Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, ka vlerësuar se mesazhi që është dhënë nga nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns, konfirmon rolin kryesor që Shtetet e Bashkuara do të luajnë në procesin e reformimit që do të përcaktojë fatin e Kosovës. Zoti Jessen-Petersen këto komente i ka bërë në një intervistë dhënë Radios "Evropa e Lirë". “Nëse amerikanët vazhdojnë të japin mesazhe të qarta, shqiptarët do të dëgjojnë. Unë punoj për së afërmi me anëtarët e Grupit të Kontaktit në terren, por e di se një mesazh i qartë dhe i fuqishëm i SHBA-ve mbi, ta marrim si shembull, decentralizimin, do të dëgjohej nga shqiptarët”, ka thënë Jessen-Petersen. Duke folur ndërkaq për takimin e radhës të Këshillit të Sigurimit më 27 të këtij muaji, shefi i administratës ndërkombëtare ka thënë se do të raportoi për arritjet e shënuara të udhëheqësve kosovarë në tre muajt e fundit, veçanërisht në rrafshin e përmirësimit të sigurisë. Por, tha ai, do të ngriten edhe çështjet që vazhdojnë të jenë problematike, siç është për shembull çështja e kthimit të të zhvendosurve dhe zvarritjet rreth decentralizimit të pushtetit qendror. “Asnjë prej atyre që quhen standarde prioritare nuk janë përmbushur në tërësi, prandaj ata duhet të punojnë shumë në muajt e ardhshëm, veçanërisht të inkurajojnë një kthim më të madh të të zhvendosurve dhe të përmirësojnë lirinë e lëvizjes aty ku ka probleme”, ka thënë Jessen Petersen për Radion Evropa e Lirë.
Përdorimi i përmbajtjes sonë
⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.
Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.