Ndërlidhjet

NË KOSOVË SHTOHEN MASAT E SIGURISË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Që mbrëmë në gjithë Kosovën mund të vërehet një prani e shtuar e pjesëtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës si përgjigje ndaj vendimit të UNMIK-ut për shtimin e masave të sigurisë gjatë fazës së bisedave për statusin e Kosovës. Edhe pse vlerësohet se situata e përgjithshme në Kosovë është e qetë, incidentet si ai i hedhjes së një granate në një autobus në Prizren, nxisin shqetësimin për mundësinë e destabilizimit në periudhën e zgjidhjes së statusit. Zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh thotë se provokimet në procesin e përcaktimit të statusit nuk mund të tolerohen, prandaj do të pengohen përpjekjet e individëve apo të grupeve për eskalim të situatës:
"Kjo është koha kur Kosova hyn në fazën e zgjidhjes së statusit, prandaj edhe mund të ketë provokime nga anë të ndryshme. Ne nuk mund ta injorojmë këtë mundësi, prandaj edhe masat e sigurisë janë shtuar me qëllim të pengimit të tyre," tha Neeraj Singh.
Ditët e fundit ka pasur edhe incidente të tjera, sidomos në zonat e banuara nga serbët. Zëdhënësi Singh tha se për këtë arsye janë vënë edhe pika kontrolli të policisë për të pasur një prani të dukshme dhe se vëmendja është përqëndruar në zonat potencialisht të ndjeshme, si shkollat dhe objektet fetare.
Avni Arifi, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës Bajram Kosumi, tha se nuk besonte që do të ketë përshkallëzim të situatës:
"Ne nuk besojme se do të ketë përshkallëzim të konflikteve apo përkëqesim të situatës në terren, pasi ne besojmë se ky do të jetë një proces i qartë që do të çojë deri te pavarësia e Kosovës".
Edhe zëdhënësi Singh tha se shtimi i masave të sigurisë nuk do të thotë se bashkësia ndërkombëtare pret që të ndodhin veprime të dhunshme. Ai tha se populli i Kosovës ka hedhur poshtë çdo mundësi të arritjes së qëllimeve politike përmes dhunës:
"Në 18 muajt e fundit ka pasur shumë spekulime se do të ketë trazira dhe dhunë, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Populli dhe liderët e Kosovës, në secilin rast kanë dëshmuar se vleresimet e tilla janë të pabaza," tha Singh, duke shprehur besimin se nuk do të ketë përshkallëzim të dhunës.
Megjithatë, zoti Arifi thotë se ekziston një varg faktorësh që mund të parandalojnë përshkallëzimin eventual:
"Ky status quo që ka filluar para gjashtë vjetësh duhet të përfundojë, apo duhet të jetë një perspektivë e qartë se kur duhet të përfundojë status quo. Ne besojmë se qartësia e procesit dhe e kohës se sa do të zgjasin negociatat janë një faktor i rëndësishëm që do të mund të ndikonte për orientimin dhe përcaktimin e njerëzve se si duan ta ndërtojnë ardhmërinë e tyre."
Në të vërtetë, edhe analistë ndërkombëtarë disa herë kanë thënë se mospërcaktimi i afatit kohor, brenda të cilit do të përcaktohej statusi i Kosovës, mund të ndikojë për rritjen e tensioneve në Kosovë gjatë kohës së diskutimeve mbi statusin.
Vetë presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, i cili ka dënuar përmes një komunikate për shtyp incidentin në Prizren, ka kërkuar nga institucionet e sigurisë angazhim të shtuar në mbrojtje të qytetarëve, ndërsa nga qytetarët që të jenë vigjilentë në këto kohë të rëndësishme për fatin e Kosovës.



Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG