Ndërlidhjet

RIGA


Presidenti amerikan George Bush tha sot se dominimi sovjetik në Evropën Qëndrore dhe Lindore pas Luftës së Dytë Botërore, do të mbahet mend si një nga "gabimet më të rënda të historisë". Duke folur në kryeqytetin e Letonisë, Riga, dhe para shkuarjes në Moskë për të shënuar 60 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, presidenti Bush tha se Marrëveshja e Yaltës e vitit 1945 ndërmjet Bashkimit Sovjetik, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, sakrifikoi "lirinë për hir të stabilitetit", dhe e la Evropën "të ndarë dhe jostabile". Këto komente, presidenti Bush i bëri pas takimit me udhëheqësit e tri vendeve baltike; Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë. "Për shumë vende të Evropës Lindore dhe Qendrore, fitorja solli sundimin e egër të një perandorie tjetër. Dita e Fitores ka shënuar fundin e fashizmit, por jo edhe të shtypjes. Marrëveshja e Yaltës ndoqi traditën e padrejtë nga Mynihu dhe Pakti Molotov-Ribbentrop. Edhe një herë, kur qeveritë e fuqishme negocionin, liria e popujve të vegjël, shpërfillej. Përpjekjet për të sakrifikuar lirinë për hir të stabilitetit, e lanë kontinentin, të ndarë dhe jostabil", tha Bush.
Me këtë rast, ai përshëndeti demokracitë e reja në Letoni, Lituani dhe Estoni, si shembuj për shtetet tjera të rajonit. Kurse pas samitit me shefat e këtyre tri vendeve, Bush tha se e pranon që në Perëndim, fundi i Luftës së Dytë Botërore, ka nënkuptuar paqen, ndërsa në vendet e Baltikut, shtoi ai, e solli pushtimin dhe shtypjen komuniste. Presidenti Bush tha gjithashtu se është në interesin e Rusisë që të kufizohet me vende demokratike, ndërsa bëri thirrje për zgjedhje të lira në Bellorusi. Në anën tjetër, presidentja letoneze, Vike-Freiberga, i shprehu mirënjohje të thellë presidentit Bush për vizitën. "Jemi të nderuar që patëm rastin të presim një udhëheqës të madh, nga një vend i madh, i cili erdhi në rajonin tonë për të treguar interesimin e tij për çka ka ndodhur këtu, dhe për të zhvilluar bisedime të hapura e të sinqerta me udhëheqësit e tri vendeve të Baltikut", tha Vike-Freiberga.
Pas Letonisë, presidenti Bush ka arritur në Mastricht të Holandës, ku nesër do të marrë pjesë në një ceremoni tek Varreza e ushtarëve amerikanë, që shënon edhe 60 vjetorin e fundit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG