Ndërlidhjet

PAVLOVIÇ:"SERBËT E DIJNË SE E KANË HUMBUR KOSOVËN"


Stevan PAVLOVIÇ, ligjërues në Universitetin Sauthempton në Britaninë e Madhe


RADIO EVROPA E LIRË
Ditëve të fundit flitet shumë për Kosovën, zhvillimet e fundit atje, statusin e saj...Çfarë mendoni ju?

S. PAVLOVIÇ
Është e vërtetë se persona të caktuar, javët e shkuara deklaruan se ndoshta zgjidhja më e mirë tani është që serbët dhe shqiptarët plotësisht të ndahen. Nëse urrejtja është e atillë që njerëzit nuk duan apo nuk mund të jetojnë me njëri tjetrin, e as pranë njëri tjetrit në hapësirat e njëjta, ndoshta më mirë është të jenë të ndarë se sa të përndjekin njëri tjetrin.
Zgjidhja e fundit do të ishte që bashkësia ndërkombëtare të merr vendimin, i cili për Kosovën do të ishte një apart-hejd dhe të heqë dorë nga shumëetniciteti.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka patur ide të ndryshme për ndarjen e Kosovës që u paraqitën pas ngjarjeve të fundit. A është kjo reale, apo serbët herët apo vonë duhet të pajtohen me humbjen e Kosovës?

S. PAVLOVIÇ
Ndarja e Kosovës, në një farë mënyre për bashkësinë ndërkombëtare do të thoshte se për momentin, në këtë pjesë të Ballkanit, komunitetet e ndryshme nuk mund të jetojnë së bashku. Kjo do të ishte disfatë për bashkësinë ndërkombëtare. Shtrohet pyetja nëse opinioni serb mund të pajtohet me humbjen e Kosovës. Unë mendoj se opinioni serb tashmë është pajtuar me humbjen e Kosovës, por këtë ende nuk guxon t'ia pranojë vetes. Por do të duhet të pajtohet me faktin se Kosova që moti nuk është e Serbisë, se Kosova nuk ka qenë e Serbisë as në vitin 1912, se popullata shqiptare atje asnjëherë nuk ka dashur të jetë pjesë e Serbisë, se çlirimet e Kosovës pas Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Dytë Botërore, në fakt kanë qenë pushtime.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse Kosova do të pavarësohej, a do të ishte e mundur të ruhet tërësia e Bosnjes dhe Maqedonisë, duke patur parasysh çështjen shqiptare në Maqedoni, dhe çështjet e serbëve dhe kroatëve në Bosnje?

S. PAVLOVIÇ
Po, mirëpo deri diku është realizuar spastrimi etnik në Bosnje. Edhepse formalisht nuk është pranuar, është fakt se kjo ka ndodhur, dhe tani ka entitete të ndryshme. Është çështje e së drejtës ndërkombëtare që kjo të pranohet dhe të ndryshohen kufinjtë. Tani duhet shkuar edhe më tej, duhet të ndodhë çintegrimi formal i Bosnjë-Hercegovinës.
Bashkësia ndërkombëtare do të dëshironte që këtë ta zgjidhë në mënyrën më pak të dhembshme, dhe të ekzistojë vetëm një shtet, të paktën formalisht. Por, që entitetet e ndryshme të mund të kenë lidhje të veçanta me shtetet amë, me Kroacinë dhe me Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë që shumica në Serbi e kuptojnë se Kosova në fakt është e humbur. A thua deklaratat e pushtetarëve se kurrsesi nuk do të dakordohen që Kosova të pavarësohet paraqesin bindjen e tyre se kjo mund të ndodhë, ose janë të vetëdijshëm se kjo s'është reale, dhe humbjen e Kosovës përpiqen ta kompenzojnë me bashkangjitjen e Republikës së Serbëve të Bosnjes?

S. PAVLOVIÇ
Gjithsesi, deklaratat se për kurrfarë çmimi nuk do të lejohet që Kosova të fitojë pavarësinë, janë deklarata të papërgjegjshme, demagogjike dhe madje fanatikisht vetëvrasëse. Si do të shkohet në Kosovë, me çfarë masash dhe mjetesh do të sigurohet që Kosova të bëhet e Serbisë dhe përgjithmonë të mbetet nën Serbinë?
Nëse kjo është lojë politike, që të hiqet dorë nga një fiksion në shkëmbim për bashkimin me Republika Serpskën, unë nuk besoj që qeveria e sotme në Serbi për këtë ka peshë dhe shkathtësi të mjaftueshme diplomatike. Megjithate, duhet gjetur një zgjidhje për serbët që kanë mbetur në Kosovë, si dhe për kishat dhe manastiret, që janë vende të shenjta për serbët dhe pjesë e trashëgimisë kulturore të Evropës.
Serbia gjithsesi mund të luftojë përmes rrugës diplomatike për mbrojtjen e serbëve të mbetur atje dhe objekteve kishtare, të angazhohet për të drejtat e pakicës serbe dhe ruajtjen e përmendoreve të kulturës.

RADIO EVROPA E LIRË
Lidhur me pyetjen e mëparshme, a thua pas deklaratave në Serbi se Kosova është djepi i shtetit, i kombit dhe identitit serb, qëndron lidhja mitologjike...

S. PAVLOVIÇ
Athua Kosova vërtetë ka qenë ashtu siç thuhet shpesh herë djepi i Serbisë mesjetare? Ajo ka qenë pjesë e territorit të sundimtarëve serbë. Por Serbia mesjetare nuk ka filluar atje, dhe në fund Kosova u bë varri i Serbisë mesjetare.
Si do që të jetë, nuk është punë e shëndoshë që identiteti i sotëm apo i ardhshëm të ndërlidhen me territoret e humbura. Identiteti i shëndoshë formohet në bazë të asaj që vërtet posedohet dhe në bazë të idealeve, të cilat shoqëria i synon.

Intervistoi: D. SHTAVLJANIN

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG