Ndërlidhjet

DOBBINS:"NËSE NUK DO TË KETË UJDI, KËSHILLI I SIGURIMIT DO TË IMPONOJË ZGJIDHJEN PËR KOSOVËN"


James DOBBINS, ish - emisar i SHBA-ve për Ballkanin

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Prishtina dhe Beogradi megjithë qëndrimet ekstremisht të ndryshme do të arrijnë marrëveshje rreth Kosovës apo faktorët ndërkombëtarë do t'ua imponojnë ujdinë?

JAMES DOBBINS
Mendoj se Marti Ahtisari do të bëjë çmos që të afroj qëndrimet e të dy palëve, por në fund mund të ndodhë që të konkludoj se marrëveshja ndërmjet dy palëve është e pamundur. Nëse kjo ndodh, atëherë Ahtisari do t'i ofrojë rekomandimet e veta për Këshillin e Sigurimit, që do të miratonte vendimin përfundimtar për statusin e Kosovës, madje edhe nëse palët (Prishtina dhe Beogradi) nuk do të pajtohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo do të thotë se ekziston mundësia që Kosovës dhe Serbisë t'i imponohet zgjidhja?

JAMES DOBBINS
Kjo gjithsesi mund të ndodhë, ndonëse do të ishte më mirë që të dy palët të merren vesh përmes bisedimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Kai Aide ka thënë se me rëndësi vitale për sigurinë e Kosovës edhe pas përcaktimit të statusit është mbetja e mëtejme e forcave amerikane atje....

JAMES DOBBINS
Nuk shoh shenja të tërheqjes së forcave amerikane nga rajoni. Tashmë hapur thuhet se NATO edhe mëtej do të ketë rol në Kosovë dhe mendoj se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të marrin pjesë në këtë mision në kuadër të Aleancës. Ato në një periudhë të caktuar kohore do të garantojnë sigurinë dhe zbatimin e zgjidhjes për statusin e Kosovës, pavarësisht cili do të jetë ai.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtari i lartë amerikanë Nikolas Bërns paradokohe tha se Uashingtoni do të bllokojë rrugën e Serbisë drejt NATO-s nëse çështja e Kosovës nuk do të zgjidhet. Si të interpretohet ky mesazh?

JAMES DOBBINS
Pavarësisht nga kjo deklaratë, Serbia nuk do të ishte në pozitë të anëtarësohet në NATO para se të gjendet zgjidhje për Kosovën. Thjesht për faktin se perspektiva kohore e hyrjes së saj në NATO është shumë më e gjatë se periudha që parashihet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë faktorë ndërkombëtarë tashmë publikisht flasin se statusi i Kosovës do të jetë pavarësia e kushtëzuar. Çfarë mendoni ju?

JAMES DOBBINS
Është reale të thuhet që bashkësia ndërkombëtare pret që statusi i Kosovës të jetë në suazat e zgjidhjes së apostrofuar (pavarësisë së kushtëzuar). Definimi i përcaktimit "pavarësi e kushtëzuar" ende është shumë fluid dhe Beogradi mund ta shfrytëzojë këtë hapësirë për të ndikuar në shumë gjëra, kuptohet nëse synon veprim produktiv dhe që mbi këtë bazë të bisedohet. Por, nëse dëshiron të vazhdojë me rrëfimin për sovarnitetin (mbi Kosovën), atëherë do të kuptojë se ndikimi i tij është i pa rëndësishëm.

RADIO EVROPA E LIRË
A është e gatshme NATO të intervenojë në rast të shpërthimit të dhunës në Kosovë?

JAMES DOBBINS
Po. Unë nuk pres shpërthim të dhunës, sepse askush nuk mund të përfitoj nga ajo asgjë. Por, NATO dhe UNMIK-u janë të gatshëm të intervenojnë me çfardo niveli force për të ruajtur sigurinë në Kosovë.

Intervistoi: B. TRIVIC

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG