Ndërlidhjet

GOLDERBG: ÇËSHTJET MADHORE DUHET TË JENË MBI MOSPAJTIMET DITORE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dialogu politik në Kosovë do të duhej të ishte dialog konstruktiv, që do t’i kontribuonte procesit dhe jo që ta shmangte atë nga rruga, siç po ndodh aktualisht, ka thënë sot pasdite shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, pas takimeve të veçanta që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumi dhe me liderin e partisë më të madhe opozitare, Hashim Thaçi. Zoti Goldberg i cili tha se ishte vënë në kërkim të gjetjes së një rruge të përshtatshme për të tejkaluar tensionet ndërmjet pozitës dhe opozitës, që kohët e fundit janë shndërruar, sipas tij, edhe në shqetësim sigurie, tha se ky diskurs po e dëmton procesin:
"Debate që nuk i shërbejnë këtij qëllimi, në disa pika, vetëm sa e dëmtojnë pozicionin e përgjithshëm të palës kosovare, në kohën kur po hyjmë në fazën e standardeve dhe të statusit," tha zoti Goldberg.
Në të vërtetë, tensionet ndërmjet pozitës dhe opozitës kanë kulmuar me shpërthimin në selinë e partisë opozitare Ora, në kohën kur opozita kishte akuzuar disa anëtarë të kabinetit qeveritar për përfshirje në krim dhe korrupsion. Kryeministri Bajram Kosumi tha se këto tensione kanë ardhur në kohën kur Grupi i Kontaktit kishte dhënë sinjale pozitive lidhur me përparimet e shënuara në Kosovë:
"Nuk apeloj që të fshihen pikat e zeza të qeverisë apo të kujtdoqoftë, unë jam kundërshtar i atyre dhe dëshiroj që edhe opozita në Kuvend, edhe mediumet t’i zbulojnë pikat e zeza të qeverisë, por e gjithë kjo duhet të bëhet me një gjuhë të argumentuar, me një gjuhë mirëkuptimi që nuk nxit konflikt",tha kryeministri Kosumi, ndërsa zoti Goldberg tha se në Kosovë ka çështje shumë më të rëndësishme se ato të politikës së ditës dhe mospajtimet në parlament, e këto çështje janë standardet dhe statusi.
Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se është i gatshëm për ndërtimin e një platforme të përbashkët për shtetin e pavarur të Kosovës, por njëkohësisht ka drejtuar një varg kritikash në adresë të udhëheqjes së parlamentit të Kosovës dhe qeverisë:
"Natyrisht e njoftova zotin Goldberg edhe për shqetësimet që ka ngritur PDK me rastin e instalimit të krimit ekonomik dhe politik në qeverinë e Kosovës. Askush nuk është mbi ligjin dhe në këtë drejtim, besoj se do të ketë veprime të shpejta, veprime të drejta të drejtësisë kosovare dhe asaj ndërkombëtare, në mënyrë që Kosova të udhëhiqet nga njerëz me duar të pastra".
Sidoqoftë, shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg tha se kishte pasur takime me liderë të ndryshëm, në përpjekje për ta tejkaluar situatën e tashme dhe tha se ishte i bindur që udhëheqësit e Kosovës e kuptojnë rëndësinë e procesit të vlerësimit të standardeve dhe përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.





XS
SM
MD
LG