Ndërlidhjet

A. MOISIU: KORRUPSIONI BËHET NGA NJERËZ NË PUSHTET


Alma Çupi, Tiranë

Dëshirat dhe përpjekjet për të integruar Shqipërinë në strukturat euroatlantike kanë një pengesë serioze. Dhe kjo pengesë është korrupsioni në administratë dhe në shoqërinë shqiptare. Me këto fjalë iu drejtua sot presidenti i Republikës Alfred Moisiu, të gjithë studentëve të Fakultetit Juridik, duke apeluar se lufta ndaj korrupsioni është një detyrë kombëtare.
"Ne kemi humbur dekada nën diktaturë dhe vite të çmuara në tranzicion. Tani nuk na lejohet që për shkak të një qeverie qytetarësh të papërgjegjshëm, të rrezikojmë humbjen e shpresës tek e ardhmja. Shqipëria dhe qytetarët e saj nuk duhet të bien peng, e përsëris dhe njëherë nuk duhet dhe nuk mund të mbeten peng i një krimi publik kundër ligjit dhe shoqërisë."
Presidenti Moisiu fjalimin e sotëm nuk e konsideroi si një fjalim politik të radhës, por për të shprehur papajtueshmërinë dhe protestën e tij në rolin e kryetarit të shtetit ndaj gjendjes aktuale të korrupsionit në administratën shqiptare. Ai theksoi se hapat e shënuara në luftën kundër korrupsionit, janë tepër të pamjaftueshme dhe hera herës motivohen nga interesa imediate.
"Korrupsioni është i prekshëm dhe po bëhet nga njerëz në pushtet. Kjo gjëndje e papranueshme dita ditës po shfaqet si një gangrenë që kërcënon jo vetëm ecjen tonë përpara, por edhe shpresat për të ardhmen".
Në këtë takim ishin edhe përfaqësues të Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe koalicionit anti-korrupsion. Kryetari i kësaj zyre Kreshnik Spahiu tha se një nga çështjet më të diskutuara është pastërtia e zyrtarëve, në lidhje me vërtetësinë në deklarimet e pasurive të tyre.
"Procesi i deklarimit të pasurive dhe të ardhurave që ata disponojnë, kanë ngjallur krizë besimi të qytetarëve, në lidhje me vërtetësinë dhe seriozitetin e këtij procesi. Ndërkohë presidenti i Republikës së Shqipërisë, prej shumë kohësh është i angazhuar dhe i interesuar për mbarëvajtjen e këtij procesi. Çdo ditë po ndiejmë se si qeveritarët po humbasin autoritetin e publikut për shkak të shpërdorimit politik për përfitime private."
Në lidhje me deklarimet e pasurive të bëra nga zyrtarët e shtetit, presidenti Moisiu kërkoi që prokuroria të veprojë sipas ligjit, duke u përballur vendosmërisht me krimin, por kurrësesi duke hezituar, apo më keq duke ndenjur spektatore. Të njëjtin apel bëri edhe me gjyqësorin shqiptar në lidhje me faktet që servir media ku dalin qartë aferat e pushtetarëve me krimin dhe korrupsionin.
"Tani është koha që edhe gjyqësori të tregojë me fakte se vërtet është i pavarur nga politika dhe qëndron plotësisht në anën e ligjit dhe që meriton besimin tonë mbarëshqiptar."
Në takimin e presidentit Moisiu me studentët folën edhe vetë të rinjtë të cilët shprehën indinjatën për fenomenet që pengojnë zhvillimin e shoqërisë dhe vrasin shpresën për të ardhmen e tyre në Shqipëri.
XS
SM
MD
LG