Presidenti amerikan, George Bush, ka deklaruar sot se lidhur me pavarësinë e Kosovës ka mospajtime, por "ne besojmë, sikur edhe shumë vende të tjera, se ajo do të sjellë paqe në Ballkan".
"Ne kemi punuar për së afërmi me rusët, siç kemi punuar edhe me evropianët dhe vendet tjera, për pavarësinë e Kosovës, sepse besojmë se kjo është një gjë e drejtë. Ka mospajtime, por ne dhe shumë vende të tjera besojmë se ky veprim është i drejtë dhe sjell paqe në Ballkan", u tha gazetarëve presidenti Bush, në Dar Es Salam të Tanzanisë, ku ndodhet për vizitë, në kudaër të turneut të tij në Afrikë.
"Tash, të gjithë duhet ta ndihmojmë Kosovën që ta jetësojë paqen", ka thënë presidenti amerikan dhe ka ftuar autoritetet në Prishtinë që t'i respektojnë të drejtat e jo shqiptarëve në Kosovë.
Duke folur për kundërshtimin e Rusisë për të njohur pavarësinë e Kosovës, presidenti Bush ka thënë se Moska në këtë çështje nuk pajtohet me Uashingtonin, por "historia do të dëshmojë se ky ishte një verpim i drejtë për të vendosur paqe në Ballkan".
"Qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë... Kemi qenë në konsultime të ngushta me rusët... Dhe, vendimi nuk ka paraqitur risi për Rusinë", ka thënë presidenti Bush.
Siç dihet, sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice, mbrëmë bëri të ditur se SHBA-të "zyrtarisht njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran".
Zonja Rice ka thënë se SHBA-të dhe Kosova së shpejti do të vendosin marrëdhënie diplomatike.