nuk e sulmuam askënd, por e mbrojtëm Kosovën, e mbrojtëm atdhun tonë. Nuk kishim rrugë tjera, këtë Haga e di fare mirë," tha Hoxha.
Protestuesit kanë brohoritur parulla në mbështetje të luftës së UÇK-së dhe në mbrojtje të Fatmir Limajt, i njohur gjatë luftës me nofkën komandant Çeliku. Para masës së tubuar, kanë folur dhe përfaqësues të artistëve të Kosovës, ata të sportistëve dhe gazetarëve lokalë. Protesta e sotme u është kundërvënë dhe paralajmërimeve të reja që vijnë nga Haga, duke i cilësuar këto si procese politike me qëllim të vënies së balanceve dhe me qëllim, siç thuhej, të degradimit të luftës çlirimitare në një konflikt ndër-etnik. Në fund, protestuesit u shpërndanë të qetë dhe nuk pati incidente.



XS
SM
MD
LG