Ndërlidhjet

KOSOVA KA INSTITUCIONET E NEVOJSHME PËR TË KONTROLLUAR KORRUPSIONIN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Institucionet e Kosovës si dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara i kanë mekanizmat e tyre të parandalimit dhe të kontrollit kundër korrupsionit, kanë deklaruar zyrtarë të institucioneve kryesore të Kosovës dhe zyrtarë të UNMIK-ut, duke iu përgjigjur akuzave të disa ditëve të fundit për praninë e korrupsionit në institucionet e Kosovës, ndërkohë që disa zyrtarë të Kosovës thonë se këto akuza më shumë janë për efekte proaganduese dhe fushatë mediale.
Një zëdhënës i shtyllës për polici e drejtësi në UNMIK, Neraj Singh tha se nuk mund të thoshte me siguri nëse kishte informacione për korrupsion dhe nuk mund të jepte informacione për hetimet aktuale:
"Është mjaft vështirë të komentohet ekzistenca e korrupsionit në ndonjë organizatë apo në ndonjë institucion në përgjithësi, por ajo që mund të them është se nëse ka indikacione për praninë e korrupsionit, ne kemi mekanizmat përkatës për të vepruar me efikasitet," tha zëdhënësi Singh, duke iu referuar grupit punues hetimor, që përbëhet para së gjithash nga ekspertë të policisë
financiare italiane Guardia di Financa dhe Komisionit Evropian antikorrupsion dhe antimashtrim.
"Grupi punues hetimor ka mandat mjaft të gjerë dhe ka qasje në të gjitha premisat dhe dokumentat që mund të çojnë në hetimin e rasteve të tilla," tha zoti Singh.
Edhe Mimoza Kusari, zëdhënëse e kryeministrit Rexhepi tha se qeveria ka mekanizmat e veta të veçanta për këtë punë:
"Me vendimin e kryeministrit, më 9 tetor të vitit 2003 është
nënshkruar vendimi për formimin e grupit punues ndërministror antikorrupsion. Aktivitetet e këtij grupi përfshijnë koordinimin, hartimin e politikave dhe të strategjisë antikorrupsion," tha zëdhënësja Kusari.
Ndërkohë, Muhamet Hamiti, zëdhënës i kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugova, tha se dyshimet për keqpërdorime duhen adresuar institucionalisht, pasi institucionet i kanë mekanizmat e tyre të kontrollit:
"Kosova ka institucione dhe mekanizma institucionale që mund të merren me pandehma apo shkelje të procedurave ligjore të tenderimit apo të prokurimit. Nuk dua të komentoj deklarata që bëhen për efekte politike, në një stinë fort të hershme të fushatës parazgjedhore.
Ndërkohë, zëdhënësja Kusari tha se akuzat e fundit nuk janë ndonjë risi:
"Këto akuza apo fjalë nuk janë riashtazi që ndodhin. Ka pasur diskutime dhe indikacione që një dukuri e tillë ndodh jo vetëm në institucionet e Kosovës, por edhe në administratën ndërkombëtare dhe kjo është shprehur edhe me aksionin e ish-kryeadministratorit Steiner zero tolerancë për korrupsionin dhe që nga ajo kohë kryeministri ka përkrahur me gjithë forcën e tij këtë aksion".
Ndërkaq këshilltari politik i kryeparlamentarit Nexhat Daci, zoti Ramush Tahiri tha se këto akuza janë fushatë propagandistike dhe mediale për të hapur tema që prekin opinionin, pasi krijohet përshtypja se të zgjedhurit e popullit po i keqpërdorin apo harxhojnë keq mjetet buxhetore. Ai tha se kushdo që ka informacione për keqpërdorime, ato mund t’i adresojë tek organet përkatëse:
"Qytetarët që kanë argumente apo dijeni duhet të njoftojnë organet para se të njoftojnë mediat apo shtypin, pasi kjo është mënyra efikase e parandalimit të korrupsionit."
Dhe, ndërkohë që akuzat e disa qarqeve politike kanë vazhduar, kundërshtarët e tyre politikë thonë se ata e kanë filluar herët fushatën parazgjedhore, ndërsa UNMIK-u dhe qeveria sigurojnë se grupet e tyre punuese hetimore kanë kapacitete për të penguar korrupsionin në institucione.




XS
SM
MD
LG