Ndërlidhjet

QEVERIA KËRKON MOSVËNIEN E BARAZISË PËR KRIME LUFTE MES SERBISË DHE KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka shprehur sot shqetësim për marrjen në pyetje të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, nga zyrtarët e Tribunalit të Hagës, duke kërkuar njëkohësisht që të mos vihet shenjë e barazimit për krime të luftës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kështu thuhet në deklaratën e miratuar sot nga qeveria e Kosovës. Duke e lexuar deklaratën, zëdhënësja e qeverisë, Mimoza Kusari-Lila tha se qeveria e Kosovës ka shprehur shqetësim për kërkesën e Tribunalit të Hagës për intervistimin e zotit Haradinaj për, siç thuhet, veprimtarinë e tij në luftën e UÇK-së:
"Tërheqja e paraleles dhe vendosja e shenjës së barazimit për krimet e luftës, ndërmjet Serbisë e Kosovës është e padrejtë. Bazuar në deklaratën e Kuvendit të Kosovës për vlerat e luftës, qeveria edhe një herë vlerëson se lufta çlirimtare është një luftë e drejtë e popullit tonë".
Ndërkohë, qeveria konsideron se vlerat e luftës çlirimtare dhe kontributi i zotit Haradinaj dhe i familjes së tij nuk mund të zhvlerësohen dhe qeveria është e bindur për pafajësinë e Ramush Haradinajt:
"Qeveria konsideron se hapja e proceseve të tilla krijon konfuzion dhe paraqet pengesa serioze në konsolidimin e institucioneve tona ",tha zëdhënësja Kusari-Lila, duke lexuar deklaratën e qeverisë së Kosovës, e cila është lëshuar disa orë pasi kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, është takuar me përfaqësues të Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës, në zyrën e tyre në Prishtinë. Pas takimit, zoti Haradinaj ka lëshuar një deklaratë për shtyp në të cilën ka pohuar se kishte kërkuar sqarim për një varg çështjesh, përfshirë edhe natyrën e procedurave që ndiqen nga Tribunali.
“Unë kam ngritur një sërë pyetjesh rreth rolit të kryeprokurores, znj. Karla Del Ponte, dhe kam shprehur shqetësimin tim të thellë për vërejtjet e saj, të parashtruara të mërkurën e kaluar para Këshillit të NATO-s, në të njëjtën ditë kur mua më kanë vizituar zyrtarët e saj”, ka thënë Haradinaj, për të shtuar se zyrtarët e Tribunalit kanë dhënë ndihmesë të madhe, duke iu përgjigjur pyetjeve të tij dhe duke ndarë shqetësimet e tij.
Në fund të deklaratës së tij me shkrim, zoti Ramush Haradinaj ka thënë se "para nesh qëndrojnë sfida të rënda, individuale dhe kolektive, në rrugëtimin tonë drejt Kosovës së lirë, të pavarur dhe tërësisht demokratike."
Në anën tjetër zyrtarët ndërkombëtarë nuk kanë pranuar të hyjnë në detaje lidhur me zhvillimet rreth intervistimit të zotit Haradinaj nga zyrtarët e Tribunalit të Hagës. Komisioneri i Policisë në Kosovë, Kai Vittrup tha se kjo ishte një çështje politike që nuk i takonte atij:
"Nuk kam koment, pasi kjo është një çështje politike dhe unë jam polic dhe nuk merrem me politikë," tha komisioneri Vittrup, ndërkohë që as zëdhënësja e UNMIK-ut Mechtilde Henneke, nuk ka dhënë detaje lidhur me takimin e djeshëm në Hagë ndërmjet kryeadministratorit Soren Jessen Petersen dhe kryeprokurores Del Ponte, duke thënë se takimi ndër të tjera, ka trajtuar bashkëpunimin ndërmjet UNMIK-ut dhe Tribunalit të Hagës.
Dhe, ndërkohë që zhvillimet rreth zotit Haradinaj që është lider i partisë së tretë më të fuqishme politike në Kosovë kanë ardhur në momentin kur po zhvillohen negociata për ndërtimin e koalicioneve qeveritare, zëdhënësja e UNMIK-ut Henneke tha se hetimet në këtë rast nuk e pengojnë zotin Haradinaj ta mbajë postin e deputetit në Kuvendin e Kosovës:
"Nëse dikush është nën hetime dhe bashkëpunon me hetuesit, mund ta mbajë postin e deputetit në parlament," tha Mechtilde Henneke.
Ndërkohë, në deklaratën e tij, zoti Ramush Haradinaj nuk ka përcaktuar se kur do të vazhdojë bisedat me zyrtarët e Hagës, por ka thënë se pasi kanë mbetur disa çështje ende të pasqaruara, do të jetë e nevojshme që diskutimet e mëtejme të vazhdojnë më vonë, duke theksuar po ashtu se "diskutimet tona janë ende të kufizuara në çështjet preliminare dhe procedurale."

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG