Ndërlidhjet

EKSPERTËT KOSOVARË KUNDËR "DISKRIMINIMIT POZITIV" TË PAKICAVE


Albana Isufi, Prishtinë

Ekspertë juridikë kosovarë mendojnë se pas përcaktimit të statusit politik të Kosovës, nuk duhet të ekzistojë më praktika e ashtuquajtur e diskriminimit pozitiv, ku pakicat kombëtare, pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve, i kanë pasur të garantuara vendet në institucionet e Kosovës.
Juristi Arsim Bajrami thotë se tash e tutje pakicave do t’u garantohen të drejtat në bazë të standardeve ndërkombëtare.
“Në këtë drejtim Kosova duhet të jetë e gatshme që pas zgjidhjes së statusit përfundimtar, me kushtetutën e re të pranojë të gjitha standardet ndërkombëtare për të drejtat e minoriteteve, duke u dhënë atyre një shkallë të gjerë të autonomisë kulturore, por kurrësesi autonomi territoriale".
Të njëjtën gjë e thekson edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës Nekibe Kelmendi, e cila thotë se është e tejkaluar praktika e diskriminimit pozitiv.
“Diskriminimi pozitiv do të zëvendësohet me konventa, apo dokumenta përkatëse ndërkombëtare".
Për rezervimin e vendeve për minoritetet në institucionet e Kosovës pati vendosur bashkësia ndërkombëtare me qëllim të inkurajimit të pakicave, kryesisht atyre serbe, për t’u bërë pjesë e institucioneve. Eksperti për çështje juridike Arsim Bajrami thotë se kjo praktikë është treguar kundër produktive dhe se integrimi i pakicave në institucione në të ardhmen do të garantohet me kushtetutë. Megjithatë, ai mendon se edhe më tutje shumica shqiptare duhet të bëjë disa tolerime.
“Duke qenë se Kosova duhet të japë garancione shtesë në fazën e përcaktimit të statusit përfundimtar, unë mendoj se në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës, të gjitha komunitetet joshqiptare dhe joserbe duhet ta kenë nga një vend të rezervuar, ndërkaq për minoritetin serb në një fazë mund të shkojë me pesë vende të rezervuara, jo me 20 vende siç ka qenë, dhe kjo do të jetë një garancion shtesë që shqiptarët janë të gatshëm të japin garancione që pakicat të jenë pjesë e jetës politike."
Megjithatë, deputetja Nekibe Kelmendi mendon se institucionet e ardhshme të Kosovës nuk do të praktikojnë më asnjë lloj diskriminimi.
“Më tutje, pas zgjidhjes së statusit përfundimtar, të gjithë njerëzit do të jenë me të drejta të barabarta, kurse komunitetet, përkatësisht minoritetet do t'i gëzojnë të gjitha të drejtat që u garantojnë dokumentat ndërkombëtarë dhe nuk do të ketë nevojë për diskriminim pozitiv, por aq më pak nuk do t'u bëhet as diskriminim negativ."
Ndërkaq, autoritetet e UNMIK-ut, që edhe patën urdhëruar zbatimin e vendeve të rezervuara për minoritetet, thonë se është shumë herët që tani të flitet se si do duken institucionet pas përfundimit të bisedimeve për statusin. Megjithatë, shefja për informim në UNMIK Hua Jiang inkurajon serbët e Kosovës që të marrin pjesë në bisedimet për statusin final.
“Komuniteti ndërkombëtar po i shtyn serbët, që të marrin pjesë në institucione, pra edhe në ekipin negociues, në mënyrë që të jenë në gjendje që vetë t’i mbrojnë interesat e tyre. Ndërkaq, sa i përket vendeve të rezervuara, është shume herët të flitet, sepse sapo kemi hyrë në procesin e bisedimeve”, tha Jiang.
Që nga fillimi i marsit të vitit 2004, serbët kanë bojkotuar punën e institucioneve të Kosovës, duke lënë boshe edhe 20 vendet e rezervuara për ta në parlamentin e Kosovës. Ndërkaq, në qeverinë e Kosovës është vetëm Ministri i Kthimit Sllavisha Petkoviq, ai që ka pranuar njërin nga dy postet e rezervuara për serbët. Lista Serbe për Kosovën nuk ka emëruar ndonjë anëtar të saj për postin e Ministrit të Bujqësisë. Rrjedhimisht kjo Ministri vazhdon të udhëhiqet nga një zëvendësministër shqiptar.



XS
SM
MD
LG